BRUKSEL, 3 dhjetor /ATSH-AFP/ - Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry theksoi sot se çdo sulm i Iranit kundër Shtetit Islamik do të kishte në fund një efekt pozitiv, pa konfirmuar informacionet përsa i përket bombardimeve të fundit iraniane në lindje të Irakut.
"Është e qartë se nëse Irani sulmon Shtetin Islamik në një vend të caktuar dhe nëse ky veprim është i limituar në Shtetin Islamik, dhe ka një ndikim, kjo do të ketë një efekt që në fund do të jetë pozitiv", deklaroi Kerry në përfundim të një takimi të koalicionit ndërkombëtar kundër organizatës xhihadiste në Bruksel.
Pentagoni konfirmoi dje, disa orë para fillimit të këtij takimi mes ministrave të Punëve të Jashtme të koalicionit, se Irani kishte kryer sulme ajrore në lindje të Irakut, pas imazheve në stacionin televiziv al-Jazira që tregonin avionët F-4 iranianë duke sulmuar pozicionet e ISIS në provincën Diyala./
/ec/ a.jor.