Një anije gjigante e ankoruar në brigjet e Dorset në Portland do të përdoret për të mbajtur qindra azilkërkues të cilët tentojnë të hyjnë në territorin e Britanisë së Madhe në mënyrë ilegale.
Anija, e quajtur Bibby Stockholm, do të ankorohet në Portland Port për të paktën 18 muaj dhe do të strehojë rreth 500 meshkuj të rritur beqarë ndërkohë që kërkesat e tyre do të përpunohen. Sipas ministrisë së Brendshme britanike, akomodimi do të jetë bazik ku do të ofrohet edhe kujdesi shëndetësor si edhe siguria gjatë 24 orëve.
Pjesë e emigrantëve që pritet të strehohen në këtë anije gjigande pritet të jenë edhe emigrantët shqiptarë të cilët tentojnë të kalojnë me gomone në kanalin “La Mansh”.
Qeveria po përballet gjithashtu me reagime nga organizatat bamirëse dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët thanë se akomodimi nuk është i përshtatshëm për njerëzit që ikin nga lufta.
Por Ministri i Emigracionit Robert Jenrick tha se nuk mund të përballohet më strehimi i emigrantëve në hotele të shtrenjta.
"Sekretari i Brendshëm dhe unë kemi qenë të qartë se përdorimi i hoteleve të shtrenjta për të strehuar ata që bëjnë udhëtime të panevojshme dhe të rrezikshme duhet të ndalet”- u shpreh Jenrick duke u shprehur më tej: Ne nuk do t'i lartësojmë interesat e emigrantëve të paligjshëm mbi popullin britanik, të cilit jemi zgjedhur t'i shërbejmë.
Ai tha se duhet të përdoreshin këto mundësi akomodimi njëjtë siç bëjnë vendet fqinje europiane për të parandaluar që Britania e Madhe të kthehet në “magnet” që tërheq emigrantë të paligjshëm.
"Ne duhet të përdorim opsionet alternative të akomodimit, siç po bëjnë fqinjët tanë evropianë - duke përfshirë përdorimin e mauneve dhe trageteve për të kursyer paratë e taksapaguesve britanikë dhe për të parandaluar që të bëhet një magnet për blerësit e azilit në Evropë"- shtoi ai.
Jenrick këmbënguli se të gjitha akomodimet do të përmbushin "detyrimet ligjore", duke shtuar se qeveria do të punojë ngushtë me komunitetin lokal për të adresuar shqetësimet e tyre përfshirë mbështetjen financiare.