BSH thirrje bankave: Shtoni kreditimin!

BSH thirrje bankave: Shtoni kreditimin!
Mënyra më e mirë për të dalë nga gjendja e kredive me probleme është vazhdimi i kreditimit. Gjatë një takimi të organizuar nga Banka Botërore, drejtori i Mbik¬ëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Indrit Banka, tha se instrumenti më i efektshëm është pikërisht vazhdimi i kredidhënies. Ai kritikoi punën e bërë nga disa banka në vitet e mëparshme në menaxhimin e kreditimit. Sipas statistikave, kreditë me probleme në tre vitet e fundit janë rritur me një ritëm shqetësues dhe kanë arritur nivelin 20.6% në fund të prillit 2012, në raport me totalin e kredisë së dhënë. Numri i kredive problematike tani është më shumë se 30 mijë, ndër të cilat 13 mijë klasifikohen si kredi që nuk mund të rikuperohen më, pra kur personi nuk gjendet, ka vdekur, nuk gjendet kolaterali, etj.

PROBLEMET
Sipas anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë Ardian Civici, problemi i rritjes së ndjeshme të kredive me probleme ka një aspekt statistikor. Në rast se kredia e re ulet, do të rezultojë që kredia problematike të shënojë rritje, tha ai dje për Shqiptarja.com. Në fakt, kredia e re ka ulur ritmin e saj të rritjes, por kredia e keqe po rritet shumë herë më shpejt. Dy nga sektorët që konsiderohen si prioritarë për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe mbi të gjitha kanë rol kyç në punësim nuk po furnizohen më me kredi nga bankat. Të dhënat më të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë për kredinë sipas sektorëve në muajin prill bëjnë të ditur se huaja për industrinë përpunuese dhe prodhimin, shpërndarjen e energjisë elektrike, gazit e ujit, ka shënuar rënie me bazë mujore, përkatësisht me 0.4% dhe 0.1%. Në rënie ka vijuar dhe kredia për ndërtimin.

Në total, stoku i huasë për biznesin në muajin prill 2012, në raport me muajin e mëparshëm, është ulur me 0.07%, ndërsa në krahasim me fundin e 2011-s është rritur me vetëm 1.8%, nga 3.8% që ishte ky zgjerim në periudhën përkatësë të një viti më parë.
Disa banka të mëdha janë tërhequr nga huadhënia dhe disa të tjera kanë përgjysmuar ritmet e rritjes, theksohet në një analizë të revistës Monitor. Sinjalet për një ngadalësim të mundshëm të ekonomisë, vijimi i shtimit të huave me probleme dhe rishikimi i bilanceve nga bankat mëmë të Evropës perëndimore janë disa nga arsyet kryesore që po i stepin bankat që të furnizojnë sektorin privat me kredi.
Në katër muajt e parë të 2012-s, shtesa e kredisë totale për sektorin privat ishte 7 miliardë lekë, nga rreth 13 miliardë lekë që rezultoi për periudhën përkatëse të një viti.

SEKUESTROT
Sipas drejtorit të Mbik¬ëqyrjes së BSH, ky institucion do të vazhdojë të verë theksin tek ekzekutimi i sekuestrove të pasurive te lëna peng, duke u ankuar për vonesat e gjykatave, kur llogaritet se duhen mesatarisht 490 ditë për të arritur në marrjen e vendimit gjyqësor për një sekuestër. Në këtë mënyrë, Banka qendrore është kundër propozimit të bërë nga opozita dy ditë më parë lidhur me bllokimin e përkohshëm të ekzekutimit të këtyre vendimeve, në mënyrë që ato të kenë kohë të rimëkëmben e të paguajnë detyrimet më vonë.
Sipas prof.Civicit, bankat kanë mundësi të shumta për të ristrukturuar kreditë, për t'i hequr ato nga fondi i kredisë së keqe, pa arritur domosdoshmërisht dhe gjithnjë në sekuestro, e cila ka pasoja të pakëndshme për të gjithë.

(aq/shqiptarja.com)






  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën