Ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor do të rriten për gjatë vitit 2024 me qëllim rritjen e rezervës. Në total planifikohet të blihen së paku 250 milionë euro dhe vlera maksimale është 330 milionë euro, që është vlera më e lartë e blerjes së valutës në një vit.
Në kalendarin e miratuar nga banka qendrore, janë planifikuar të zhvillohen 20 ankande për të blerë euro në treg. Të gjitha ankandet janë midis vlerave 5-10 milionë euro.
Ndërhyrjet e para në treg do të bëhen në 16 shkurt 2024, ku do të kërkohet të blihen deri në 10 milionë euro, dhe kalendari i ankandeve planifikohet të mbyllet më 20 dhjetor 2024.
Ndërsa përgjatë vitit 2023 banka qendrore ka blerë rreth 290 milionë euro, me qëllim rritjen e rezervës valutore, dhe jo për të stabilizuar luhatjet në kursin e këmbimit dhe zhvlerësimit të euros e dollarit.
Banka thotë se e ka rishikuar kalendarin për rritjen e rezervës valutore bazuar në një metodologji të ndërtuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, bazuar në rreziqet me të cilat mund të përballemi në të ardhmen e që mund të kërkojnë përdorimin e rezervës. Në vitin 2024 rezerva pritet të arrijë në 6.3 miliardë euro, për tu rritur më tej në 7.4 miliardë euro në vitin 2026.