Budina, Çuli dhe Vasili, në garë
për drejtorin e Teatrit Kombëta

Budina, Çuli dhe Vasili, në garë<br />për drejtorin e Teatrit Kombëta
TIRANE- Drejtori i Teatrit Kombëtar duket se ka qenë një nga postet më të lakmuara nga artistët e artit dramatik, sepse sipas burimeve nga Ministria e Kulturës mësojmë se kanë aplikuar 11 kandidatë, gjë që nuk ka ndodhur me institucionet e tjera, si Muzeu Historik Kombëtar, Teatri i Operës e Baletit apo Galeria Kombëtare e Arteve. Këto institucione kanë pasur, jo vetëm një numër shumë të kufizuar kandidaturash, por edhe zgjedhje të shpejta për postet e drejtorit. Ndërkohë, kemi mësuar se postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar e kanë synuar regjisori Armando Bora, regjisori Edmond Budina, aktori dhe regjisori Laert Vasili, si dhe Alfred Bualoti, Hervin Çuli, Alfred Trebicka, Spiro Duni, Piro Kita, Romeo Kodra, Bledar Isallari, etj. Por nga 11 aplikantët, numri i atyre që do të kenë shanse të zgjidhen në këtë post është kufizuar vetëm në tre kandidatë.

Këshilltarja për Median dhe Komunikimin në Ministrinë e Kulturës, Milena Selimi, ka njoftuar dje për emrat e tre kandidatëve të përzgjedhur që do të jenë në garën përfundimtare të konkursit të shpallur për drejtorin e Teatrit Kombëtar. “Konkursi për pozicionin e drejtorit të Teatrit Kombëtar, i shpallur në datën 05 dhjetor 2013, e ka përfunduar thirrjen për aplikim në datën 26 dhjetor 2013. Në këtë konkurs u paraqitën njëmbëdhjetë konkurrues, të cilët iu nënshtruan procesit të selektimit nga  Komisioni i ngritur nga Ministria e Kulturës në bazë të dispozitave të ligjit "Për Artin dhe Kulturën".

Ky komision, në vazhdim të procesit vlerëson se 3 kandidaturat më të përshtatshme, të cilët kanë paraqitur platformat më të plota, në përputhje me objektivat artistike, kulturore dhe administruese të kërkuara për pozicionin e Drejtorit në Teatrin Kombëtar janë: Edmond Budina, Hervin Çuli dhe Laert Vasili”, shkruan Selimi në njoftimin për median. Sipas njoftimit nga Ministria e Kulturës kandidaturat e mësipërme do të paraqiten brenda datës 13 janar 2014 për të argumentuar mbrojtjen e platformave të tyre për: Objektivat artistike; Objektivat e politikës kulturore; Objektivat në administrim.

Në fund të këtij procesi  do të përzgjidhet Drejtori i Teatrit Kombëtar. Kandidatët që do të përfundojnë garën për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar kanë që të tre një karrierë të pasur artistike:  Edmond Budina ka qenë aktor dhe regjisor aktiv në Teatrin Kombëtar. Hervin Çuli, gjithashtu, ka punuar si aktor dhe regjisor në Teatrin Kombëtar dhe në Teatrin ”Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ndërsa, Laert Vasili studioi për aktrim në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe u diplomua nga Akademia e Teatrit Kombëtar Grek në Athinë në vitin 1997.

Ai ka bashkëpunuar me Teatrin Kombëtar Grek, por dhe me shumë teatro dhe regjisorë ndërkombëtarë. Disa burime shprehen për gazetën “Shqiptarja.com” se kthimi i aktorit Laert Vasili me familjen e tij në Shqipëri, mund të ketë shkas pritshmërinë e tij për të qenë ai drejtori i Teatrit Kombëtar të Tiranës. Megjithatë, mësojmë se të tre kandidaturat; Edmond Budina, Hervin Çuli dhe Laert Vasili, janë tepër ambiciozë me platformat e tyre.
 

Shkrimi u publikua sot (10.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!