Brozi: Për një Kushtetutë e Kod
Zgjedhor për Shqipërinë e jo partitë

Brozi: Për një Kushtetutë e Kod<br />Zgjedhor për Shqipërinë e jo partitë
Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi ka dhënë opinionin e tij pas proçesit të votimit, ku ai shkuan për një  Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor në të mirë të Shqipërisë e jo të partive.
 
Në një status në Facebook, Brozi, shkruan për një kujtesë në drejtim të atyre që premtuan këto dy reforma.
 
Brozi shkruan se, “Kuvendi i ri që del nga zgjedhjet që sapo përfunduan duhet t’i kthejë popullit pushtetin real për të zgjedhur Presidentin, deputetët dhe përfaqësuesit e tjerë të tij”.
 
Shkrimi i plotë i Zef Brozit
 
Për një Kushtetutë dhe Kod Zgjedhor në të mirë të Shqipërisë e jo të partive

Kujtesë atyre që premtuan këto dy reforma

Tani që zgjedhjet u bënë dhe votuesit e kanë shprehur vullnetin e tyre me votë, dëshëroj të shpreh shumë shkurtazi opinionin tim lidhur me Reformën Kushtetuese dhe Refomën Zgjedhore që i duhet Shqiperisë, pavarësisht se cilat parti do të jenë në pozitë e cilat në opozitë. Edhe pse sot dhe derisa të dalin rezultatet e zgjedhjeve ky shkrim mund të duket i parakohshëm dhe pa interes për politikanët. Por opinionet e mia si qytetar kurrë nuk janë përcaktuar dhe as do të kushtëzohen nga fakti se kush qeveris e kush del në opozitë.

Kuvendi i ri që del nga zgjedhjet që sapo përfunduan duhet t’i kthejë popullit pushtetin real për të zgjedhur Presidentin, deputetët dhe përfaqësuesit e tjerë të tij. Por Reforma Kushtetuese dhe Reforma Zgjedhore nuk mund të lihen vetëm në vullnetin e partive, të cilat deri më sot këto akte ligjore jetike për vendin i kanë bërë për interesat e tyre partiake dhe jo se cfarë është më e mira për Shqipërinë. Populli, përfshirë dhe shqiptarët në imigracion, duhet dhe mund ta detyrojë politikën (dhe Kuvendin që do dalë nga zgjedhjet e sotme) edhe për këto dy reforma aq të rendësishme të cilat duhen filluar që në ditët e para të mandatit të Kuvendit.

REFORMA KUSHTETUESE:
Presidenti
Presidenti duhet të zgjidhet me Votim nga Populli. Kandidatët për president duhet të kalojnë vetingun para së të regjistrohen si kandidatë. Edhe kriteret për president duhen rishikuar.
Kuvendi i Shqipërisë

1. Kuvendi të ketë 80-100 deputetë.
Për një vend të vogël si Shqipëria 140 deputetë janë shumë dhe i rëndojnë padrejtësisht taksapaguesit shqiptarë dhe buxhetin e shtetit. Për më tepër, edhe pse në këto 27 vite Kuvendi ka pasur 140 deputetë, rrallë kanë qenë prezent në punimet e tij 80 a 100 vetë, dhë vetëm në raste tepër të vecanta kanë marrë pjesë më shumë se 100 deputetë.

2. Deputetët të zgjidhen me sistemin mazhoritar.
Sistemi mazhoritar është sistem më i ndershëm , ku zgjedhësit votojnë për kandidatin dhe jo listën e kryetarëve të partive. Ky sistem do të rriste cilësinë e Parlamentit, përgjegjësinë dhe interesin e partive për të propozuar kandidatët më të mirë e më me reputacion. Me këtë sistem deputeti detyrohet të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me zgjedhësit dhe të përgjigjet para tyre.

3. Deputetët, nuk duhet të kënë asnjë funksion tjetër shtëtëror, pra nuk duhet të jënë as anëtarë të qëvërisë. Mbase mund të pranohet që Kryeministri mund të jetë edhe deputet.

4. Përvec kritereve të tjera që duhet të plotësojnë kandidatët për deputet, ata duhet të kalojnë sëpari vetingun.

KODI ZGJEDHOR:
Kodi Zgjedhor aktual duhet të pësojë ndryshime thelbësore që të plotësojë standartet e një kodi demokratik. Ndër këto ndryshime, në këtë shkrim të shkurtër po përmend vetëm disa prej tyre:

1. Kodi i Ri zgjedhor duhet tua heqë partive administrimin e zgjedhjeve. Partitë mund të vëzhgojnë zgjedhjet por jo të ndajnë midis tyre KQZ dhe komisionet e tjera të zgjedhjeve. Pra, KQZ dhe të gjitha komisionet e tjera zgjedhore duhet të jenë të pavarura dhe jopartiake.

2. T’u jepet e drejta imigrantëve shqiptar që të votojnë në vendet ku ata janë si immigrantë.

3. Imigrantët të kënë një numër vendesh të rezervuara të përfaqësimit në Kuvend.

4. Nuk duhet të lejohen më koalicione parazgjedhore të partive, këto pazare partiake që aq shumë dëmë i kanë sjellë Shqipërisë. Koalicionet bëhën pas zgjedhjeve.

Zef Brozi, Uashington, DC 25 Qershor 2017
 
Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

“Galaktikët” gati për sezonin e ri, Yamal-Mbappe gati për të marrë skenën

“Galaktikët” gati për sezonin e ri, Yamal-Mbappe gati për të marrë skenën