Brozi: Të ndodhte 21 janari në
SHBA, Berisha në burg përjetë

Brozi: Të ndodhte 21 janari në<br />SHBA, Berisha në burg përjetë
TIRANE- Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozi në pjesën e dytë të intervistës së tij për gazetën “Shqiptarja.com” thotë se për krimet që ka kryer, duke përmendur 21 janarin dhe për abuzimet me pushtetin ish-kryeministri Berisha dhe bashkëpuntorët e tij duhet të ishin dënuar me burgim të përjetshëm tani, dhe të ishte bërë konfiskimi i pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme.

Pjesa e pare e Intervistes: Brozi: Rama të mos tregohet servil, jo armëve kimike në vend

Për të, krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit do të ishte një plus për efikasitetin e luftës ndaj korrupsionit e krimit, ndërsa shprehet pro shkrirjes së Gjykatës së Lartë me atë Kushtetuese. Njëherësh ai nuk ka munguar që të shprehet në lidhje me situatën brenda PD, ku sipas tij pa u larguar Berisha nuk do ketë asnjë të përpjetë për këtë parti, e cila është e kapur. Nga ana tjetër ai vlerëson lëvizjet e kryeministrit Rama për auditin ndërkombëtar si dhe për përfshirjen e grave, në të gjitha nivelet e qeverisjes.
 
Reforma në drejtësi është aq e kërkuar nga ana e partnerëve tanë por dhe shqiptarët. Si e konsideroni krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një luftë efikase kundër krimit dhe korrupsionit?
Mendoj se është një zgjidhje shumë e mirë dhe do japë rezultate. Edhe disa vendet të tjera e kanë një institucion të tillë, por edhe Shqipëria ka pasur Hetuesinë e Përgjithshme dhe hetimi e ndjekja penale ka qenë shumë efektivë. Por suksesi i saj do varet nga përkushtimi, ndershmëria, profesionalizmi, kurajo dhe vendosmëria e drejtueve dhe gjithë personelit që do të ketë ky institucion, si edhe nga mbështetja e qeverisë dhe institucioneve të tjera. Por nëse prokuroria e gjykatat do të vazhdojnë të mos veprojnë, të mos ndëshkojnë apo edhe të mbrojnë ish-pushtetarët, pushtetarët e politikanët e korruptuar dhe inkriminuar, atëhere edhe puna e Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të sabotohet e të mos japë rezultatet që priten.
 
Sërish reforma në drejtësi. Për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë, është hedhur ideja e shkrirjes së disa gjykatave, mes të cilave Gjykata Kushtetuese me Gjykatën e Lartë, gjykata e krimeve të rënda etj. Mendoni se do t’i shërbejë gjyqësorit kjo reformë?
Reforma në drejtësi është reforma më e vështirë dhe më jetike për Shqipërinë. Propozimi për të pasur vetëm Gjykatë të Lartë që të shqyrtonte edhe çështje kushtetuese është bërë që në vitin 1993-1994 në Komisionin për Hartimin e Kushtetutës, anëtar i të cilit isha edhe unë. Unë edhe atëherë, dhe tani mendoj se duhet të ketë vetëm Gjykatë të Lartë e cila shqyrton edhe çështje kushtetuese.  Shqipëria është një vend i vogël e i varfër dhe është luks apo shpenzim jo efektiv i parave të taksapaguesve mbajtja e dy Gjykatave. Duke pasur vetëm Gjykatë të Lartë do kurseheshin miliona lekë.

Sot Gjykata e Lartë ka mijëra çështje që presin prej shumë vitesh për t’u gjykuar, ndërsa ne Gjykatën Kushtetuese ka mbase mijëra herë më pak çshtje. Nëse do bëhet kjo shkrirje dhe do të shtohej me 3-5 vetë numri i gjyqtarëve ne Gjykatën e Lartë, atëherë do të përshpejtohej gjykimi i çështjeve në Gjykatën e Lartë dhe do të kursehej paga e 4-6 gjyqtareve te Gjykatës Kushtetuese, sepse nga 9 gjyqtarë që ka sot, në Gjykatën e Lartë do të shtoheshin 3-5 gjyqtarë.
 
