Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Ervin Demo po zhvillojnë një takim me drejtues të Policisë së shtetit pas protestës së dhunshme gjatë mbrëmjes së djeshme.
Dje është kaluar vija e kuqe. Nuk mund të quhet më protestë studentore, nuk mund të quhet më as protestë. 295 të lënduar, 186 prej tyre janë punonjës policie, raporti tregon vetëpërmbajtjen e policisë. Protestuesit kanë gjetur azil politik në një parti të caktuar”, tha Demo.
Kryeministri Rama erdhi sërish me një gur në konferencë, duke deklaruar se dhuna nuk ka vend në demokracinë shqiptare.
“Policët po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria. Kam ardhur sot prapë me këtë me vete, duhet ta mbash me vete, ta peshosh, sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve me uniformë dhe çfarë mund të bëjë mbi këdo. Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë, logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se njëherë, pasoja janë plagë që duhen vite për t’u shëruar. Nuk do të thotë aspak se kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën frymëzimn e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europe dhe SHBA, që presidenti e ka shpallur organizatë terroriste, Antifën. Ata janë peng i një ideologjie të re, shkatërro gjthçka”, theksoi ai.
"Dërgojnë në protestë adoleshentët, që larg qoftë të ketë ndonjë viktimë dhe të thotë se ky është një tjetër 21 Janar, duke na barazuar, me ata që nuk kemi barazim", tha Rama.
lajm ne perditesim...

Kryeministri Rama duke folur për protestat e dhunshme tha se ata mësues që nxisin nxënësit të dëmtojnë institucionet nuk kanë për ta parë me sy derën e shkollës.
"Po këto të gjitha nuk hyjnë në lupën e lavatriçeve të parave të zeza në media dhe as në gropat e zeza ku fshihen të ardhurat e shqiptarëve, evazion fiskal me miliona e miliona euro, sepse ato janë aty për ta sjellë ditën e gurit dhe të hurit, me gjithfarë shpifjesh dhe me një tam-tam të përditshëm, të përditshëm e të përditshëm, duke i rrokur kokën të gjithë dynjasë për t'i thënë që çdo pakënaqësi që ju krijohet vjen nga ata atje që po ju vjedhin të gjitha çdo ditë.
Mësues, mësues që marrin nxënësit dhe i nxjerrin nga shkolla dhe u thonë: "Bini xhamave të shkollës", siç ndodhi në Lezhë.
Ajo mësuese dhe ata mësues nuk kanë për ta parë më derën e shkollës dhe nuk do të marrin më asnjë lloj roli si punonjës të shtetit, kurrë më në shtet.
Si mundet një mësues t'i thotë nxënësit të thyejë xhamin e shkollës? Çfarë është kjo lëvizje për ta bërë Shqipërinë më të mirë, më europiane, më demokratike, më njerëzore?", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se është i gatshëm për dialog në çdo kohë dhe me këdo, përveç forcave politike që qëndrojnë pas dhunës dhe nuk distancohen prej saj.
"Dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend, me këdo, përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna. Përveç atyre që gjuajnë me gurë Policinë, përveç atyre që duartrokasin kur digjet një polic.
Kushdo tjetër është i mirëseardhur, ose te kushdo tjetër jam gati të shkoj dhe të dëgjoj dhe të kuptoj se si dhe ku gjendet kjo zgjidhje.
Por zgjidhje politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të njomit me të thatin, gjoja në emër të qetësisë, në emër të dashurisë, në emër të paqes, nuk ka dhe nuk ka.
Jo se s'dua unë. Nuk është këtu pushteti im personal. Nuk ka lidhje fare. Unë nuk e kam pushtet personal. Për mua zyra e Kryeministrit nuk është vend pune.
Jam ngarkuar nga 800 e kusur mijë shqiptarë, në bazë të një kontrate që mbaron në 2029, për të bërë një punë. Unë nuk i kam lëvizur asaj kontrate dhe deri tani të gjitha programet e reja të premtuara janë vënë në lëvizje.
