Prej ditësh Shqipëria është përballur me kushte atmosferike të paqëndrueshme çka kanë sjellë përmbytje masive nga veriu në jug si dhe evakuim të banorëve. Ndërkohë nuk kanë munguar as reshjet e dëborës në zona mbi lartësinë 300 metra. Dëbora ka sjellë gjithashtu dhe bllokim të disa akseve rrugore.

***

Vlorë – Lumi Vjosa ka dalë sërish nga shtrati pranë Urës së Mifolit. Niveli i ujit ka shkuar në 7.45 metra duke risjellë përsëri përmbytje. Kjo situatë paralajmëron një rritje të mëtejshme të nivelit të Vjosës, që pritet të arrijë deri në 8.5 apo 9 metra në orët në vijim.

Reshje dëbore janë regjistruar dhe mbrëmjen e djeshme si dhe mëngjesin e sotëm. Aksi rrugor është i pastruar dhe është hedhur kripë. Në aksin rrugor të Qafës së Vishës janë vendosur sinjalistika për shkak të rrëshqitjes së dherave.

Fushë Krujë - Reshjet e dëborës të rëna gjatë natës në Malësinë e Krujës kanë bërë që trashësia e dëborës të shkojë deri në 25 centimetra. Për pasojë është bllokuar aksi rrugor Krujë-Qafështamë si dhe fshatrat në zonë kanë mbetur të izoluara. Është rritur ndjeshëm niveli i lumit Ishëm. Qindra hektarë tokë vijojë të jenë nën ujë. Dy lagje të fshati Murqinë janë të izoluara pasi janë të rrethuara nga uji.

Fier – Lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë përsëri nga shtrati. Rritja e nivelit të ujit ka vijuar të lërë nën ujë qindra ha toka bujqësore si dhe ka shtuar praninë e ujit në disa banesa.

Shkodër – Lumenjtë në këtë qark janë brenda kuotave. Situata paraqitet e qëndrueshme. Rreth 525 ha tokë vijojnë të jenë të përmbytura. Në Obot ka prezencë uji në afërsi të oborreve dhe kalimi realizohet me mjetet e ushtrisë. Reshjet e dëborës kanë bllokuar segmentin rrugor Fushë-Arrëz-Iballë. Trashësia e borës ka arritur 50 centimetra në Qafën e Sharrit. Të gjithë rrugët lidhëse mes qendrës së Iballës dhe fshatrave janë të bllokuara. 

Dibër - Reshje dëbore me intensitet kanë përfshirë Dibrën dhe Bulqizën gjatë natës së mbrëmshme. Trashësia në qytetin e Peshkopisë ka arritur në 20 centimetra, ndërsa në zonat e thella varion 35-40 centimetra. Rruga e Arbrit është e kalueshme, por duhet kujdes nga Qafa e Buallit deri në tunelin e Murrizit.

Hidrocentrali i Fierzës ka nisur shkarkimet e kontrolluara pasi ka arritur kuotën maksimale prej 292.60 metrash. Fierza po shkarkon përmes portës së 3-të 500 m3/sekond ndërsa po prodhon me 3 turbina.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:11
Banorët nisën të hapnin rrugën e bllokuar Matogjin-Bashaj pas rrëshqitjeve të dherave, policia vendos shiritin e sigurisë

Policia e Vlorës ka vendosur shiritin e sigurisë në të dy krahët e rrugës Matogjin-Bashaj. Vendimi vjen pas ndërhyrjes së banorëve, të cilët gjatë ditës së sotme tentuan të hapnin vetë rrugën në Bashaj dhe Matogjin.

Sipas Policisë, ky veprim është tejet i rrezikshëm për shkak të rënies së sipërfaqes malore dhe rrezikut të vazhdueshëm nga rrëshqitjet e dheut. Për këtë arsye, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë duke bllokuar zonën dhe kanë këshilluar banorët të mos kryejnë asnjë veprim tjetër që mund të vërë në rrezik jetën e tyre apo të personave të tjerë.

Policia apelon për respektimin e masave të sigurisë deri në stabilizimin e situatës

Ora 14:10
Ministri Salla në Mamurras: Evakuim i gjësë së gjallë, strukturat në terren për evidentimin e dëmeve për fermerët e prekur nga reshjet

1768136211_andisalla.jpg

Foto: Andis Salla

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ndodhet në Mamurras, së bashku me Kryetaren e Bashkisë, Majlinda Cara, në një vizitë në fermën e fermeres Flora Brozi, e cila mbarështon rreth 120 krerë bagëti dhe shpendë.

