Fluksi i lartë i valutës në treg ka tejkaluar edhe ndërhyrjet e bankës qendrore. Raporti i fundit tregon se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti Banka e Shqipërisë ka blerë 663.6 milionë euro nga tregu, shifër që është më shumë se trefish më e lartë në raport me vjet kur në të njëjtën periudhë u blenë 194.8 milionë euro.

Kulmi i blerjeve është regjistruar në tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor) me 524 milionë euro, prej të cilave vetëm 143 milionë euro ishin për të përmbushur objektivin e Bankës së Shqipërisë për të rritur rezervën valutore, ndërsa pjesa tjetër prej 381 milionë euro ishte për të stabilizuar kursin e këmbimit.

Në raportin e bankës thuhet se nga janari deri në qershor janë blerë në total 476.5 milionë euro për realizimin e objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar.

Deri në fund të 2026-ës, do të zhvillohen 26 ankande për blerje valute, dhe synimi i Bankës së Shqipërisë është që këtë vit të blihet përmes ankandeve 330-450 milionë euro për rezervën valutore, ndërsa objektivi i vitit të kaluar ishte 270-350 mln euro.

Por për shkak të blerjeve të detyruara prej zhvlerësimit të fortë të euros e cila ka zbritur në 91 lekë, banka ka tërhequr më shumë valutë nga tregu, duke bërë që rezerva valutore të regjistrojë rekorde historike. Në gusht thotë banka qendrore rezerva valutore ka arritur në shifrën rekord prej 8.4 miliardë euro, nga 7 miliardë euro që ishte në gusht të vitit të kaluar.

Institucionet thonë se rënia ka ardhur si rezultat i hyrjeve të larta valutore nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja, dhe se ky forcim i lekut ka ndikuar pozitivisht në mbajtjen e inflacionit në kontroll. Por e kundërta ka ndodhur me eksportuesit që vijojnë të humbasin, por edhe me qytetarët që kursimet e tyre i kanë mbajtur në monedhën evropiane.

NDËRHYRJET NË TREGUN VALUTOR
Janar-Qershor 2025      194.8 mln euro
Janar-Qershor 2026      663.6 mln euro
Diferenca                    +468.8 mln euro