Dhe ne, ndërkohë, A-ja dhe Z-ja e gjithë kësaj historie, aty ku faktikisht bashkohen të gjitha të këqijat dhe të mirat ballë për ballë, nuk kemi lëvizur asnjë metër nga objektivi dhe nga rruga për ta ngritur flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit atje në Bruksel, në oborrin e shtëpisë europiane.
Aty ku do të shpëtojë Shqipëria njëherë e mirë nga ajo dorë që e përndjek që nga 1912-a dhe që e kap për fyti sa herë Shqipëria tenton të ngrihet, sa herë ngre kokën, sa herë Shqipëria del pak mbi sipërfaqe, ndërkohë që sot kemi dalë shumë mbi sipërfaqe.
Në atë bulevard, në atë shesh ku dje Policia u dhunua nën duartrokitjet e ekraneve të korruptuara, u mblodh gjithë Europa dhe do të mblidhet NATO vitin tjetër.
Kush e do këtë përveç nesh dhe përveç miqve tanë? Kush e do këtë? Kush e do Shqipërinë që të mbledhë këtu gjithë NATO-n dhe të bëhet qendra e botës edhe një ditë tjetër?
E duan armiqtë e këtij vendi? E duan armiqtë e Europës? E duan armiqtë e demokracisë? Në asnjë mënyrë, jo!
Por Shqipëria dhe shqiptarët, meqë i kanë pasur gjithmonë vegla qorre të gatshme për t'i shërbyer qorrazi çdo lloj force dhe çdo lloj interesi antikombëtar, edhe pa e ditur fare se çfarë bëjnë.
Qysh nga 1912-a, gjithmonë janë gjendur këtu brenda nesh ata të cilët u kanë shërbyer të tjerëve pa kuptuar fare se çfarë bëjnë.
Nuk ka nevojë të jesh agjent sot, i paguar, që merr para që të thonë: "Dil atje, bëj". Nuk ka nevojë fare, hiç, se ka zell të madh, ka urrejtje, ka mllef, ka revansh, ka zili.
Të gjitha këto mjaftojnë që ti të vihesh në shërbim qorrazi edhe të armikut tënd, vetëm e vetëm që ta shohësh vëllain tënd përtokë.
Shtëpinë mund ta rrënosh, vetëm e vetëm sepse Shqipëria është e mirë vetëm kur është e jotja", tha Rama.

Kryeministri Edi Rama kritikoi protestuesit e dhunshëm, duke pyetur se si mund të jenë ata zëri i së ardhmes, kur djegin e shkatërrojnë. Rama tha se kostoja e jetesës nuk ulet duke djegur makina e sulmuar biznese, ndërsa theksoi se nga taksat e kullave ndërtohen shkolla dhe banesa sociale.
Pashë dje një vajzë nën uniformë, e cila ruante shtetin në bulevard. Kishte përballë një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami, edhe me kufje në vesh, që i drejtohej vajzës nën uniformë me një fjalor rrugaçëror prej burrash të dehur. Një nga simbolet e protestës.
Si mund të jemi ne, si mund të jetë shoqëria shqiptare sot e gatshme ta justifikojë, e jo më ta tolerojë, këtë flamë vulgariteti?
E dinë mirë drejtuesit këtu se çfarë lexojnë në ato rrjetet e tyre të brendshme, se çfarë gjuhe: "Hajde sot do djegim gjithë pemët e Tiranës. Hajde sot do shkatërrojmë gjithë makinat e Tiranës".
Si mund të jenë këta zëri i së ardhmes? Si mund të jenë këta thirrja e diçkaje të re?
Këta ulin koston e jetesës? E dimë të gjithë shumë mirë dhe besojeni që e dimë, po aq sa dini ju, edhe pse ju e keni në të përditshmen tuaj më shumë sesa unë, peshën e kostos së jetesës.
Po do të ulet kostoja e jetesës duke djegur e duke shkatërruar? Do të vijnë paga më të mira duke thyer banka e duke djegur makina? Do të ketë strehim më të përballueshëm duke sulmuar bizneset dhe duke sulmuar kullat?