Si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit dhe problematikave të krijuara nga përmbytjet, është asistuar në evakuimin e tufës së bagëtive, e cila aktualisht është sistemuar në zonën e Fushë-Milotit, duke garantuar sigurinë e gjësë së gjallë dhe vijimësinë e aktivitetit blegtoral.

Salla bëri me dije se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me grupet e verifikimit të bashkive, ndodhet në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në gjënë e gjallë, ushqimin për kafshë dhe në bujqësi. Procesi i verifikimit po kryhet jo vetëm për fermën e Flora Brozit, por edhe për të gjithë fermerët e tjerë të prekur nga situata e krijuar.

Institucionet përgjegjëse vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në terren, me qëllim mbështetjen e fermerëve dhe vlerësimin e plotë të pasojave të reshjeve intensive në zonat e prekura.

Ora 13:59
Dëbora zbardh Elbasanin, pamje piktoreske nga Gjinari! Fluks i lartë automjetesh drejt pikës turistike

 

Reshjet e borës kanë zbukuruar pikën turistike të Gjinarit në Elbasan. Sot vihet re një fluks automjetesh, të cilat janë drejtuar drejt kësaj pike turistike për t’u argëtuar me borën dhe për të shijuar fasilitetet që vetë zona ofron.

Ora 13:54
Hidrocentrali i Fierzës pranë kuotës maksimale, nisin shkarkimet e kontrolluara (VIDEO)

 

Hidrocentrali i Fierzës ka nisur shkarkimet e kontrolluara pasi ka arritur kuotën maksimale prej 292.60 metrash. Fierza po shkarkon përmes portës së 3-të 500 m3/sekond ndërsa po prodhon me 3 turbina.

Ora 13:27
Moti i keq, situatë problematike në 7 qarqe/ Rrugë të bllokuara, toka e banesa të përmbytura dhe evakuime nga zonat në rrezik

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dhënë një pasqyrë të përgjithshme të orëve të fundit të situatës së motit dhe përmbytjeve. Situata paraqitet më problematike në qarqet Shkodër, Durrës, Dibër, Berat, Fier, Korçë dhe Gjirokastër.

Në qarqet e tjera situata ka qenë me problematika të kufizuara dhe të menaxhueshme. Strukturat e Emergjencave Vivile, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes ndodhen në terren dhe po punojnë për përballimin e pasojave dhe stabilizimin e situatës.

Në Qarkun Shkodër, rritja e nivelit të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë rritje të prezencës së ujit në zonën e Obotit dhe Dajçit si dhe përmbytje të tokave bujqësore në zonën Urrelat–Shirq. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është i pakalueshëm për mjetet e ulëta. Nuk raportohen përmbytje banesash, ndërsa argjinaturat dhe kanalet kulluese, shkarkuesit dhe diga e rezervuarit të Shkodrës vijojnë të jenë funksionale. Strukturat vendore po monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme.

Në Qarkun Durrës, situata po shkon drejt përmirësimit në zonat e përmbytura të Sukthit dhe Katundit të Ri, megjithatë vijon prezenca e ujit në rreth 1 800 hektarë toka bujqësore dhe në disa banesa në zona të veçanta të Kënetës dhe Shkozetit. Janë kryer ndërhyrje për lirimin e akseve rrugore dhe për funksionalizimin e shkarkuesve, me qëllim shmangien e përkeqësimit të situatës.

Në Qarkun Dibër, reshjet e dëborës kanë shkaktuar bllokime rrugësh në disa njësi administrative si dhe ndërprerje të energjisë elektrike në zona të caktuara. Qarkullimi në akset kryesore po mbahet i kontrolluar, ndërsa në rrugët rurale po punohet për hapjen dhe garantimin e aksesit. 

Në Qarkun Berat, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore dhe prezencë uji në disa banesa dhe objekte publike si dhe evakuimin e disa familjeve për arsye sigurie. Situata po menaxhohet nga strukturat vendore, me mbështetjen e forcave të emergjencës.

