BRUKSEL, 17 nëntor /ATSH-AFP/ - Bashkimi Evropian konfirmoi sot se kundërshtonte me forcë vazhdimin e kolonizimit në territoret palestineze duke refuzuar gjithashtu çdo sanksion kundër Izraelit.
Shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini përgënjeshtroi ekzistencën e një dokumenti paraprak të Bashkimit Evropian në lidhje me sanksionet kundër Izraelit, ashtu si konfirmoi në fundjavë e përditshmja izraelite "Haaretz".
"Nuk ekziston asnjë plan i këtij lloji", deklaroi ajo në një konferencë shtypi.
"Kam parë një artikull në të përditshmen "Haaretz" që mesa duket i është referuar një dokumenti të brendshëm pune kërkuar nga shtetet anëtare disa kohë më parë(...) një hipotezë teknike", theksoi Mogherini.
"Sot, diskutimet tona janë përqendruar në faktin se si mund të angazhohemi në mënyrë pozitive me Izraelin dhe palestinezët për rifillimin e procesit të paqes, jo mbi faktin për të sanksionuar apo izoluar ndonjë", shtoi ajo.
Në një komunikatë të publikuar në përfundim të takimit të tyre mujor në Bruksel, ministrat evropianë të Punëve të Jashtme konfirmuan se Bashkimi Evropian kundërshton me forcë shpronësimin fundit të tokave në afërsi të Betlehemit, për projektet e tjera të ndërtimit dhe vazhdimin e prishjeve duke përfshirë këtu projektet e financuara nga Bashkimi Evropian./
/ec/ a.jor.