Po në SHBA si operohet për rastet kushtetuese...?
Në Amerike çdo gjykatë, pra edhe gjykatat e shkallës së parë shqyrtojnë edhe çështje kushtetuese. Mendimi se gjyqtarët e Gjykatës së Lartë nuk mund të shqyrtojnë çështje kushtetuese sepse nuk njohin Kushtetutën është absurd dhe i pa bazë. Çdo gjyqtar në Shqipëri duhet të njohë dhe zbatojë sëpari Kushtetutën si ligjin më kryesor të vendit. Edhe mënyra e emërimit dhe zgjedhjes së gjyqtarëve duhet rishikuar e ndryshuar. Mendoj se gjyqtarët e të gjitha shkallëve do jetë më mirë të zgjidhen nga populli, gjyqtarët e rretheve gjyqësore dhe të apelit në çdo katër vjet, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë (dhe nëse do mbahet siç është sot Gjykata Kushtetuese edhe gjyqtarët e kësaj gjykate) të zgjidhen në çdo 8 vjet.

Zgjedhjet duhen bërë kur bëhen zgjedhjet parlamentare a lokale. Kandidatët për gjyqtarë duhet të plotësojnë kriteret ligjore, morale e profesionale dhe verifikohen nga një komision i posaçëm. Në këtë mënyrë gjyqtarët do t’i nënshtroheshin gjykimit dhe ndëshkimit të popullit. Ndërsa  gjyqtarët e zgjedhur nga populli do e ndjejnë veten më të sigurtë për të përballuar presionet dhe ndërhyrjet e politikes dhe pushteteve të tjerë. Edhe në shumë shtete të Amerikës gjyqtarët dhe Prokurori i Përgjithshëm zgjidhen nga populli.
 
Opinion juaj për Parlamentin dhe kreun e tij Ilir Meta?
Mazhoranca e sotme dhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta kanë meritën e madhe se po dëshmojnë qytetari, etikë parlamentare, tolerancë dhe respekt për opozitën. Në tetë vitet berishiane Parlamenti u kthye në skenë banaliteti, fyerjesh, dhune e kërcënimesh ndaj opozitës. Uroj që Kryetari Meta, ish student i Lëvizjes se Dhjetorit 1990, të vazhdojë ta drejtojë Parlamentin me atë urtësi e sjellje europiane që ka dëshmuar deri më sot.
Parlamenti duhet të bëhet promotor i reformave të shumanëshme që i duhen sot Shqipërisë, përfshirë këtu edhe reformën ligjore e kushtetuese. I bëj thirrje opozitës të bëhet pjesë e progresit dhe integrimit europian të vendit. 
 
Deri më tani reforma në administratë, duke qënë në një koalicion me LSI ka ecur në “korsi” të ndryshme: PS më ngadalë në largimin e militantëve nga zyrat e shtetit, ndërsa LSI në mënyrë shumë më operative. Mund të krijojë hendeqe brenda koalicionit apo në radhët e dy forcave politike në qeverisje, një zhvillim i tillë?
Ndërtimi i një administrate shtetërore të depolitizuar, të aftë profesionalisht, të përkushtuar dhe të përgjegjshme para ligjit dhe qytetarëve, është një sfidë tjetër e qeverisë Rama dhe e mazhorances së sotme. Për fat të keq, deri dy muaj me parë administrata publike është trajtuar si një strehë për militantët e partive në pushtet edhe kur ata nuk plotësonin kriteret profesionale e morale. Por një administratë militantësh rrëzohet sa herë ndryshojnë qeveritë dhe nuk mund t’u japë qytetarëve shërbimin dhe respektin që ata meritojnë.

Duhet të përcaktohen qartë postet politike në administratën shtetërore, drejtuesit e të cilave japin dorëheqje apo edhe shkarkohen kur ndryshojnë qeveritë. Ndërsa personeli profesional e teknik i administratës nuk duhet të ndryshojë sa herë ndryshojnë raportet politike në qeverisje, dhe emërimi e përzgjedhja e tyre duhet bërë vetëm mbi kritere profesionale, ndershmërisë e përkushtimit në shërbim të qytetarëve. Shqipëria, sapo ka filluar të hedhë hapat e parë në këtë drejtim.
 
