BRUKSEL, 3 tetor /ATSH-AFP/ - Komisioni Evropian i hapi sot dritën e gjelbër, pa kushte, blerjes për 19 miliardë dollarë të shërbimit të mesazheve për smartfonët  "WhatsApp" nga gjiganti amerikan Facebook.
"Studimi i komisionit, mbrojtës i konkurencës në Evropë, ka treguar se entiteti i unifikuar do të vazhdojë të përballet me një konkurencë të mjaftueshme", sipas një komunikate të publikuar nga Brukseli.
"Edhe pse "Facebook Messenger" dhe "WhatsApp" janë dy aplikacionet më popullore, pjesa më e madhe e njerëzve nuk përdorin një aplikim të vetëm komunikimi, por disa", theksoi në një komunikatë komisioneri evropian i ngrarkuar me Konkurencën, Joaquin Almunia.
"Ne kemi shqyrtuar këtë projekt të blerjes me shumë kujdes dhe arritëm në përfundimin që nuk do të ndërhynte në lojën e konkurencës të këtij tregu dinamik dhe në zgjerim të plotë.
"Ky zgjerim karakterizohet nga cikle të shkurtra të inovacionit që çrregullojnë shpesh qëndrimet në treg", theksoi gjithashtu Komisioni.
Mes aplikimeve konkuruese bëjnë pjese veçanërisht Line, Viber, iMessage, Telegram, WeChat dhe Google Hangouts.
Facebook kishte njoftuar në muajin shkurt qëllimin për të riblerë "WhatsApp" për 19 miliardë dollarë. Operacioni mori miratimin nga autoritetet amerikane të konkurencës në muajin prill. WhatsApp numëron rreth 600 milionë përdorues ndërkohë që Facebook, rrjeti i parë social në botë, numëron rreth 1,3 miliardë anëtarë aktiv, rreth 300 milionë prej të cilëve përdorin aplikacionin Facebook Messenger./
/ec/  a.jor.