TIRANE- Ka mjaftuar vetëm një seancë që shqyrtimi gjyqësor ndaj ish guvernatorit Adrian Fullani, nën hetim për tenderin e Hotel Dajtit dhe vjedhjen e Thesarit të Bankës së Shqipërisë, të mbyllet. Vetë Fullani zgjodhi të mos ishte i pranishëm në seancë, ku gjykatësi Artan Gjermeni pranoi kërkesën e avokatit Maksim Haxhia për gjykim të shkurtuar. "Ardian Fullani është i pafajshëm, gjykimin e shkurtuar e kërkuam për ekonomi gjyqësore."-deklaroi avokati Haxhia.

Me kërkesën për gjykim të shkurtuar u pajtua dhe prokuroria, e cila nëpërmjet prokurorit Ndini Tavani kërkoi një afat të dytë për leximin e konkluzioneve të cilat do të jepen mesditën e 6 tetorit. Më 4 Gusht Prokuroria e Tiranës do të bënte publike dy akuzat që rëndojnë ndaj ish guvernatorit, duke e bërë atë përgjegjës me veprimet e mos veprimet që ndikuan tek vjedhja e 713 milionë lekëve dhe tenderi i blerjes së Hotel Dajtit nga qeveria Berisha për 30 milionë euro. Vetë Fullani ka mohuar akuzat duke pretenduar pafajësi.

Pesë shkeljet e Fullanit
Së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtëpërdrejtë administrimin, Mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare.

Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave.

Së treti: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.

Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.

Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.


Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)