Po për qëndrimet e ndryshme...?
Lidhur me pyetjen për qëndrimet e ndryshme që kanë PS e LSI për largimin e militantëve te administratës së qeverisjes së Berishës dua të theksoj se ky koalicion nuk duhet të ketë asgjë të ngjashme me praktikën negative të koalicionit aspak natyral PD-LSI, ku postet dhe vendet e punës në administratën shtetërore u ndanë me përqindje. Suksesi apo dështimi i përbashkët PS-LSI varet edhe nga realizimi i nje qeverisjeje unike e jo të dyzuar, si edhe nga ndërtimi i një administrate shtetërore profesionale e jo politike, një administrate të përgjegjëshme para ligjit e popullit. Si meritat për sukseset e qeverisjes, ashtu edhe faji e përgjegjësia në rast dështimi, do jenë njësoj si për PS ashtu edhe për LSI. Prandaj këto dy parti duhet të qeverisin si një bashkim natyral dhe as të mos e shkojnë nëpër mend se në zgjedhjet e ardhëshme do të justifikohen apo shtojnë votuesit e tyre, duke fajësuar njera –tjetrën.
 
Meqë jemi tek pandëshkueshmëria, e përcaktuar dhe në raportin vjetor të OSBE, asnjë prej zyrtarëve të rangjeve të larta nuk ka shkuar para drejtësisë për abuzimet e bëra. Mendoni se duhet aplikuar modeli kroat ku u arrestua ish-kryeministri Sanader, pikërisht ai që hapi negociatat e Kroacisë me BE...?
Qeverisja e Berishës ishte një oqean krimi e korrupsioni. Shqiptarët me votën e tyre më 23 Qershor e shpëtuan veten, familjet dhe Shqipërinë e tyre nga mbytja përfundimtare në atë oqean. Qeveria Rama dhe e gjithë mazhoranca e sotme kanë detyrimin moral e ligjor për ta hetuar dhe ndëshkuar pa asnjë hezitim korrupsionin e krimet monstruoze të pushtetit berishian.  Kjo duhet të fillojë me arkitektin e krimit dhe korrupsionit pushtetar, Sali Berishën.

Dhe askush nuk mund dhe nuk duhet ta konsiderojë këtë hakmarrje politike. Në të kundërt, krimi e korrupsioni pushtetar do të vazhdojnë të mbështillen me maskën politike e nuk do të ndëshkohen ndonjëherë. Është shpresëdhënëse premtimi i kryeministrit Rama para disa ditësh kur i kërkoi prokurorisë të hetojë pa hezitim këdo, qofshin këto edhe socialistë që drejtojnë bashki apo edhe në çdo post tjetër. A nuk është dhe kjo një sjellje e një lideri të standarteve Perëndimore dhe totalisht ndryshe nga qëndrimet e sjellja e ish-kryeministrit Berisha?
 
Mendoni se me ndëshkimin e abuzimit të rangur të lartë Shqipëria krijon premisa për të qënë e denjë për familjen evropiane...?
Vetëm kur Berisha dhe kushdo ish pushtetar tjetër të përgjigjen para ligjit si të gjithë qytetarët, atëhere dhe vetëm atehere mund të thuhet se Shqipëria po Rilind dhe se qeveria Rama është e zonja ta bëjë Shqipërinë anëtare të familjes Europiane. Berisha edhe si opozitar po mbron krimin e korrupsionin e klaneve të tij, gjë që kërcënon perspektivën europiane të Shqipërisë dhe funksionimin e shtetit ligjor. Dhe vetëm kur edhe çdo pushtetar i sotëm dhe i ardhshëm të ketë frikë ligjin e policin, dhe të dënohet nëse kryen krim e korrupsion, atëherë dhe vetëm atëherë mund të thuhet se vendi ynë ka hyrë në brazdën e shtetit të se drejtës dhe po shkon me dinjitet drejt portës së BE.
 
