Kanë dalë pamjet nga momenti i vrasjes së 31-vjeçarit Egli Pashollari në Tiranë, ngjarje e ndodhur të premten e 20 shkurtit, ku autor i dyshuar është Gazment Buçpapaj.

Sipas dëshmisë së gruas së Gazmentit, bëhet e ditur se bllokimi i rrugës ka qenë arsyeja e vërtetë e konfliktit, që çoi në vrasjen e Egli Pashollarit.

Po ashtu, sipas dëshmisë mësohet se Buçpapaj, i cili është shpallur në kërkim, i ka rënë borisë për t’i hapur rrugën, por viktima ka dalë nga mjeti dhe i ka sharë e ofenduar.

Kujtojmë se Egli Pashollari mbeti i vrarë pak ditë më parë, pasi u qëllua me thikë pas shpine rreth orës 15:40 në rrugën “Kongresi i Lushnjës” pranë zonës së njohur si ish-Parku.

Në momentin e konfliktit, Buçpapaj ka qenë i shoqëruar edhe nga gruaja e tij, e cila ka thënë në Polici se bashkëshorti i saj kishte shkuar për ta marrë në punë, pasi punonte menaxhere në një market në zonën e ish-Parkut dhe për ta çuar për një vizitë mjekësore.

Pasi ka hipur në makinë, sipas saj, siç është përmendur edhe më sipër, rruga ishte bllokuar nga makina e viktimës. Gazment Buçpapaj gjatë konfliktit fizik me Pashollarin, e ka qëlluar këtë të fundit me thikë duke i shkaktuar plagë të rëndë me pasojë vdekjen.