BRITANI - Një adoleshent vendosi për të dalë me shokët e tij në klub nate, por të nesërmen në mëngjes u zgjua në Paris.

Pasi "ktheu" disa gota me miqtë e tij, Luke Harding mori një taksi për të shkuar në shtëpi, kur papritur në xhepin e tij gjeti pasaportën dhe vendosi të vizitojë kullën Eiffel në Paris. 19-vjeçari i tha shoferit të taksisë të shkonte menjëherë në aeroportin e Manchesterit. Gjatë rrugës për në aeroport, adoleshenti prenotoi një fluturim për në Paris nëpërmjet celularit të tij në orën 06:00 të mëngjesit.

Bileta e udhëtimit i kushtoi 100 paund. Pasi mbërriti në Francë, ai u zgjua në një tualet në aeroportin 'Charles De Gaulle', 500 milje larg vendit ku ai kishte dalë për të pirë me shokët. Lajmi i aventurës së tij u përphap me shpejtësi kur vetë ai filloi të postonte në rrjetin social Twitter se ishte zgjuar në Paris.

Luke harding

"U zgjova në tualetin e aeroportit 'Charles De Gaulle' një orë më parë", ishte postimi i 19-vjeçarit në Twitter. Postimi i tij vazhdonte: "Mora një taksi për në aeroportin e Manchesterit dhe prenotova një biletë me telefonin tim. Është shumë shtrenjtë këtu. Kam ecur dhe kam kaluar kullën Eiffel 3 herë deri tani".

Aventura e adoleshentit zgjati 12 orë, dhe u kthye për në Manchester. Shokët e tij i paguan biletën e fluturimit prej 170 paund. Gjithë udhëtimi në total i kushtoi atij 300 paund.


(v.gj/shqiptarja.com)