Kryeministri Edi Rama kur ishte në opozitë ka deklaruar se krimi i 21 janarit ku u vranë nga Garda teksa protestonin katër njerëz të pafajshëm, është një krim që nuk falet. Mendoni se ka ardhur koha që të zbardhen vrasësit dhe urdhërdhënësit e e vërtetë dhe përgjegjësit të shkojnë para drejtësisë?
As kryeministri Rama dhe askush tjetër nuk mund e nuk duhet ta falë krimin e 21 Janarit. As ato organe Pa-Drejtësie që e kanë falur atë krim. Nëse akti terrorist shtetëror i 21 Janarit 2011 do të kishte ndodhur në një nga vendet e Bashkimit Europian apo në Amerike, sot urdhëruesi i atij krimi barbar, ish kryeministri Sali Berisha, do të ishte duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm (në Amerikë mbase dhe dënim më të rëndë). Shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet t’i tolerojnë edhe me tej mbrojtjen që prokuroria dhe organet e drejtësisë i kanë bërë dhe po i bëjnë krimeve të Sali Berishës e klanit të tij gjatë më se dy dekadave. 

Parlamenti dhe qeveria sa më shpejt duhet të bëjnë reformat ligjore e Kushtetuese për të dhënë zgjidhjet e nevojshme kësaj situate dramatike. Prokurori i Përgjithshëm dhe prokurorët që kanë në juridiksion të tyre hetimin e krimit të 21 Janarit kanë tre alternativa: Ose të fillojnë menjëherë hetimet ndaj Berishës dhe ish ministrit të Brendshëm, ose të japin dorëheqje nëse kanë frikë të bëjnë hetimet dhe të kryejnë detyrën sipas ligjit, ose ata të vihen para përgjegjësisë penale nëse janë mbrojtës dhe bashkëpunëtorë të krimeve të Sali Berishës. Le të shpresojmë se deri më 21 Janar 2014 Berisha do të dërgohet aty ku e ka pasur vendin që më 1997-ën!
 
Janë dhe krime të tjera ku janë të implikuar zytarë të qeverisjes së kaluar dhe konkretisht  si Gërdeci, vjedhja e Rrugës së Kombit etj. A do të krijonte problem që Berisha dhe zyrtarë të tjerë të lartë të viheshin para drejtësisë?
Probleme të mëdha ka krijuar e krijon mosvënia e tyre para drejtësisë. Ndërsa vënia e tyre para drejtësisë dhe dënimi i tyre sipas ligjit dhe provave do të zgjidhte shumë probleme të sotme dhe të së ardhmes. Më kryesorja, do të merrte fund tradita shtetshkatërruese e mosndëshkimit të pushtetarëve. Populli thotë se “Frika i ruan vreshtat”. Dhe kur pushtetarët e Shqipërisë të fillojnë të kenë frikë ligjin dhe policin, atëherë edhe qeveria e pushtetarët do jenë të përgjegjshme dhe do punojnë me korrektësi. Çështja e Gërdecit dhe 21 Janarit janë turpet (mund të themi edhe krimet) më të rënda të të ashtuquajturave organe të Drejtësisë në Shqipëri.
 
Për dëmet e shkaktuara me abuzimet me pasuritë e shtetit, shitjen e hapësirës detare dhe lidhjet e shkurtëra me nëntokën e krimit, mendoni se dikush duhet jo vetëm të shkojë para drejtësisë për abuzim, cënim të sigurisë kombëtare por dhe të dëmshpërblejë shtetin shqiptar në mënyrë monetare?
Berishës dhe ish pushtetarëve të tij të korruptuar, veç dënimeve penale, duhet patjetër t’u konfiskohet prona dhe çdo pasuri që ata kanë vënë me abuzime, korrupsion dhe me bashkëpunim me mafian kriminale te vendit dhe atë ndërkombëtare. Kam lexuar se qeveria Rama dhe Parlamenti po përgatisin ndryshime të rëndësishme në ligje edhe për këtë qëllim.
 
Opozita e re e drejtuar nga Basha një ndër “delfinët” e Berishës, realisht vijon të drejtohet nga vetë Berisha. Çfarë do t’i këshillonit PD që të çlirohej në veprimin e vet politik dhe të krijonte një opozitë reale, të bashkuar dhe të fortë?
Është fatkeqësi për PD dhe Shqipërinë që edhe sot ajo parti vazhdon te zhdrejtohet e shkatërrohet nga Sali Berisha.  Demokratët e ndershëm dhe idealistë, të nëpërkëmbur e tradhëtuar nga lidershipi i korruptuar dhe inkriminuar i PD, dita-ditës po e kuptojnë se PD nuk është më partia e tyre. Në fakt PD ka qenë partia e tyre vetëm pak kohë, vetëm sa ishin Azem Hajdari dhe Eduard Selami kryetarë të saj. Sa me shpejt t’i largohen asaj dhe klanit mafioz që e drejton, aq më të çliruar dhe më mirë do ta ndiejnë veten. PD duhet të Rilindë!