Në Qarkun Fier, lumenjtë Seman dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati në disa zona, duke përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke bujqësore dhe duke prekur disa banesa. Strukturat e bashkive ndodhen në gatishmëri të plotë dhe po vlerësojnë në mënyrë të vazhdueshme nevojën për masa shtesë.

Në Qarqet Korçë dhe Gjirokastër, problematikat lidhen kryesisht me rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore, bllokime rrugësh dhe evakuime të kufizuara të disa familjeve në zona me rrezik.

Puna në terren vijon për hapjen e akseve rrugore dhe eliminimin e rrezikut për banorët. Forcat e Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit me efektivë dhe mjete të specializuara për ndërhyrje emergjente, lirimin e rrugëve të bllokuara, evakuimin e banorëve dhe mbështetjen e autoriteteve vendore.

U bëjmë thirrje banorëve të zonave të prekura të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin zonat me rrezik përmbytjeje apo rrëshqitjeje dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.

Ora 13:15
Përmbytjet/ Eksperti i Mjedisit: Sistemi i kullimit nuk funksionon, kemi dështuar si shoqëri për të mbrojtur natyrën! Shembje dherash në Gjirokastër sepse nuk ka pyje

 

Shqipëria është prekur ditët e fundit nga përmbytjet masive. Përpos infrastrukturës si një problem madhor për mosparandalimin e vërshimeve masive të ujit në banesa si edhe në toka bujqësore, problem i shtuar është dhe hedhja e mbeturinave nëpër kanalet kullues nga vetë qytetarët.

Eksperti i mjedisit Ferdinand Bego në një lidhje direkte për Report Tv, tha se reshjet masive të siut vijnë si pasojë e çrregullimeve klimaterike ndërsa përmbytjet më pas nga kombinimi i këtij faktori me infrastrukturën, apo konkretisht sistemin e kullimit.

“Është një kombinim i dy faktorëve, nga njëra anë një klimë që po bëhen e paparashikueshme, një dimër shumë i ngrohtë gjë që bën që pjesa më e madhe e reshjeve të bien në trajtën e shiut. Nga ana tjetër mospërgatitja në kohë atëherë kur është thatësirë. Në mënyrë kapilare duhet të mbajmë në gjendje funksionale sistemin e kullimit”, tha Bego.

Bego komentoi dhe hedhjet masive të mbeturinave nëpër kanale nga qytetarët. Një problem i tillë u shfaq në Durrës ku pati përmbytje masive pas kanalet kulluese ishin jashtë funksioni për këtë shkak.

“Plastika është një problem i madh. Jo vetëm ajo që duket, por të gjithë lumenjtë dhe kanale kryesore të kullimit, janë të mbushura me lloje mbeturinash. Vjen një moment që të gjitha këto grumbullohen dhe bëhet një gjendje emergjente.  Shteti duhet të procedojë të gjithë ata që bëjnë krime të tilla mjedisore”, tha eksperti.

Duke folur për situatën kaotike në Gjirokastër, Bego tha se rrëshqitjet masive të dheut kanë ardhur si pasojë e mungesës së pyjeve. Për këtë ai bën me faj njerëzit që nuk ka arritur të ruajnë këto kapitale kaq të rëndësishme natyrore.

“Nëse shikoni me kujdes sesi është vendosur Gjirokastra dhe fshatrat, rreth e rrotull tyre ose mbi shpatin e maleve nuk ka pyje. Po nuk pati pyje, nuk ka kush e mban ujin. Shiu do të ngopi argjilat, ato do të rëndohen dhe shpatet do të rrëshqasin bashkë me shtëpisë në këto shpate. Ne kemi dështuar si shoqëri për të mbrojtur atë që është kapitali jonë, pyjet. Ne duhet të kuptojmë që të presësh pyllin, të marrësh inertet nga lumenjtë të hedhësh plastikën është krim mjedisor. Se i paguan kjo shoqëri dëmet”, tha Bego.

Ora 13:02
Me qengjin në shpinë, banori i Mbrostarit: 40 m’i mori lumi, të tjerët ngordhën/ Banorët e dëmtuar kërkojnë ndihmë (VIDEO)

 

Dy banorë të dëmtuar nga përmbytjet në Mbrostar nga dalja e lumit Seman, kanë thënë për Report TV se dëmet e pësuara janë të rënda për ta.

