“Spanja është ekipi favorit për të fituar finalen, pasi është kampionia e Europës dhe Botës në fuqi. Ata kanë një grup mjaft të mirë futbollistësh në përbërje që është vështirë ti mundësh.

Megjithatë ne kemi besim në vetvete për të përsëritur kampionatin Botëror të vitit 2006” deklaron kapiteni dhe portieri i ekipit të Italisë Bufon para finales së madhe. Gjatë konferencës për shtyp, legjenda bardhezi është shfaqur tepër i qetë duke larguar presionin e finales nga ekipi i tij.

Përsa i përket formacionit me të cilin do të zbresë në fushë trajneri Çezare Prandeli, në sulm nuk pritet të ketë ndryshime nga ndeshja e fundit me Gjermaninë. Casano dhe Baloteli do të jenë në formacion nga minuta e parë, teksa Di Natale do ta nisë nga stoli, ndryshe nga ndeshja e parë me Spanjën në grup.