Por që të arrihet kjo, PD sëpari duhet të çlirohet nga okupatori i saj-Sali Berisha dhe kukullat e tij. Sëdyti, duhet të zgjedhë drejtues të saj njerëz të ndershëm, të përkushtuar dhe me vizion Perëndimor. Sëtreti, demokratët e ndershëm e idealistë duhet të kërkojnë vënien para organeve të drejtësisë të Sali Berishës, klanit të tij kriminal dhe ish zyrtarëve të korruptuar të PD. Në të kundërt, PD mund të katandiset në një parti vocërrake, ose edhe të shpërbëhet.
 
Eduard Selami ish kreu i PD dhe i dëbuar nga Berisha, tashmë është rikthyer në PD, është deputet dhe pa asnjë zë në jetën politike, brenda dhe jashtë partisë së vet? Mendoni se ka ndonjë rol për të luajtur në PD…?
Në një intervistë para zgjedhjeve e kam përshëndetur kthimin e Eduardit në jetën politike, më bëhet shumë qejfi që sot ai është në Parlament dhe besoj se është deputeti më i ndershëm që ka PD.  Unë nuk bashkohem me ata që e kanë gjykuar ashpër pse ai shkoi në PD, pse gjatë fushatës përkrahu PD e Berishën etj. Nëse Eduardi sot hesht, duket se ndjehet i huaj në moçalin e korrupsionit të lidershipit të PD, por edhe pa forca për ta ndryshuar situatën në atë parti, dhe një mision të pamundur për ta kthyer PD tek idealet e pastra të Dhjetorit 1990, ku edhe ai ka kontributin e vet të çmuar. Ju lutem mos ia prishni heshtjen e padëmshme mikut tim Eduard dhe ai e vlerëson vetë se kur do e thyejë atë heshtje!
 
Qeveria shqiptare do të auditojë gropën e krijuar në financat e shtetit, do të marrë një kompani mbikqyrëse të doganave, ndërkohë që gjithë institucionet që kanë të bëjnë me ligjshmërinë dhe mbledhjen e parave drejtohen nga gra. Mendoni se janë eficente këto masa për ngritjen e shtetit dhe mbushjen e arkës bosh?
Auditimi i financave të shtetit është një praktikë e vazhdueshme e qeverive Perëndimore. Për Shqipërinë e grabitur nga ish Kryeministri e banda e tij, auditimi është edhe më i domosdoshëm jo vetëm për të bërë transparencën e vjedhjeve dhe korrupsionit të përbindshëm të qeverise ‘Berisha’, por edhe për transparencën e qeverisë aktuale dhe të çdo qeverie në të ardhmen. Por duhet që rezultatet e auditimit të shërbejnë dhe si prova për të ndëshkuar penalisht zyrtarët që kanë abuzuar me pasuritë publike.

Duhet të marrë fund praktika shqiptare që një vjedhës ordiner që nuk ka as buke të hajë dënohet ashpër, ndërsa pushtetarët që vjedhin miliona euro nga pasuria e popullit nuk ndëshkohen. Mazhoranca ka treguar zgjuarsi duke vënë vajza e gra në drejtim të disa institucioneve që kanë të bëjnë me mbledhjen e parave edhe sepse femrat janë me të pakorruptueshmë se meshkujt. Dhe faktet shumë pozitive në këto institucione flasin vetë dhe ato zonja meritojnë falenderimet më të përzemërta.
 
Dhe në fund, çfarë do t’i këshillonit kryeministrit Edi Rama për ringritjen e shtetit, dhënien e statusit të vendit kandidat në BE Shqipërisë e një roli të fortë të Shqipërisë në Ballkan?
Mendoj se është më mirë që Kryeministrit t’i uroj nga zemra suksese ndërsa këshillat t’i jepen kur ai i kërkon dhe jo me intervista, të cilat natyrisht që nuk ka as kohë për t’i lexuar.
 
Shkrimi u publikua sot (10.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike