UKRAINË - Situata duket se do të përkeqësohet më tepër në territoret lindore të Ukrainës. Këtë e thonë burime të qeverisë britanike për rrjetin televiziv CNN të cilët flasin për rreth 4-5 mijë ushtarë rusë në territorin ukrainas, shumë më tepër se ata që denoncoi NATO pak ditë më parë.

Ushtarët rusë janë duke luftuar në afërsi të rajoneve Donetsk dhe Luhansk, ndërsa 20 mijë të tjerë janë stacionuar në kufi me Ukrainën. Ndërkaq, ministrat e jashtëm të BE-së kanë shprehur shqetësim të thellë për agresionin rus në Ukrainë dhe janë në përpjekje për të shtuar sanksionet kundër shtetit rus.
 
Duke folur pas takimit ministror në Milano, shefja në ikje për politikën e jashtme, Catherine Ashton i kërkoi Rusisë të tërheqë trupat e saj nga Ukraina si dhe të ndalë furnizimin me armë, personel dhe pajisje ushtarake në Ukrainë.
 
Po ashtu edhe Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso paralajmëroi Rusië se BE-ja ishte e gatshme të dalë nga parimet e saj duke i bërë thirrje për një zgjidhje politike përpara se të arrihet në një pikë pa kthim.
 
Aktualisht BE dhe SHBA kanë vënë vendosur tashmë sanksione kundër dhjetarë zyrtarëve të lartë rusë, komandantë separatistë dhe firma ruse të akuzuar për minimin e sovranitetit të Ukrainës.

Ndërsa BE është e prirur për masa më të ashpra, fuqitë perëndimore nga ana tjetër, sidomos Franca, Gjermania, Italia dhe Britania kanë frikë se dëmtojnë ekonomitë e tyre të brishta duke humbur biznesin rus.
 
Ndërkaq, mësohet se Rusia po përgatitet të dërgojë autokolonën e dytë me ndihma për rajonet lindore të Ukrainës, të kontrolluara nga rebelët. Kësaj radhe janë rreth 100 kamionë të parkuar në Rostov, në afërsi të kalimit kufitar të Donetskut të cilët do të depërtojnë në Ukrainë pa leje zyrtare nga Kievi.


Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)