BSH takimi “Nxitja e kreditimit të
ekonomisë”, stad i qëndrueshëm 

BSH takimi “Nxitja e kreditimit të<br />ekonomisë”, stad i qëndrueshëm 
Me iniciativë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, në datën 8 prill 2015 u organizua takimi “Nxitja e kreditimit të ekonomisë”. Në takim morën pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ervin Mete, drejtuesit e bankave tregtare dhe të disa institucioneve mikrofinanciare, si dhe përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Ky takim, i kthyer tashmë në traditë, shërben si një platformë për të shkëmbyer ide dhe për të paraqitur qëndrime në lidhje me problemet e ndryshme që lidhen me sektorin bankar e financiar.

Takimi u përqendrua në çështje që lidhen me gjallërimin e kreditimit të ekonomisë, si dhe me ecurinë e kredive me probleme. Banka e Shqipërisë theksoi qëndrimin e saj se kushtet e përgjithshme ekonomike dhe financiare, gjendja e shëndetshme e sistemit bankar, politika monetare e ndjekur, si dhe faktorë të tjerë, kanë krijuar një ambient favorizues për kreditimin e ekonomisë.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i kërkoi sistemit bankar të adoptojë një përqasje proaktive për të shfrytëzuar më mirë mundësitë ekzistuese dhe për të rritur ndërmjetësimin financiar. Zoti Sejko theksoi nevojën për të respektuar kërkesat e kuadrit rregullator mbikëqyrës për vlerësimin dhe administrimin e rrezikut të kreditit, duke përfshirë në këtë drejtim edhe një shpërndarje sa më të balancuar të portofolit të kredisë. Për këtë qëllim, është e domosdoshme që vetë sistemi të bëjë një rivlerësim të kujdesshëm të potencialit që mbartin sektorët e ndryshëm të ekonomisë, duke identifikuar sektorët që ofrojnë mundësi më të mira kreditimi. Për të garantuar një gjallërim të qëndrueshëm të kredisë për ekonominë, është e domosdoshme një analizë e thellë e portofolit të kredive me probleme. Ky vlerësim duhet të realizohet në nivel mikro, duke mbuluar rast pas rasti degë të veçanta të ekonomisë, aktivitete të ndryshme të veprimtarisë prodhuese dhe të fushës së shërbimeve, apo dhe biznese me rëndësi sistemike, si për sektorin ku operon, ashtu edhe për bankën financuese.

Nga ana e tij, Ministri i Financave, zoti Shkëlqim Cani shprehu gatishmërinë e Qeverisë për të mbështetur sistemin bankar, duke thjeshtuar më tej barrierat ligjore dhe ato proceduriale që industria bankare i gjykon si faktorë që ndikojnë negativisht në cilësinë e portofolit të kredisë dhe në zgjerimin e mëtejshëm të tij. Qeveria ka realizuar një sërë reformash të rëndësishme për të mbështetur rritjen ekonomike, për të garantuar qëndrueshmërinë e ekuilibrave makroekonomikë, si dhe për të krijuar hapësira të reja për kreditim të sektorit privat nga ana e sistemit bankar. Këto zhvillime kanë përmirësuar klimën e biznesit, duke kthyer besimin e agjentëve ekonomikë dhe duke ndikuar pozitivisht ecurinë e kërkesës për kredi.

Drejtuesit e filialeve të bankave të huaja që operojnë në Shqipëri u shprehën se në planet e tyre për vitin 2015 ka objektiva të qarta për zgjerimin e kredisë. Megjithatë, disa nga bankat mëma ruajnë ende një qëndrim të kujdesshëm në zgjerimin e portofolit të tyre në rajon. Përveç konstatimit të një kërkese ende të dobët, industria bankare shikon si problem, mungesën e konsistencës në zbatim apo nevojën për përmirësim të kuadrit ligjor që shoqëron procesin e ekzekutimit të kolateralit dhe falimentimin e subjekteve.

Në përfundim, të gjitha grupet e interesit pjesëmarrëse në takim, parimisht ranë dakord për nevojën e diskutimit më të thelluar të problematikës së ekspozuar. Për këtë qëllim, në muajin qershor 2015 do të organizohet Forumi i tretë Financiar, ku përveç Bankës së Shqipërisë, sistemit bankar, ekzekutivit shqiptar, FMN-së, do të ftohen të marrin pjesë dhe përfaqësues nga grupet bankare të huaja që kanë filialet e tyre në Shqipëri. Deri në momentin e zhvillimit të forumit, bankave iu kërkua të thellohen në identifikimin e pengesave, sipas këndvështrimit të tyre, dhe në përgatitjen e sugjerimeve përkatëse për autoritetet shqiptare për të kapërcyer këto pengesa.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Mali i Zi, kritika ndaj votimit të deputetes Vukiçeviç kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Mali i Zi, kritika ndaj votimit të deputetes Vukiçeviç kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës