BRITANI E MADHE- Britania e Madhe do të mirëpresë qindra refugjatë të ardhur nga Siria. Lajmi është dhënë nga zëvendëskryeministri i vendit Nick Clegg dhe është pasqyruar nga agjencitë e shtypit britanik. Ndërkohë masat e sigurisë do të komunikohen më vonë, ku do të bëhet një përzgjedhje strikte, vetëm për njerëzit që janë vërtetë në nevojë.
 
Nick Clegg ka nënvizuar se nuk ka ende një objektiv se sa do të jetë numri i caktuar i refugjatëve që do të hyjnë në territorin e Britanisë së Madhe. Por mendohet se ata do të jenë me qindra dhe do i jepet përparësi fëmijëve, grave, personave që janë keqtrajtuar dhe torturuar dhe gjithashtu të moshuarve dhe invalidëve.
 
Britania e Madhe është një nga kontribueset kryesore në financimet për llogari të kampeve të refugjatëve që ndodhen në vendet fqinje të Sirisë. Por ajo nuk do të marrë pjesë në Programin aktual të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku deri më tani Gjermania ka pranuar 10 mijë dhe Franca 500 sirianë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)