/ATSH/- Banka e Shqipërisë bën të ditur se kredia për ekonominë shënoi rritje edhe gjatë muajit Nëntor 2014, duke arritur vlerën e 561 miliardë lekëve, ose rreth 4 miliardë lekë më shumë krahasuar me muajin tetori 2014.

Sipas BSH-së, rritja vjetore e kredisë arriti në gati 3.8%, më e larta e regjistruar prej më shumë se një viti e gjysmë, ndërsa fund viti konfirmon se kreditimi po e mbyll vitin 2014 në rrugën e rimëkëmbjes.

Ekspertët shprehen se, kthimi i rritjes së kredisë i detyrohet kryesisht huadhënies së biznesit, që gjatë Nëntorit u rrit me më shumë se 3.5 miliardë lekë. Gjallërimi i aktivitetit privat ka gjetur reflektim edhe në ecurinë e kreditimit. Përmirësimi i gjendjes së likuditetit në treg dhe rritja më e mirë ekonomike ka bërë që gjatë këtij viti biznesi të rrisë kërkesën për kredi bankare.

Rritja e kreditimit në tremujorin e fundit të vitit është edhe një tipar sezonal, ndërkohë, edhe oferta e bankave për të dhënë kredi vlerësohet e përmirësuar, falë rritjes së fitimeve, por edhe stabilizimit të kredive me problem, si rezultat i disa viteve punë intensive për menaxhimin e portofolit problematik, por edhe politikave më të kujdesshme në dhënien e kredive të reja.