Njëri nga banorët, i cili mban një qengj mbi supe, thotë se 40 prej tyre ia ka marrë lumi. Veç kafshës që ka në shpinë, kanë mbetur edhe dy të tjerë. Ai shprehet se kafshët janë pa ushqim dhe e vetmja ndihmë nga shteti do të ishte baza ushqimore.

“Jemi përmbytur, kërkojmë ndihmë nga shteti. S’kemi as misër, asgjë, na u mbytën të tëra. Qengjat më ngordhën, 40 qengja m’i mori lumi, të tjerët ngordhën. Ja, filmoji qengjat ku i ke. Kam marrë 40 qengja. As ndihmë, asgjë. Tani nuk e dimë çfarë do të bëjmë, këto duan të hanë, tagji s’kanë. Të paktën të na bjerë bazë ushqimore se s’kemi ku të shkojmë. Duam bazë ushqimore”, thotë banori.

Një tjetër banor thotë se investimi i tij prej 12 milionë lekësh tani nuk është më, kurse 20 lopë nuk mundet t’i nxjerrë.

“Nga dëmi që patëm në nëntor, më është bërë dëm shumë. Kam investuar këtu rreth 12 milionë lekë që kam bërë rrugën këtu dhe pula, bar, koncentrat, asnjëri s’na ka dhënë ndihmë asgjë. Janë 20 lopë brenda, s’kam nga t’i nxjerr”, thotë ai.

Banori shton se ka humbur edhe mbi 200 pula dhe njësoj si bashkëfshatari, kërkon bazë ushqimore:

“I kërkojmë shtetit ndihmë, po na e dha mirë. Koncentrat e bar se ato janë bërë dëm, pulat ikën, rreth 200 e ca pula ngordhën”, përfundon ai.

Ora 12:47
“Asnjë familje nuk do të mbetet pa u kompensuar”/ Nënkryetari i Fierit: Pritet rritje e nivelit të Semanit, situata nën monitorim

Procesi i verifikimit të dëmeve në banesat e përmbytura në fshatin Ferras , ka nisur që prej ditës së djeshme dhe do të vijojë edhe gjatë ditëve në vijim. Grupet e punës në terren po evidentojnë dëmet e shkaktuara nga uji në banesa, orendi dhe infrastrukturë, në një proces që sipas autoriteteve vendore është kompleks dhe kërkon kohë.

Në një prononcim për mediat, nënkryetari i bashkisë Fier, Nusret Avdullai, theksoi se verifikimi i dëmeve nuk është një proces i lehtë dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë me banorët e prekur nga përmbytjet. Ai apeloi për ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve, sidomos gjatë njoftimeve paraprake për rrezikun dhe marrjen e masave mbrojtëse.

“Njerëzit janë në të drejtën e tyre për shqetësimet që kanë, por duhet të kuptojnë vështirësitë që kemi. Ne si qytet kemi fatin që lagemi nga dy lumenj, por kemi edhe riskun nga natyra që prekemi nga fatkeqësitë natyrore. Bashkia Fier është goxha e impenjuar si në lumin Vjosë, ashtu edhe në lumin Seman që është në pikë kritike. Për fshatin Ferras, për fat edhe të kohës që po hapet, lumi Vjosa është në shtratin e vet dhe ne do të merremi me të gjitha detajet pë t’iu gjendur të gjitha familjeve që u përmbytën. Nuk do të ngelet asnjë familje pa u kompensuar për dëmet që iu janë shkaktuar”, tha Avdullai.

Sipas Avdullait, thirrjet për evakuim nuk bëhen rastësisht, por bazohen në vlerësime dhe rreziqe reale. Ai u bëri thirrje banorëve që t’u përgjigjen këtyre njoftimeve në kohë, për të shmangur situata të rrezikshme për jetën dhe pronën.

“Njerëzit duhet të jenë më koshientë se në momentin që vjen uji, nuk bëjmë dot gjë. Largimi i tyre me t’u dhënë njoftimi, njerëzit duhet të jenë më të përgjegjshëm”, shtoi nënkryetari.

Ndërkohë, problematike mbetet situata në lumin Seman, ku niveli i ujit vijon të jetë i lartë. Në zonë ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ka inspektuar nga afër gjendjen dhe u ka garantuar banorëve mbështetje të menjëhershme. Ministri ka premtuar sigurimin e bazës ushqimore për familjet e prekura, si dhe transferimin e bagëtive në ambiente më të sigurta, konkretisht në tregun e gjësë së gjallë në Fier.

