BRUKSEL, 18 dhjetor /ATSH-AFP/ - Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Donald Tusk u shpreh sot për një strategji të vendosur dhe të përgjegjshme nga Bashkimi Evropian përballë Rusisë në konfliktin ukrainas.
"Duhet të japim sinjale të qarta se ne jemi të gatshëm për të mbështetur Ukrainën edhe financiarisht", deklaroi kryeministri polak, i cili drejton samitin e parë në Bruksel .
"Ne e kemi bërë këtë politikisht duke bërë më efikase sanksionet tashmë ekzistuese në Krime dhe Sebastopol", shtoi ia, ndërkohë që 28 vendet e Bashkimit Evropian kanë dhënë mbështetjen e tyre për masat e reja të vendosura një muaj më parë dhe që kanë prekur veçanërisht të gjitha investimet në këtë gadishull ukrainas, aneksuar në muajin mars nga Rusia.
"Situata kërkon reagime të menjëhershme, por ne nuk do të gjejmë zgjidhje afatagjata për Ukrainën pa një strategji adekuate dhe solide, të vendosur dhe të përgjegjshme përballë Rusisë", theksoi Tusk, ndërkohë që drejtuesit evropianë do të diskutojnë për këtë çështje në mbrëmje.
"Një Ukrainë moderne, e qëndrueshme dhe e pavarur do të jetë dhe duhet të jetë e bazuar në këtë strategji të re. Ky është shkaku për të cilin ky diskutim do të jetë kaq i rëndësishëm, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë Evropën", theksoi ai./
/ec/










