Pas më shumë se 10 vitesh negociata, përplasje dhe propozime të bllokuara, Bashkimi Europian mund të jetë pranë një vendimi që prek drejtpërdrejt miliona pasagjerë. Këtë javë, institucionet europiane do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje për reformimin e rregullave që përcaktojnë të drejtat e udhëtarëve në transportin ajror.
Në qendër të debatit është një pyetje e thjeshtë: kur duhet të kompensohet një pasagjer për vonesën e fluturimit?
Sot, rregullat europiane parashikojnë që pasagjerët të marrin nga 250 deri në 600 euro kompensim nëse fluturimi i tyre vonohet të paktën tre orë. Megjithatë, shumë vende të BE-së dhe vetë industria e aviacionit argumentojnë se sistemi aktual nuk funksionon siç duhet.
Komisioni Europian kishte propozuar që në vitin 2013 një reformë të gjerë, ku një nga ndryshimet kryesore ishte rritja e pragut minimal të vonesës për kompensim. Ideja ishte që kompanitë ajrore të paguanin më pak kompensime për vonesat më të shkurtra, ndërsa në të njëjtën kohë të forcoheshin të drejtat e pasagjerëve në fusha të tjera.
Por propozimi nuk kënaqi askënd.
Sipas ish-komisionerit europian për Transportin, Siim Kallas, i cili e hodhi fillimisht në tryezë reformën, kritikat erdhën nga të gjitha anët. Disa e konsideruan paketën shumë të favorshme për kompanitë ajrore, ndërsa të tjerë pretenduan se nuk i ndihmonte mjaftueshëm ato.
Për më shumë se një dekadë, negociatat mbetën në vendnumëro. Situata ndryshoi vitin e kaluar, kur shtetet anëtare arritën me vështirësi të bien dakord për një qëndrim të përbashkët dhe vendosën të përshpejtojnë procesin.
Sipas propozimit të tyre, kompensimi nuk do të jepet më pas tre orësh vonesë. Kufiri do të rritet në katër orë për fluturimet deri në 3,500 kilometra ose brenda Bashkimit Europian dhe në gjashtë orë për fluturimet më të gjata.
Në këmbim, kompanitë ajrore do të detyrohen të ofrojnë formularë automatikë për kërkesat e kompensimit në rast anulimi të fluturimeve, duke e bërë më të lehtë për pasagjerët të kërkojnë të drejtat e tyre.
Organizatat e konsumatorëve thonë se ky ndryshim nuk mjafton për të kompensuar humbjen e të drejtave ekzistuese. Sipas tyre, një pjesë e madhe e udhëtarëve nuk arrijnë të marrin kompensimet që u takojnë për shkak të mungesës së informacionit dhe procedurave të komplikuara.
Nga ana tjetër, Parlamenti Europian ka zgjedhur një linjë më të ashpër. Eurodeputetët kërkojnë që kufiri aktual prej tre orësh të mbetet i pandryshuar dhe e kanë bërë këtë një nga vijat e kuqe të negociatave.
Por përplasja nuk kufizohet vetëm te kompensimet.
Një tjetër debat i madh lidhet me bagazhet e dorës. Parlamenti kërkon që pasagjerët të kenë të drejtën të marrin falas në avion edhe një bagazh dore më të madh, përveç çantës së vogël që vendoset poshtë sediljes.
Kjo ide ka hasur në kundërshtimin e fortë të kompanive low-cost, të cilat e konsiderojnë tarifimin e bagazheve një pjesë të rëndësishme të modelit të tyre të biznesit. Sipas tyre, nëse bagazhet shtesë bëhen falas, kostot do të transferohen te çmimi i biletave.
Paradoksalisht, kompanitë ajrore që prej vitesh kanë kërkuar ndryshimin e rregullave, tani po paralajmërojnë se një marrëveshje e keqe mund të jetë më e dëmshme sesa mungesa e saj.
Shoqatat kryesore të industrisë kanë kërkuar madje pezullimin e negociatave dhe realizimin e një analize të re të ndikimit ekonomik. Sipas tyre, rregullorja aktuale shton mesatarisht rreth 8 euro në koston e çdo bilete dhe kompromiset që po diskutohen mund ta rrisin më tej këtë barrë pa zgjidhur shkaqet reale të vonesave.
Në krahun tjetër qëndrojnë organizatat e konsumatorëve dhe kompanitë që merren me ndjekjen e kërkesave për kompensim, të cilat kundërshtojnë çdo reformë që mund të reduktojë të drejtat aktuale të pasagjerëve.
Tashmë koha po mbaron. Sipas procedurës së pajtimit mes Parlamentit dhe Këshillit Europian, negociatorët kanë një afat të kufizuar për të gjetur një kompromis. Zyrtarisht afati përfundon më 15 qershor, por burime të përfshira në bisedime thonë se praktikisht dita vendimtare është e marta.
Nëse deri atëherë nuk arrihet një marrëveshje, reforma mund të dështojë plotësisht, duke lënë në fuqi rregullat aktuale që përdoren sot nga miliona pasagjerë në të gjithë Europën.
Komente