Nënkryetari i bashkisë Fier bëri të ditur gjithashtu se prurjet e lumit Seman pritet të kenë tendencë rritjeje pas mesditës, çka e bën situatën edhe më delikate. Për këtë arsye, strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile po mbajnë në monitorim të plotë situatën, ndërsa janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, nëse do të jetë e nevojshme.

“Është në monitorim të vazhdueshëm, nga burimet te hidrocentralet, akoma Semani është në ngritje. Kjo pasqyrohet rreth orës 4 të mëngjesit që ishin në kuotën maksimale. Nga komunikimi që kemi me hidrocentralet, shkarkimet kanë rënë. Sasia që vjen nga hidrocentrali i Banjës këtu në Mbrostar, do rreth 4-5 orë, besoj do të ketë pak ngritje dhe pastaj do të fillojë ulja”, u shpreh Avdullai.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar, të respektojnë udhëzimet zyrtare dhe të shmangin zonat e rrezikuara, deri në përmirësimin e situatës.

Ora 12:11
Rrëshqitjet masive të dheut nga mali në Selenicë, fshati Bashaj prej 4 ditësh pa rrugë! Banorët tentojnë hapjen e një rruge alternative

 

Prej katër ditësh, banorët e fshatrave Bashaj dhe Vermik kanë mbetur të izoluar totalisht si pasojë e rrëshqitjes së një pjese të shpatit të malit, e cila ka dëmtuar rëndë rrugën kryesore lidhëse. Rrëshqitja e dherave dhe gurëve e ka bërë aksin të pakalueshëm, duke ndërprerë çdo komunikim normal të këtyre fshatrave me pjesën tjetër të zonës.

Përballë mungesës së një zgjidhjeje të shpejtë institucionale, banorët janë detyruar të marrin situatën në dorë. Që prej ditës së sotme, ata janë angazhuar vetë me lopata dhe mjete rrethanore për të krijuar një rrugë provizore, me qëllim rikthimin minimal të lidhjes së fshatrave me zonat përreth. Një përpjekje që flet qartë për vështirësitë e mëdha me të cilat po përballen dhe për nevojën emergjente për ndërhyrje të strukturuar.

Ndërkohë, ditën e djeshme në terren kanë qenë edhe forcat xheniere, të cilat kanë ndërhyrë për të mundësuar hapjen e një rruge alternative, me synim sigurimin e komunikimit të përkohshëm mes fshatrave dhe lidhjen e tyre me njëri-tjetrin.

Situata mbetet problematike, ndërsa rreziku për rrëshqitje të tjera është ende i pranishëm për shkak të terrenit të paqëndrueshëm dhe kushteve atmosferike. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia Selenicë dhe institucionet përgjegjëse, jo vetëm për hapjen e rrugës, por edhe për ndërtimin dhe fortifikimin e saj, në mënyrë që izolimi i përsëritur të mos kthehet në një realitet të përhershëm për këto komunitete.

Ora 11:42
Reshje dëbore në Korçë, destinacioni i preferuar turistik

 

Reshjet e dëborës vijojnë të bien në qytetin e Korçës. Të shumtë janë ata qytetarë që kanë preferuar Korçën si destinacionin për të shijuar stinën e dimrit.

Ndërkohë në zonën e Qafë Thanës, trashësia e dëborës i kalon 25 centimetra, por aksi rrugor vijon të jetë i aksesueshëm pa problematika.

Ora 11:20
VIDEOLAJM/ Dëbora mbulon qytetin e Pukës, pamje fantastike nga liqeni

 

Qyteti i Pukës është zbardhur nga dëbora duke krijuar një pamje fantastike dimërore.

Një peizazh i mrekullueshëm është dhe ai i krijuar në liqenin e Pukës ku pasqyrohet imazhi i ftohtë dhe i pastër i stinës së dimrit.

Ora 10:38
Reshje dëbore në Llogara, nuk ka probleme në qarkullim! Vendosen sinjalistikat në Qafën e Vishës, ka rrëshqitje dherash

1768124365_vlore.jpg

Reshje dëbore janë regjistruar dhe mbrëmjen e djeshme gjithashtu dhe mëngjesin e sotëm në Llogara. Aksi rrugor është i pastruar dhe është hedhur kripë. Nuk ka probleme në qarkullim.

