Qeveria britanike thirri diplomatin më të lartë të Iranit në Londër të hënën për të protestuar ndaj atyre që i konsideroi si kërcënime serioze kundër gazetarëve që jetojnë në Britani, ndërsa ministrat nisën një rishikim të ri të sigurisë në aktivitetet iraniane.

Të shtunën, një stacion televiziv me qendër në Londër, kritik ndaj qeverisë iraniane tha se po zhvendoste studiot e tij të transmetimit të drejtpërdrejtë në Shtetet e Bashkuara për shkak të kërcënimeve me të cilat përballej në Britani.

“Jam i tmerruar nga kërcënimet e vazhdueshme të regjimit iranian ndaj jetëve të gazetarëve me bazë në Mbretërinë e Bashkuar dhe sot kam thirrur përfaqësuesin e tij për të bërë të qartë se kjo nuk do të tolerohet”, tha në një deklaratë Sekretari i Jashtëm James Cleverly.

Zyra e jashtme tha se të përfaqësuesit i ishte thënë në një takim me zyrtarët britanikë se Britania nuk do të pranonte kërcënime të tilla për jetën dhe lirinë e medias.

Më herët, qeveria vendosi sanksione ndaj tre gjyqtarëve iranianë, tre anëtarëve të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe dy guvernatorëve rajonalë për ato që tha se ishin shkelje të të drejtave të njeriut.

Britania, së bashku me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, kanë kritikuar ashpër një shtypje të përhapur dhe shpesh të dhunshme ndaj protestave popullore pas vdekjes së gruas së re kurde iraniane Mahsa Amini në paraburgimin e policisë në shtator. Teherani akuzon kundërshtarët perëndimorë për nxitjen e trazirave mbarëkombëtare të ndezura nga vdekja e Amini.