BRUKSEL - Ukraina u kërkoi evropianëve një kredi shtesë prej dy miliardë eurosh, një shumë që i kërkohet nga Rusia deri në fund të muajit tetor për rifillimin e livrimeve të gazit, ndërprerë në muajin qershor, theksoi sot Komisioni Evropian.
"Kjo kërkesë do të shqyrtohet me FMN-në dhe autoritetet ukrainase", shtoi një zëdhënës i Komisionit Evropian, Simon O'Connor, ndërkohë që vazhdon në Bruksel një takim mes BE-së, Ukrainës dhe Rusisë për të garantuar furnizimin e Ukrainës dhe evropianëve me gaz rus gjatë dimrit.
"Komisioni do të bëjë një propozim në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin Evropian, që përfshin shtetet anëtare, në bazë të këtij vlerësimi. Ai mbetet shumë i angazhuar për të mbështetur Ukrainën", shtoi Connor.
Me ndihmën e Bashkimit Evropian, Kievi dhe Moska po diskutojnë aktualisht për një marrëveshje të përkohshme që parashikon shlyerjen nga ana e Ukrainës të 3,1 miliardë dollarëve nga faturat e papaguara ndaj gjigantit rus Gazprom, dy miliardë prej të cilave para fundit të muajit tetor./ATSH/