Sipas tij, këto zhvillime ndikuan në rënien e prodhimit të brendshëm bruto në tremujorin e parë të vitit dhe njëkohësisht vështirësuan veprimin e politikave stabilizuese mbi kërkesën agregate. Treguesit kryesore janë si më poshtë:
Inflacioni mesatar vjetor rezultoi 1.9% në tremujorin e dytë të vitit, duke u rritur me 0.8 pikë përqindje kundrejt tremujorit të parë. Rritja graduale e çmimeve të konsumit ka reflektuar kryesisht rritjen e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara, ndërkohë që çmimet e ushqimeve të përpunuara dhe ato të mallrave të konsumit joushqimor kanë ulur kontributin e tyre në inflacion gjatë tremujorit të dytë. Kategoritë e tjera të shportës së çmimeve të konsumit kanë pasur një ecuri të qetë dhe janë karakterizuar nga norma të ulëta inflacioni.
Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT-it, ekonomia shqiptare ka shënuar rënie vjetore prej 0.2% në tremujorin e parë të vitit. Tkurrja e aktivitetit ekonomik në këtë tremujor ka qenë më e theksuar në degën e industrisë, e cila ka shënuar rënie vjetore prej 19.3%, kryesisht si pasojë e uljes së ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike. Gjithashtu, edhe dega e ndërtimit ka regjistruar rënie të aktivitetit në terma realë, me 17.6%, duke dhënë një kontribut negativ në ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto. Nga ana tjetër, sektori i shërbimeve ka ndikuar pozitivisht në ecurinë e aktivitetit ekonomik, duke shënuar një rritje vjetore prej 6.0%. Gjithashtu, aktiviteti në sektorin e bujqësisë ka shënuar një rritje vjetore prej 4.5% gjatë kësaj periudhe, duke dhënë një kontribut pozitiv në rritjen e prodhimit të brendshëm bruto.
Bizneset shqiptare, sipas BSH, kanë parë pak hapësira për rritjen e investimeve të tyre në makineri, pajisje dhe hapësira prodhuese, ndërkohë që kërkesa për ndërtesa rezidenciale mbetet e dobët. Në të njëjtën kohë, kërkesa e huaj vlerësohet të ketë patur një ecuri të dobët në këtë tremujor, si pasojë e problemeve në eurozonë dhe në partnerët tanë kryesorë në tregtinë e huaj. Ecuria e dobët e kërkesës së huaj, si dhe problemet në prodhimin e energjisë elektrike, kanë përcaktuar rritjen e ngadaltë të eksporteve shqiptare.
Zhvillimet fiskale kanë përjetuar uljen e shpenzimeve buxhetore me 2.5% në gjashtë muajt e parë të vitit. Ndërkohë, të ardhurat fiskale janë rritur me 3.7% gjatë kësaj periudhe, duke vijuar të shfaqin dinamikë të ngadaltë të komponentit tatimor të tyre.
Të dhënat mbi zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë tregojnë për reduktim të shkëmbimeve tregtare në pesë muajt e parë të vitit. Eksportet në vlerë kanë shënuar një rritje të ulët vjetore, prej 1.3% gjatë kësaj periudhe, në reflektim të moderimit të kërkesës së huaj dhe ecurisë së çmimeve në tregjet botërore. Po për këtë periudhë, importet janë tkurrur me 2.0% në terma vjetorë.
Kredia për sektorin privat u rrit me 7.5% në muajin maj, duke ndjekur trendin e ngadalësimit të nisur që në fund të vitit të kaluar. Ecuria e saj, përveç kërkesës së ulët të bizneseve dhe individëve, reflekton edhe sjelljen e kujdesshme përzgjedhëse të bankave në kredidhënie.
Ecuria e kredisë është duke vuajtur gjithnjë e më shumë nga mungesa e kërkesës, e cila është diktuar nga hezitimi i konsumatorit dhe biznesit në kryerjen e shpenzimeve dhe investimeve.
(gk/gm/Shqiptarja.com)