"Hajde të shkojmë", thoshin, "të shkatërrojmë edhe dje kokën e Edi Ramës atje", se e kanë bërë edhe kokën time atë godinën atje.
Po e dinë, nuk e dinë se sa taksa paguhen për ta ndërtuar atë godinë? E dinë? Jo, nuk e dinë.
Që me taksat e asaj godine dhe me përqindjen që nga ajo godinë del për strehim, ndërtohen pesë shkolla të reja. Pesë shkolla të reja ndërtohen!
Janë 3 milionë euro taksa dhe 3% shkon për strehim, që janë 18 apartamente për njerëzit që kanë nevojë për një strehim të përballueshëm dhe social.
Si dalin taksat? Nga dalin? E kanë bërë ndonjëherë llogarinë këta se si financohen të gjitha këto që ndërtohen në Tiranë? Shkolla, rrugë, trotuare, semaforë, pemë që mbillen dhe të gjitha, të gjitha me radhë.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se familjet e të miturve që marrin pjesë në aktet e dhunës gjatë protestave do të mbajnë përgjegjësi financiare për dëmet e shkaktuara, nëse nuk marrin përgjegjësinë për fëmijët e tyre. Rama tha se edhe studentët që lënë shkollën për të sulmuar efektivët e Policisë do të përballen me pasoja administrative, duke paralajmëruar se nuk do të përfitojnë më arsim falas, bursa apo mbështetje financiare nga shteti.
"Kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi, do të paguajë. U them të gjitha familjeve të atyre të miturve: Do të paguani në rast se nuk do të mbani përgjegjësinë tuaj për ata fëmijë, në rast se nuk dini ju t'i mbroni fëmijët tuaj dhe i lini rrugëve, nga 15, 14, 13 apo 16 vjeç, që të marrin rolin e mburojës së atyre të tjerëve që janë mbrapa. Atëherë, fatura financiare për të gjitha këto dëme do t'ju përndjekë deri në fund.
U them të gjithë atyre të tjerëve që ikin nga shkolla për të dhunuar Policinë, që nuk do të kthehen në shkollë normalisht, pa pasoja administrative për këtë. Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti.
Nëse duan të vazhdojnë universitetin, pasi kanë hedhur gurë ndaj prindërve të fëmijëve të tjerë të Shqipërisë, që janë fëmijët e efektivëve të Policisë apo që janë fëmijët e kujtdo që është në anën e shtetit, asnjë kokërr leku nuk do të marrin ata nga taksat e shqiptarëve, për asgjë.
Sepse me taksat e shqiptarëve do të riparojmë trotuaret, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë semaforët, me taksat e shqiptarëve do të riparojmë kamerat që ata shkatërruan, tabelat, stolat. Me taksat e shqiptarëve do të zëvendësojmë pemët.
Nuk do të paguajmë nga taksat e shqiptarëve për ca djem dhe vajza që kujtojnë se u bë deti kos për Antifa-n dhe për gjithë çfarëdolloj delirantësh.
Edhe për gropën e madhe të fshehjes së të ardhurave të shtetit, News24, pronari i së cilës duhet të jetë përpara drejtësisë dhe për të cilin janë kapicë dosjet për evazion fiskal me miliona e miliona euro, dhe të cilit Prokuroria e Tiranës i ka dhënë imunitet, apo për lavatriçen e parave të zeza, Syri-n, burimet e propagandës më të shëmtuar kundër Policisë së Shtetit.
Si do t'i dorëzohet shteti, si do t'i dorëzohet qeveria, si do t'i dorëzohet Parlamenti, si do t'i dorëzohet Shqipëria këtij vulgariteti, kësaj të keqeje, këtyre që qajnë për studentët, këtyre që duan arsim më të financuar dhe që të tërë... Më saktë, ndjesë për futjen e të gjithëve në një thes, se s'janë të gjithë në një thes, por shumica e tyre marrin paratë nën dorë, grabisin pensionet, nuk deklarojnë të ardhurat, sepse janë të ardhura nga paratë e zeza për të bërë analiza dhe deklarojnë sikur janë punonjës në fason, dhe pastaj u qajnë hallin punonjësve në fason.
