Banka e Shqipërisë i ka propozuar Ministrisë së Ekonomisë caktimin e një tavani për interesat e kredive konsumatorë të dhëna nga institucionet financiare jo banka. Nëse propozimi pranohet dhe bëhet pjesë e ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorit, Banka vlerëson se interesat do të përgjysmohen.
***
Kredia konsumatore e marrë në institucionet financiare jo-banka (ose mikrokreditë) pritet t’i kushtojë më pak xhepit të qytetarëve, nëse qeveria do të pranojë një propozim të bërë nga Banka e Shqipërisë për vendosjen e një tavani për interesat.
Ky propozim i bërë nga banka pritet të jetë pjesë e ligjit të ri ‘Për Mbrojtjen e Konsumatorit’, i cili është në fazën e reflektimit të komenteve të bëra gjatë fazës së konsultimit publik. Përmes projektligjit të ri synohet të mbrohen konsumatorët nga abuzimet, për produktet dhe shërbimet që ato marrin.
Sipas Bankës së Shqipërisë, synohet që të përgjysmohen interesat për kreditë konsumatore e veçanërisht për ato me vlerë deri në 200 mijë lekë.
Aktualisht është banka qendrore që kufizon interesat e kredive konsumatore për institucionet jo banka, përmes normës maksimale të interesit, rregullore që hyri në fuqi në janar të 2022-shit, dhe rishikohet çdo gjashtë muaj.
Si rezultat i kësaj rregulloreje, normat e interesit për kreditë konsumatore me vlerë deri në 200 mijë lekë nga 171.4% në fillim të vitit 2022, është ulur në 62.2% në korrik të këtij viti e që do të jetë në fuqi deri në fund të 2025-ës.
Pra për një hua me vlerë 100 mijë lekë, vlera maksimale e kthimit duhet të arrijë deri në 162 mijë lekë.
Edhe interesi maksimal për kreditë me vlerë nga mbi 200 mijë deri në 600 mijë lekë është ulur nga 47% në vitin 2023 në 35.21% këtë vit.
Kurse për ato hua që janë nga mbi 600 mijë deri në 2 milionë lekë, interesi është ulur në 14.93%, ndërsa mbi 2 milionë deri 10 milionë lekë interesi është 12%
Vendimi nga Banka e Shqipërisë për përcaktimin e normës maksimale të interesit u mor në vitin 2021 dhe hyri në fuqi në vitin 2022, pas abuzimeve që këto institucione jo-bankare bënin me interesat e kredive konsumatore që merrnin qytetarët, për shkak të lehtësisë me të cilën e hapin huanë, shpejt dhe nuk kërkojnë kolateral.
Norma e interesit të aplikuar nga këto institucione arrinte deri në 300% para se të kufizohej nga banka.
Po ashtu Banka e Shqipërisë u rikujton bankave dhe jo-bankave që duhet të respektojnë rregulloren edhe për penalitetet në rast të mospagesës së kësteve, ku thekson se shuma e penaliteteve nuk mund të kalojë 30% të shumës së kësteve të papaguara.
Skandali i vitit të shkuar me mikrokreditë e përforcoi edhe më shumë domosdoshmërinë për të kufizuar interesat dhe gjobat, për shkak se institucionet jo banka shpesh nuk e kanë respektuar këtë rregullore.
Norma Efektive e Interesit përfshin të gjitha kostot që një kredimarrës paguan për kredinë e marrë (si p.sh. norma e interesit, komisionet e ndryshme, kosto e mbajtjes së një llogarie nëse është e detyrueshme për të marrë kredinë, primi i sigurimit që paguan kredimarrësi, etj.).
Komente










