BRUKSEL - Kthimi i Greqisë në normalitet faktikisht ka filluar, deklaroi kryeministri grek, Antonis Samaras, pak pas përfundimit të samitit të vendeve të zonës euro duke vënë në dukje se negociatat po vazhdonin në të gjitha nivelet dhe se asgjë nuk ishte mbyllur.
"Të gjithë e pranojnë se Greqia ka arritur shumë gjëra dhe se ajo po kthehet dalëngadalë në normalitet", theksoi kryeministri grek.
Samaras përsëriti se Greqia po diskuton me kreditorët për të ardhmen pas përfundimit të memorandumit.
"Ajo që kërkohet është që vendi të përparojë, nga prova e madhe që kaloi populli grek në periudhën e fundit, në një rrugë të sigurtë", theksoi Samaras.
Ai shtoi se do të ishte një mrekulli nëse brenda vendit ekzistonte konsensus më i madh dhe nëse partia më e madhe opozitare mbante një qëndrim më konstruktiv.
Kryeministri grek pati edhe një përplasje verbale me kryeministrin e Britanisë së Madhe, David Cameron, kur prezantoi qëndrimet e përbashkëta të Greqisë dhe Qipros, me qëllimin që këto qëndrime të përfshiheshin në tekstin e konkluzioneve të samitit./ATSH/