Ju qajnë hallin pensionistëve, duan më shumë për pensionistët dhe nuk kanë zemër që të kontribuojnë të paktën me tatimin mbi pagën e tyre të vërtetë në të zezë", tha Rama.
Kryeministri Edi Rama thotë se shteti do ta fitojë betejën përballë protestave të dhunshme, ndërsa paralajmëroi se kush mendon se mund të marrë pushtetin përmes dhunës, do të zhgënjehet.
Nuk diskutohet që shteti do ta fitojë këtë betejë dhe nuk diskutohet që kush mendon se e vuri shtetin përpara dhe kush mendon se do të marrë pushtetin me dhunë, do të zhgënjehet.
Por nuk diskutohet që kush i është vënë në dispozicion këtij plani ogurzi për Shqipërinë, për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë dashakeqësit e Shqipërisë, për të cilin fërkojnë duart në radhë të parë forcat që nuk e duan Shqipërinë me kokën lart në këtë rajon, ku kemi qenë për shekuj me radhë të poshtëruar.
Nuk e duan Shqipërinë që të kryesojë rajonin në shumëçka. Nuk e duan Shqipërinë që të ketë 12, 13, 20 milionë turistë. E duan Shqipërinë që të mos vijë askush këtu, siç ndodhte më përpara, kur numëroheshim për turistë kur hynim dhe dilnim ne…
Kryeministri Edi Rama njoftoi se çdo efektiv policie i angazhuar në përballjen me protestat e dhunshme do të përfitojë menjëherë një shpërblim prej 2500 eurosh.
“Familjet tuaja meritojnë solidaritet, meritojnë respekt dhe, fatmirësisht, ministri e ka thënë më parë. Nuk është diçka që po e themi sot si rezultat i kësaj që po ndodh, sepse jemi ulur përpara disa javësh, tani që po përgatisim buxhetin e ri.
Dhe jua ka thënë, e ka thënë edhe publikisht, që ne do ta rrisim në mënyrë të konsiderueshme pagën tuaj. Sepse, për hir të së vërtetës, duhet thënë se në krye të herës, kur Policinë e gjetëm të tradhtuar dhe të braktisur, me disa këtu që shtynin makinat sepse u mbaronte karburanti në rrugë, bëmë një rritje të konsiderueshme atëherë për t'i thënë Policisë që ju jeni themeli i shtetit.
Por, në vite, e vërteta është që nuk e kemi rritur aq sa duhet pagën tuaj dhe për këtë arsye po bisedonim përpara disa javësh. Kështu që, me buxhetin e ri, nga 1 janari, paga juaj do të rritet në mënyrë të konsiderueshme.
Por, nga ana tjetër, për të gjithë rezistencën, për të gjithë sakrificën, për të gjithë kurajën dhe, mbi të gjitha, për dinjitetin me të cilin ju po u dilni përballë jo vetëm këtyre, por edhe atyre që nëpër ekrane masakrojnë Policinë e Shtetit, nëpër ekrane fajësojnë Policinë e Shtetit, nëpër ekrane kërkojnë që Policia e Shtetit të dorëzohet, ne do t'ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front.
Sepse keni jo vetëm presion, por keni edhe nevojë për të shpenzuar në këtë moment për gjëra ekstra dhe e vendosëm kështu për të mos bërë asnjë diferencë.
Nuk e vendosëm sipas pagës, por e vendosëm kështu. E njëjta shumë për të gjithë, sepse në këtë moment jeni të gjithë një dhe një për të gjithë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka komentuar mbështetjen e ideologut të Vladimir Putinit, Aleksandër Dugin, për protestat në Shqipëri, duke thënë se nuk është rastësi që ai përshëndet ata që, sipas tij, i kundërvihen rendit demokratik europian.
