TIRANE, 16 Korrik /ATSH/- Banka e Shqipërisë kostaton se biznesi dhe konsumatorët po rrisin besimin për përmirësimin e ekonomisë së vendit .
Treguesit i ndjesisë ekonomike në tremujorin e dytë të këtij viti është rritur me 5.6 pikë krahasuar me tremujorin e parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky rezultat u përcaktua nga rritja e besimit në të gjithë sektorët përbërës, përfshi industrinë, ndërtimin, tregtinë, shërbimet dhe besimin konsumator.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë u përmirësua me 5.6 pikë përqindje dhe, për të parën herë që prej vitit 2011, qëndron mbi mesataren afatgjatë. Në rritje ndikoi pozitivisht përmirësimi i ndjeshëm i balancës së prodhimit dhe shëndoshja e gjendje afatgjatë financiare të bizneseve në këtë sektor. Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve u rrit për të tretin tremujor radhazi.
Rritja e besimit në shërbime u përcaktua nga përmirësimi i gjendjes së përgjithshme të biznesit, i gjendjes financiare dhe i kërkesës. Treguesi i besimit në tregti vijoi të rritet edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, për të tretin tremujor radhazi dhe qëndron 8.4 pikë mbi mesataren afatgjatë. Përmirësimin në treguesin e besimit e përcaktoi vlerësimi më optimist i gjendjes së përgjithshme të biznesit dhe situatës së punësimit. Sipas vrojtmit te BSH-se, treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit shënoi një përmirësim të lehtë me rreth 1.7 pikë përqindje në tremujorin e dytë 2014, falë vlerësimeve më pozitive për ecurinë e kërkesës dhe të prodhimit në këtë sektor. e,xh/./a.g/