Nga flamingoja e protestave kundër investimit të Jared Kushner në Zvërnec, te karriget e “Dialogut” përpara Kryeministrisë. Edi Rama ka zgjedhur një tjetër simbol për profilin e tij në Facebook, duke e vendosur ftesën për dialog me protestuesit në qendër të mesazhit të tij politik, në një kohë kur ata vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e tij.

Kryeministri ka zëvendësuar foton e profilit dhe kopertinën me pamje të karrigeve me mbishkrimin “Dialog”, të cilat prej dy ditësh i ka vendosur në bulevard, përpara zyrës së tij. Deri pak kohë më parë, në foton e profilit mbante imazhin e një flamingoje, e cila u bë simbol i protestave kundër  investimit të Jared Kushner në Zvërnec, që zgjatën mbi 140 ditë në Tiranë.

E teksa Tirana sërish nuk gjen qetësi si pasojë e protestave, Rama ka dy ditë që u ka ofruar protestuesve të ulen për të diskutuar pa kushte, duke përjashtuar nga ftesa ata që ushtrojnë dhunë. Protestuesit, nga ana tjetër, e kanë refuzuar ofertën dhe kanë këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e tij, ndërsa disa prej karrigeve janë përmbysur dhe shkatërruar.

Me këtë ndryshim, Rama e zhvendos përballjen simbolikisht edhe në rrjetet sociale. Në vend të flamingos, tashmë në krye të profilit të tij qëndrojnë karriget e “Dialogut”, përmes të cilave kryeministri kërkon të theksojë se ftesa për bisedime mbetet e hapur, pavarësisht refuzimit të protestuesve.