"Armiqtë e Shqipërisë, dashakeqësit e Shqipërisë. Rusia nuk është aleate e Shqipërisë. Rusia nuk është partnere e Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që e do Shqipërinë më të mirë, që e do Shqipërinë stabël, që e do Shqipërinë me investime, që e do Shqipërinë me ekonomi, që e do Shqipërinë në Bashkimin Europian, që i do studentët shqiptarë të barabartë me studentët e të gjithë Europës, për të cilët çdo universitet, si në Tiranë, si në Varshavë, si në Bruksel apo në Paris, të jetë universiteti i një studenti europian me pasaportën europiane. Rusia nuk i do të gjitha këto dhe nuk është aspak rastësi që babai ideologjik i Vladimir Vladimiroviçit atje në Kremlin del dhe përshëndet kombin shqiptar, përshëndet kombin shqiptar të ortodoksëve dhe të sufistëve, që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i kundërvihen rendit demokratik europian", tha Rama.

Kryeministri Edi Rama i cilësoi protestuesit e maskuar si njerëz që adhurojnë dhunën, molotovët dhe kaosin, ndërsa tha se ata kanë nevojë për psikolog.
"Nuk ka dalë të himnizojë dhunën, gurin, drurin, hurin e një mase kapuçzinjsh të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë, pas të cilëve nuk ka të reja dhe të rinj që duan një Shqipëri më të mirë, por ka vetëm qorra, njerëz pa shkollë, njerëz që nuk dinë as nga vijnë, as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë këtë, adhurojnë molotovin, adhurojnë ato llastiqet me vida, me të cilat godasin kafkat e policëve, adhurojnë rrëmujën dhe kaosin.
Dhe pastaj u turren dyqaneve si brumbuj që brejnë jetën, brejnë djersën, brejnë gjakun e familjeve që jetojnë me ato dyqane.
Si mund të përkrahet, si mund të himnizohet, si mund të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikolog, e cila ka nevojë për t'u trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash dhe djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohin në ekranin e telefonit se si disa të tjerë e disa të tjera, që jetojnë me online-in dhe marrin e bëjnë nga dhjetëra mijëra euro në muaj pa paguar asnjë taksë, mund të hanë e të pinë, të vishen e të jetojnë në luks.
Dhe ata pastaj përdoren nga këto forca të tjera, nga Antifa, nga shërbime të huaja dhe nga armiqtë e Shqipërisë", tha Rama.

Kryeministri Rama po mban një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit.
"Rezistenca juaj i bën nder Republikës. Pashë dje një police, që kishte një tjetër vajzë, të veshur e të mbathur nga koka te këmbët si e dalë nga Instagrami e me kufje në vesh, që i kthehej vajzës me uniformë me fjalor rrugaçëror, prej burrash të dehur. Ja simbolet e protestës. Shoqëria shqiptare nuk mund ta tolerojë këtë flamë vulgariteti. Dua të shpreh solidaritet me të gjithë efektivët dhe familjet e tyre”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama thotë se këta që po përmbysin vendin nuk mund të jenë studentë
“Kjo nuk është revoltë për arsimin. Ishin 20 mijë nxënës, e bllokuan i bllokuan universitetet, e bllokuan mësimin, por ishin paqësorë dhe kishin kërkesa për universitetin. Çfarë studentësh janë këto? Si mund të jenë studentë këta që adhurojnë gurin, që duartrokasin djegien e policit, me djegien e bizneseve, që duartrokasin djegin e bankave, si mund të jenë studentë. Këta nuk janë studentë. Këta nuk ka si të jenë studentë, edhe pse mund të jenë regjistruar në shkollë. Vullneti i popullit do kthehet përmbys?”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se Partinë Demokratike se u dha strehim politik protestuesve të dhunshëm, ndërsa tha se të miturit po përdoren si “mish për top” në përplasjet me Policinë. Sipas Ramës, ata që qëndrojnë pas protestave ëndërrojnë që një efektiv policie t'i marrë jetën një të mituri, për të rikthyer një tjetër 21 Janar dhe për të vendosur shenjën e barazimit mes qeverisë së tij dhe atyre që, siç tha, vrisnin protestues në bulevard.
"Ata që mbrëmë u dhanë strehim politik, duke bërë të njëjtën gjë edhe kur ishin në kohë të tjera, refuzimin për ta lënë Policinë të bëjë punën e vet. Por s'e kishin deri në fund kurajën të bënin këtë që po bëjnë sot.
