Politikat në Britaninë e Madhe për emigrantët sa vijnë dhe ashpërsohen, ndërsa shqiptarët vijojnë të mbeten problemi më i madh.
Naim Hasani, avokat tha në ‘Shtypi i Ditës dhe Ju’ se prej vitesh qeveria britanike ka ofruar para emigrantëve për t'u kthyer në vendin e origjinës në këtë rast në Shqipëri.
Ai thekson se kjo shumë u jepet në dy këste: njëra kur emigrantët largohen nga Britania dhe kësti i dytë kur ata shkojnë në vendin e tyre të origjinës.
“Qeveria britanike e ka pasur iniciativën për të iu ofruar një shumë parash emigrantëve që iu është refuzuar kërkesa për azil dhe nuk kanë asnjë arsye për të kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Brendshme. Kjo politikë është përdorur që prej vitit 2012. Ky sistem konsiston në dhënien e dy kësteve - 1500 paund kur largohet nga Britania e Madhe. Dhe pjesa tjetër po 1500 paund kur emigranti është kthyer në vendin e tij të origjinës”, tha Naim Hasani.
Më tej ai nënvizon se një pjesë e emigrantëve shqiptarë e kanë pranuar ndërsa një pjesë tjetër nuk e kanë pranuar këtë ofertë të Ministrisë së Brendshme.
“Është një politikë emigracioni që vazhdon gjithmonë, dhe ka shumë shqiptarë që e kanë pranuar këtë gjë, e kanë përfituar kur kanë vendosur që Britania nuk është më për të dhe janë kthyer në Shqipëri. Ndërkohë ka edhe nga ata që nuk e kanë pranuar duke shfrytëzuar çdo mundësi për të qëndruar në Britani”, shtoi ai.
Në fund të intervistës Hasani shtoi se Britania është mjaft e ndjeshme në lidhje me familjet që kanë fëmijë dhe që nga 2010 janë shënuar shumë raste të rralla që familjet shqiptare të kthehen në vendin e origjinës me forcë së bashku me fëmijët.
“Ministrja e Brendshme ka theksuar se nga 700 familje shqiptare, do të merren masa me ata që nuk kanë asnjë të drejtë të qëndrojnë në Britani. Që nga 2010 shumë raste të rralla janë shënuar që familjet shqiptare të kthehen në vendin e origjinës me forcë. Ata kanë një kujdes të veçantë për fëmijët nuk i lejojnë të mbahen në kampe emigrantësh, në polici. Nëse një familje i ka mbaruar çdo afat ata i kanë ofruar një 'takim familjar', ku i kujtojnë dobitë për t’i kthyer në vend. Ky takim bëhet pa praninë e fëmijëve”, përfundoi ai.
Komente












