Mijëra studentë dhe mësues marshuan këtë të mërkurë në kryeqytetin grek, Athinë, për të protestuar kundër kostos së lartë të jetesës dhe për të kërkuar më shumë investime shtetërore në arsim.
Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Greqisë, përfshirë Selanikun në veri dhe qytetin port të Patrës në perëndim.
Sipas agjencisë Associated Press, rritja e çmimeve, përfshirë karburantet, gjendja e shkollave dhe mungesa e banesave me qira të përballueshme për studentët kanë nxitur protesta në disa vende të Europës. Në Francë, Itali dhe Shqipëri, disa prej demonstratave janë shoqëruar edhe me dhunë.
“Nga Greqia në Francë, jepni para për arsimin”, shkruhej në një nga pankartat e protestuesve në Athinë. Të tjerë mbanin pankarta në gjuhën frënge me mbishkrimin: “Të studiojmë apo të mbijetojmë?”.
Studenti 20-vjeçar i inxhinierisë, Panagiotis Moschonas, kritikoi qeverinë konservatore greke, duke e akuzuar se nuk ka marrë masa për t'i ndihmuar studentët të përballojnë shpenzimet e jetesës.
“Qeveria pretendon se po i ndihmon studentët me një subvencion qiraje prej 120 eurosh në muaj. Kjo shumë nuk mjafton as për gjysmën e qirasë dhe, për më tepër, jepet në fund të vitit”, tha ai.
Marshimi u ndoq nga afër nga forcat e policisë, ndërsa efektivët kryen kontrolle të rastësishme dhe kontrolluan çantat e personave që po shkonin drejt protestës.
Duke qenë se demonstratat në Greqi shpesh janë shoqëruar me dhunë, dyqanet dhe kafenetë përgjatë itinerarit të marshimit ulën qepenat metalikë për të mbrojtur xhamat nga dëmtimet e mundshme.
Ndërkohë, mësuesit shpallën grevë për këtë të mërkurë, megjithëse disa shkolla qëndruan të hapura.
“Sot jemi në grevë sepse kjo situatë nuk mund të vazhdojë më për familjet tona. Çmimet janë të larta, po përpiqemi me vështirësi t'ia dalim deri në fund të muajit, ndërsa gjendja në shkolla po përkeqësohet gjithnjë e më shumë nga viti në vit”, deklaroi mësuesi Ioannis Rompas.









Komente
Komento