Ndërkohë në aksin rrugor të Qafës së Vishës janë vendosur sinjalistikat për shkak të rrëshqitjes së dherave gjatë ditës së djeshme, por edhe sot.

Ora 09:41
Përparon gërryerja e tokës në Mirditë, rrëzohen sërish shtyllat e tensionit/ Alarmante gjendja e tubacionit ujësjellës në Rrëshen, rrezikohet shembja e një aksi rrugor

1768121384_lezhe.jpeg

Territori i qarkut Lezhë ka qenë i  përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët e dëbore në lartësi mbi 700 m. Aktualisht reshjet janë ndërprerë.

Në Kurbin, gjendja paraqitet e përmirësuar në të gjitha zonat që gjatë këtyre ditëve ka pasur problematika, po kështu dhe në njësinë Fushë Kuqe, në fshatin Adriatik ka vijuar evadimi i ujërave dhe ka ulje të nivelit. Gjatë ditës së djeshme pasur probleme në fshatin Patog, kryesisht nëpër lokalet dhe biznese për arsye të baticave detare.

Sot do të vijojë verifikimi i dëmeve në gjithë territorin nga grupet e punës dhe kryesisht të përqëndruara në fshatin Adriatik ku mund të konstatohen më qartë dëmet pas tërheqjes së ujërave.

Do të vijojnë punimet për sistemimin dhe pastrimin e rrugicave të lagjes dhe largimin e inerteve apo aluvioneve të sjella nga prurjet.

Po ashtu do të vijojë pastrimi dhe forcimi i KUL-së gjatë gjithë gjatësisë së tij në njësinë Mamurras.

Mjetet e punës do të vijojnë të jenë të njëjtat që kanë qenë të disponueshme gjatë gjithë këtyre ditëve, me përjashtim të ekskavatorit të FA-së, i cili pas përfundimit të punës në segmentin Skuraj-Vinjolle, është tërhequr ditën e djeshme.

Vijon të mbetet problematik fenomeni i rrëshqitjes së tokës, në të gjitha zonat kodrinore e malore.

Situata paraqitet e qetë në bashkinë Lezhë. Gjatë ditës së sotme do të vijojë monitorimi i gjithë teritorit të bashkisë për problematikat që mund të shfaqen.

Grupet e punës do të vazhdojnë punën për evidentimin dhe vlersimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, pastrimin e inerteve, mbeturinave etj.

Në Mirditë, si pasojë e vazhdimit të gërryerjes së tokës bujqësore në Zall-Donaj nga lumi Fan i Vogël, rreth orës 00:00 janë rrëzuar përsëri shtyllat elektrike të TM, të spostuara një ditë më parë nga OSHEE, pasi gërryerja ka avancuar duke kaluar vendin e spostimit, duke lënë pa energji fshatin Ndërfanë, Gëziq, Kalanjan, Cekaj. Avancimi i gërryerjes po shkon drejt rrugës së fshatit dhe banesave.

Autoritetet lokale kërkojnë mbështetje urgjente nga nga Ministria e Bujqësisë nëpërmjet mjeteve të DRUK Lezhë, sipas kërkesës së drejtuar, që me datën 09.01.2026, ku AKMC është vënë në dijeni.

Problematikë tjetër alarmante është tubacioni i zbuluar i linjës së ujësjellësit të qytetit të Rrëshenit dhe jo vetëm, nga gërryerjet e përroit në fshatin Jezull ku rrezikohet këputja e tij, si dhe me avancimin e mëtejshëm rrezikohet dhe shembja e aksit rrugor që lidh një sërë fshatrash.

Nga verifikimet e fundit të kryera nga strukturat e Emergjencave Civile të bashkisë, si pasojë e reshjeve të shiut të ditëve të fundit, në disa fshatra janë konstatuar rrëshqitje toke, të cilat paraqesin rrezik për banesa dhe prona private.

Sot, me 5 mjete kamion privat të tonazhit të lartë 20 m3, 2 mjete eskavator të DRUK, 20 punonjës dhe 3 fuoristrada pune të DRUK, me prezencën e mbështetjen e Policisë Bashkiake, do të vazhdojë puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drin në fshatin Ishull Shëngjin.

Furnizimi me ujë të pishëm ka vijuar rregullisht, kurse me energji sipas problematikave të raportuara më lart.

