BRUKSEL, 7 korrik /ATSH-ANSA/ - Komisionerja e Punëve të Brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrom mohoi sot se Brukseli e kishte braktisur Italinë për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe pranoi se shtetet e tjera anëtare mund të bënin më shumë për ta ndihmuar. "Eshtë e padrejtë të thuhet se Evropa e ka braktisur Italinë. Shtetet anëtare mund të bëjnë më shumë për të ndihmuar Romën që të përballojë fluksin e dhjetëra mijëra imigrantëve nga Afrika Veriore që vijnë çdo vit në Siçili", deklaroi Malmstrom. Ajo bëri thirrje për diskutime rreth imigracionit në një takim jozyrtar ministrave të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë të BE-së që do të zhvillohet nesër dhe pasnesër në Milano. Ajo kujtoi se Italia ka marrë nga BE-ja rreth 500 milionë euro për lehtësimin e imigracionit të këtij viti deri në vitin 2020 dhe se Italia do të ishte përfituesi më i madh i fondeve nga Brukseli për politikat e imigracionit. "Krahas angazhimit për të përforcuar operacionet e rojave doganore evropiane, FRONTEX dhe të përpjekjeve për të përkrahur operacionin e Marinës Italiane si mjet shërues ne jemi duke u bërë thirrje vendeve të tjera anëtare për të ndarë peshën pritëse të refugjatëve dhe në të janë gjithashtu të përfshirë me vendet e treta, që të bashkëpunojmë duke u përpjekur për të menaxhuar imigracionin", tha ajo. "Takimi i ministrave të BE-së do të ndihmojë vendet e tjera të kenë ide më të qarta rreth nevojave të Italisë", theksoi Malmstrom. "Ne e dimë presionin e madh që i ushtrohet Italisë dhe jemi të vetëdijshëm për punën madhështore që Italia bën çdo natë për të shpëtuar jetë", shtoi ajo./ /l.q/ a.jor.