NJUPORT (Britani e Madhe), 5 shtator /ATSH-AFP/ - SHBA kërkoi sot formimin sa më shpejt të një koalicioni të gjerë për shkatërrimin e Shtetit Islamik, gjatë një takimi me nëntë vende të tjera në kuadër të samitit të NATO-s në Njuport (Britani e Madhe).
"Nuk ka kohë për të humbur për ndërtimin e një koalicioni të gjerë që parashikon të dobësojë dhe në fund të shkatërrojë Shtetin Islamik", deklaruan sekretarët amerikanë, John Kerry dhe Chuck Hagel në një komunikatë të përbashkët në përfundim të një takimi me homologët e tyre britanik, francez, gjerman, italian, turk, polak, australian, danez dhe kanadez.
"Mendoj se linja e kuqe për të gjithë rreth kësaj çështjeje është, jo ushtarë në terren", nënvizoi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry gjatë takimit.
"Ne duhet të kemi një koalicion këtu në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që do të zhvillohet javën e fundit të muajit shtator", deklaroi ai.
"Për të qenë efikas, ky koalicion ndërkombëtar duhet të përqendrohet rreth disa çështjeve, mbështetja ushtarake për partnerët irakianë, ndalimi i fluksit të luftimeve të huaja, ndërprerja e  financimit të Shtetit Islamik, trajtimi i krizës humanitare dhe deligjitimiteti i ideologjisë së Shtetit Islamik", theksuan në një komunikatë Kerry dhe Hagel.
Uashingtoni ka ndërmarrë që prej fillimit të muajit gusht goditje ajrore në veri të Irakut për të ndalur avancimin e xhihadistëve, ndërkohë që disa vende si SHBA, Franca, Italia dhe Gjermania kanë livruar ose do të livrojnë armë për luftëtarët kurdë në veri të Irakut./
/ec/ a.jor.