U gjetën të miturit, që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top, duke ëndërruar që një polici t'i shpëtojë dora dhe t'i marrë jetën një të mituri, që pastaj të justifikohet e keqja edhe më e madhe.
Duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë 21 Janari, për të bërë shenjën e barazisë mes meje dhe nesh, që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndërruar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në bulevard i vrisnin protestuesit.
Dinjiteti me të cilin ju po i rezistoni kësaj flakë, kësaj lodhjeje, dhe kuraja me të cilën ju po i qëndroni këtij presioni, i bën nder uniformës suaj, shtetit shqiptar dhe është borxh që të gjithë qytetarët e kthjellët dhe familjet e zakonshme të këtij vendi, që sot duan të shkojnë në punë, nuk duan të rrinë para televizorit, nuk duan të jenë nën presionin e lloj-lloj analistësh që u tregojnë se Policia po gjuan me gurë protestuesit, ua kanë borxh", tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se të rinjtë që marrin pjesë në protestat e dhunshme janë të ideologjizuar dhe të ekstremizuar nga fryma e Antifa-s, të cilën, siç theksoi ai, presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur organizatë terroriste. Rama u shpreh se kjo nuk do të thotë që të rinjtë janë terroristë, por se janë pengje të një ideologjie që synon të shkatërrojë dhe të përmbysë gjithçka.
"Natyrisht që kjo nuk do të thotë aspak që kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak ata që protestojnë paqësisht, sepse edhe vajzat dhe djemtë që i bashkohen këtij, në thelb nuk duan paqe, duan përmbysje. Janë të rinj e të reja të ideologjizuar, të ekstremizuar, nën trysninë apo nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka shpallur organizatë terroriste, Antifa-n. Organizatë terroriste e ka shpallur presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Kjo nuk do të thotë që vajzat dhe djemtë që mendojnë se jeta është TikTok dhe se me TikTok dhe pa lidhur dot shtatë fjalë bashkë mund ta bëjnë Shqipërinë më të mirë, janë terroristë. Aspak! Janë studentë dhe studente? Po, patjetër. Janë nxënës dhe nxënëse? Po, patjetër. Por janë pengje të një fryme, të një ideologjie të re, e cila ka vetëm një mision: shkatërro, ktheje të gjithën përmbys, rrëno gjithçka. Bëje rrafsh se do ta fillojmë nga e para.
Ata që janë këtu pak më në moshë i kanë ende kujtimet e asaj kohe nga ku ne dolëm pas 50 vitesh iluzion se do bëhej rrafsh dhe do fillonte nga e para. Kështu që, po, është fatkeqësi shumë e madhe. Unë do ta quaj një fatkeqësi kombëtare sot që forcat e Policisë, që djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë dhe, mbi të gjitha, të gjithë ju nën uniformë që jeni aty për të mbrojtur shtetin, jeni jo vetëm nën sulmin e gurëve, por jeni edhe nën sulmin e ekraneve.
Kjo është absolutisht rrëqethëse, pasi, siç e tha ministri, kjo po ndodh në Francë, kjo po ndodh në Itali, kjo po ndodh në Portugali, kjo po ndodh në Belgjikë. Kjo paralajmërohet se do të ndodhë kudo, por në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve. Nuk ka dalë t'u bëjë hyzmet flakëve mbi institucione", tha Rama.

Kryeministri Rama tha se me gurë nuk negociohet.
“Po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria. Kam ardhur sot prapë me këtë me vete, duhet ta mbash me vete, ta peshosh, sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve me uniformë dhe çfarë mund të bëjë mbi këdo. Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë, logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë s enjë herë, pasoja janë plagë që duhen vite për t’u shëruar. Nuk do të thotë aspak se kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën frymëzimn e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europe dhe SHBA, që presidenti e ka shpallur organizatë terroriste, Antifën. Ata janë peng i një ideologjie të re, shkatërro gjthçka”, theksoi ai.









Komente
Komento