BRUKSEL- Këshilli i Europës në Bruksel vendosi për Kosovën hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian, një hap i rëndësishëm për Prishtinën drejt rrugës europiane.
 
Komisioneri për zgjerim të BE-së, Stefan Fule, ka shfrytëzuar rrjetin social “Twitter” për t’i uruar Kosovës për këtë vendim.
 
“Pas vendimeve të Këshillit të Europës: Urime Serbisë dhe Kosovës. Pres me padurim nisjen e negociatave”, ka shkruar Fule.
 
Më herët presidenti i KE-së Herman Van Rompuy, njoftoi nëpërmjet rrjetit “Twitter”, se Bashkimi Europian ka vendosur se hapja e negociatave për anëtarësimin e Serbinë në BE do të fillojë në janar të vitit 2014.
 
Vendimi për Kosovën dhe Serbinë është marrë në ditën e dytë të samitit të krerëve të Unionit në Bruksel.
 
Në përgjithësi, procesi i Stabilizim-Asocimit, është kornizë e politikave të BE-së për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të së cilës zhvillohet procesi i integrimit të këtyre shteteve në BE deri në anëtarësimin e tyre të plotë.
 
Ky proces ka tri qëllime strategjike: stabilizimin dhe tranzicionin drejt një ekonomie të lirë dhe konkurrente të tregut, promovimin e bashkëpunimit rajonal, dhe perspektivën europiane.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)