Niveli i lumit Drin vazhdon të ketë ulje, duke shkuar në parametrat normal për periudhën, po kështu dhe lumi Mat, pas reduktimit të shkarkimeve nga H/C Shkopet e Qafë Mollë.

Probleme me akset rrugore deri tani nuk raportohen.

Ora 09:41
Reshje intensive dëbore në Dibër/ Vijon qarkullimi normal, zinxhirët të domosdoshëm në disa akse! 4 njësi pa energji elektrike  

 

Reshje dëbore me intensitet kanë përfshirë Dibrën dhe Bulqizën gjatë natës së mbrëmshme. Trashësia në qytetin e Peshkopisë ka arritur në 20 centimetra, ndërsa në zonat e thella varion 35-40 centimetra.

Rruga e Arbrit është e kalueshme, por duhet kujdes nga Qafa e Buallit deri në tunelin e Murrizit.

Ura e Çerenecit- Steblevë-Librazhd është e kalueshme me zinxhirë, po njësoj edhe aksi Peshkopi-Kukës.

Janë hapur rrugët drejt njësive administrative Lurë, Kala e Dodës, Muhurr, ndërsa po punohet për hapjen e fshatrave të Bashkisë Dibër me 8 mjete borëpastruese.

Mungon energjia elektrike në njësitë Lurë, Selishtë, Kala e Dodës dhe disa fshatra të Sllovës, për shkak të ngarkesës së dëborës dhe degëve të pemëve që bien mbi linja.

Ora 09:22
Rritet ndjeshëm niveli i lumit Ishëm, qindra hektarë tokë të përmbytura! Fshati Muriqnë i izoluar nga uji

 

Gjatë natës, niveli i lumit Ishëm është rritur ndjeshëm, duke bërë që niveli i ujit në fshatrat Bilaj, Murqinë dhe Malkuç të ngrihet ndjeshëm, duke shkuar në kuotën e para disa ditëve.

Qindra hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë nën ujë në këto fshatra dhe problem mbeten dy lagjet fundore të fshatit Murqinë, të cilat janë të izoluara totalisht, pasi janë të rrethuara nga uji, niveli i të cilit në rrugën që lidh këto lagje me pjesën tjetër të vendit shkon në mbi 50 cm.

Reshjet kanë pushuar, por banorët e këtyre fshatrave dyshojnë se mund të jenë hapur portat e Bovillës, gjë që ka bërë që niveli i ujit të ngrihet në këtë kuotë.

Ndërkohë, ka një farë përmirësimi në fshatin Miliskajë, ku uji ka filluar të tërhiqet, por rruga dhe arat e këtij fshati vijojnë të jenë nën ujë; fatmirësisht, uji ka filluar të tërhiqet nga banesat.

Ora 09:11
Përmirësohet situata nga përmbytjet në Shkodër, rreth 525 ha toka bujqësore nën ujë! Nivelet e lumenjve nën kuotën kritike

Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa banesa me prezencë uji në brendësi të tyre.

Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 525 ha, e shpërndarë sipas njësive administrative si më poshtë: Nj.A. Dajç rreth 110 ha, Nj.A. Velipojë rreth 265 ha dhe Nj.A. Ana e Malit rreth 150 ha. Prania e ujit është e kufizuar në sipërfaqe të hapura bujqësore. Në Obot, uji është prezent vetëm në afërsi të oborreve, pa depërtim në banesa; qarkullimi është i garantuar dhe realizohet me mjete të Ushtrisë.

Situata e lumenjve mbetet e kontrolluar. Niveli i Bunës në Dajç është 6.58 m. Në Urën e Vjetër të Bunës, niveli i ujit është 8.50 m, rreth 1.00 m nën kuotën kritike (9.50 m). Në Urën e Bahçallëkut, lumi Drin paraqitet në kuotën 8.20 m, rreth 1.80 m nën kuotën kritike (10.00 m).

Hidrovoret po punojnë në kapacitet të plotë dhe pa ndërprerje, duke mbajtur nivelet e ujit në kuota të sigurta. Furnizimi me energji elektrike është normal. Argjinaturat, kanalet kulluese dhe shkarkuesat e Digës së Rezervuarit të Shkodrës nuk paraqesin problematika apo rrezik për përmbytje.

