Policia në Britaninë e Madhe njoftoi më 21 prill se një person, rrëmbimi i të cilit në datë 12 prill u filmua nga kamera sigurie në qytetin Brighton, mund të jetë Toni Kurti.

Policia e Britanisë së Madhe publikoi gjatë ditëve të fundit komunikata në gjuhën shqipe dhe u përpoq të ndërgjegjësonte komunitetin e shqiptarëve përmes komunikimeve në gjuhën shqipe me shpresë se dikush do të mund të identifikonte viktimën.

Në orën 6 pasditen e të dielës më 12 prill, një burrë u fut me dhunë në një makinë Astra Vauxhall me targë HN05 FPY në Princes Terrace, Brighton, pasi sapo kishte zbritur nga një taksi.

Makina e rrëmbimit u gjet më vonë e braktisur.

Policia nuk ka arritur të identifikojë personin e rrëmbyer, për të cilin dyshohet se është shqiptar nga Shqipëria ose nga Kosova por nga hetimet e shumta të kryera policia ka zbuluar se ai mund të quhet Toni Kurti.