BRUKSEL - Komisioni Evropian njoftoi sot se u kishte propozuar ministrave rus dhe ukrainas të Energjisë një takim të hënën e ardhshme në Bruksel për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre për livrimin e gazit për separatistët prorusë nga "Gazprom".
"Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian i ngarkuar për Energjinë, Maros Sefkovic u dërgoi ftesa ministrave ukrainas dhe rus të Energjisë, për një takim tripalësh në Bruksel të hënën e ardhshme", theksoi një zëdhënëse në një konferencë shtypi.
"Ne presim një konfirmim përfundimtar nga dy ministrat", shtoi zëdhënësja, Anna-Kaisa Itkonen.
Kompania ukrainase "Naftogaz" njoftoi sot se do të merrte pjesë në këtë takim si anëtare e delegacionit të drejtuar nga ministri i Energjisë, Volodymyr Demtchichine".
Tensionet mbi gazin mes Rusisë dhe Ukrainës rinisën kur gjiganti rus i gazit "Gazprom" nisi javën e kaluar të furnizonte me gaz zonat nën kontrollin rebel, me motivin se Kievi kishte ndërprerë furnizimin.
Moska theksoi se këto livrime bënin pjesë në kontratën e nënshkruar në muajin tetor mes "Gazprom" dhe grupit ukrainas "Naftogaz" pas një ndërmjetësimi të Komisionit Evropian dhe që Kievi duhet ta paguajë./ATSH/