BRUKSEL, 17 shtator /ATSH-AFP/ - Një samit i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian për refugjatët do të organizohet më 23 shtator në Bruksel për t'i bërë ballë krizës së imigracionit, më e rënda e ndodhur në Evropë që prej vitit 1945, njoftoi sot presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Kërkuar veçanërisht nga Gjermania, ky samit do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në orën 16:00 GMT, pas një këshilli të jashtëzakonshëm të ministrave të Brendshëm për të njëjtën çështje, theksoi Tusk në rrjetin social Twitter.
Shtetet anëtare duhen të bien dakord për shpërndarjen e 120 000 refugjatëve mes vendeve të Bashkimit Evropian për të lehtësuar Italinë, Greqinë dhe Hungarinë që po përballen me një fluks të pazakontë azilkërkuesish.
Pjesa më e madhe e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian janë dakord me këtë masë urgjente, por disa vende kundërshtojnë këtë plan për rilokalizimin dhe veçanërisht karakterin detyrues të kuotave të shpërndarjes që kërkon të vendosë Komisioni Evropian./
/ec/









