BRUKSEL, 7 korrik /ATSH-ANSA/ - Bashkimi Evropian gjatë vitit 2013 ka marrë më shumë kërkesa për azil nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor sesa nga të larguarit nga Siria, deklaroi sot Zyra Evropiane e Mbështetësve të Azilit (EASO). EASO-ja njoftoi se qytetarët nga Serbia, Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina së bashku kishin përpiluar 72 840 kërkesa për azil për në BE, thënë ndryshe 17 për qind krahasuar me 50 495 të kërkesave të bëra nga sirianët. Pjesa më e madhe e kërkesave për azil në BE ishin konsideruar të pabazuara. Norma mesatare e pranimit ishte shumë e ulët 3,8 për qind, me përjashtim të Italisë, ku shkalla e pranimit ishte 46 për qind. Komisioneria Evropiane e Punëve të Brendshme, Cecilia Malmstroem deklaroi se mospërputhja përbën një problem serioz që mund t'u shkaktojë vendeve më të prekuara anëtare të aktivizojnë një klauzolë sigurie, që eliminon udhëtimin pa viza në zonën Schengen. Serbët, maqedonasit, malazezët dhe boshnjakët synojnë në veçanti Gjermaninë, ndërsa shqiptarët Francën dhe Britaninë e Madhe. Malmstroem theksoi se ajo do të vazhdojë të jetë në kontakt me vendet e Ballkanit Perëndimor për të parë sesi mund t'i ndihmojë dhe të punojë me to për të parandaluar abuzimet me sistemin e liberalizimit të vizave. Komisionerja tha se "ka pasur fushata të mira bashkëpunimi, por fatkeqësisht rezultatet kanë qenë të pamjaftueshme". Shumica e azilkërkuesve vitin e kaluar për në vendet e BE-së ishin serbë, më shumë se 20 000 persona, e ndjekur nga kosovarët, maqedonasit, shqiptarët, boshnjakët dhe malazezët. Emigrantët serbë dhe maqedonas ishin kryesisht të etnisë rome./ /l.q/ a.jor.
/Shqiptarja.com