Ora 09:04
Ministria e Mbrojtjes: Evakuimi i banorëve në Kuçovë e Dimal ka vijuar dhe gjatë natës

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ditën e sotme në përditësim të situatës në vend pas përmbytjeve. Evakuimi i banorëve në fshatrat buzë lumit të bashkive Kuçovë dhe Dimal ka vazhduar gjatë gjithë natës.

Forcat e Armatosura, në koordinim me Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, mbeten të angazhuara në terren, krah për krah me strukturat vendore, për menaxhimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Shkruhet në postimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ora 08:37
Lumi Seman dhe Shkumbin dalin nga shtrati, rreth 30 banesa të përmbytura në fshatin Thanasaj

 

Aktualisht në qarkun e Fierit reshjet e shiut kanë ndaluar ndërsa nuk raportohet për akse të bllokuara.

Lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati. Situata më kritike është në fshatin Thanasaj ku janë përmbytur rreth 30 banesa, por uji nuk ka depërtuar brenda tyre dhe ka shkaktuar dëme në blegtori. 

“E kam nxjerrë lopën. Pulën e ka marrë uji,  nuk kanë ardhur, s’ka komuna e Dushkut hiç fare. Pardje erdhi uji prapë”, thotë një banor.

“Është mbushur me ujë të shtëpia, tani s’kanë ardhur akoma Emergjencat. Nuk dal dot nga uji”,  vijon një tjetër.

Banorët shprehen se mbyten sa herë del Shkumbini sepse nuk janë marrë masa për të bërë 500 metra argjinaturë për të mbrojtur fshatin. Qindra hektarë tokë bujqësore janë të përmbytura.

Për të parë nga afër situatën, ka qenë edhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu i cili u shpreh se është situatë dinamike dhe po e ndjekin hap pas hapi me Shtabin e Emergjencave. Momentalisht nuk ka evakuim të banorëve dhe do të jepet ndihmë për blegtorinë në bashkëpunim me pushtetin vendor.

Në orët e para të mëngjesit kemi pasur një nivel prurjesh në të gjithë elementët që krijojnë kaskadë në Shkumbin. Ujërat janë ende brenda argjinaturave, argjinaturat janë të qëndrueshme nga njëra anë dhe hidrovoret po vazhdojnë të bëjnë tërheqjen poshtë dhe janë në kapacitet të plotë. Fatmirësisht nuk kemi urdhra evakuimi për momentin, nuk na rezulton e nevojshme. Situata është dinamike, ka një stabilitet të niveleve dhe të kuotave duke ditur që është kuota më e ulët nga pikëpamja gjeografike në gjithë rrjedhën e Shkumbinit prandaj ka edhe këtë nivel rrezikshmërie specifike. Shqetësim përbën qoftë për pushtetin vendor, qoftë për drejtoritë rajonale këtu, tokat bujqësore. Disa stane në nivel bashkie na është dashur që të evakuohen dhe na duhet që patjetër tani të gjendemi pranë blegtorëve me gjithë nevojat që kanë, ushqimin koncentrat që kemi filluar ta dislokojmë në ditët e kaluara në Vlorë e Fier, do ta bëjmë edhe në bashkinë e Lushnjes sipas nevojave që do të na përcillen nga bashkia, tha Vengu.

Kryetarja e bashkisë Eriselda Sefa është shprehur se pas zgjidhjes së situatës aktuale do të ndërhyhet për zgjidhjen afatgjatë.

Ndërkohë prurjet në lumin e Semanit janë në kuota të larta. Semani ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz e rrjedhimisht ka prezencë të ujit në oborret e banesave. Lumi Seman ka përmbytur me qindra hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave në Roskovec–Patos dhe Fier.

Ora 08:08
Lumi Vjosa del sërish nga shtrati në Urën e Mifolit, rrezik rritjeje të nivelit deri në 9 metra! Prurje me intensitet të lartë

 

Lumi Vjosa ka dalë sërish nga shtrati pranë Urës së Mifolit. Niveli i ujit ka shkuar në 7.45 metra, duke sjellë përsëri përmbytjen e tregut të Mifolit.

Prurjet vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa në zonën e Memaliajt niveli i ujit ka arritur në 7 metra. Kjo situatë paralajmëron një rritje të mëtejshme të nivelit të Vjosës, që pritet të arrijë deri në 8.5 apo 9 metra në orët në vijim.

Autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa banorët në zonat pranë shtratit të lumit janë në gatishmëri për marrjen e masave parandaluese.