Kosova ka arritur në një udhëkryq të rëndësishëm në zhvillimin e saj si një shtet i pavarur.
Dy parti opozitare, në mënyrë të habitshme, fituan zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit dhe tani iu duhet të ndërmarrin “një pastrimin madhor të shtëpisë” për të reformuar institucionet e vendit. Edhe emërimi i një të dërguari të ri të Shteteve të Bashkuara për të rifilluar bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë mund të japë një shtysë të re drejt një zgjidhjeje përfundimtare të një nga problemeve rajonale më të paprekshme.
Gjatë fushatës zgjedhore, krimi dhe korrupsioni, sëbashku me kujdesin shëndetësor dhe arsimin, ishin në krye të axhendës. Qeveria e ardhshme duhet të angazhohet që të çrrënjosë abuzimet më të këqija jo vetëm verbalisht; ajo duhet që, më në fund, të fillojë të përmbushë (premtimet). Sloganet që thjesht përsëriten mund të mos e qetësojnë më një elektorat që është irrituar në vazhdimësi nga mungesa e përparimit ekonomik ose mund të mos kënaqë lojtarët ndërkombëtarë që e shohin vendin si të “mbërthyer në një kurth”.
Nisma anti-korrupsion duhet të fillojë brenda institucioneve qeveritare. Standarde të rrepta llogaridhënieje dhe raportimi i të gjitha pasurive në pronësi të zyrtarëve duhet të jenë të detyrueshme, ndërsa çdo kontakt mes zyrtarëve të zgjedhur dhe përfaqësuesve të biznesit duhet të jetë transparent dhe i hapur për hetim. Reforma gjyqësore, gjithashtu, duhet të përfundohet, duke zëvendësuar gjyqtarët dhe prokurorët që u bënë të pasur me ryshfete.
Zyrtarët serbë pretendojnë se Kosova është një shtet i dështuar, i mbushur me kriminalitet, i cili nuk meriton njohjen ndërkombëtare. Masat për të luftuar korrupsionin do t’i jepnin mesazhin e qartë institucioneve ndërkombëtare, që Kosova është serioze për t’u kualifikuar për anëtarësim. Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, mund të jetë figura më e rëndësishme, që nga pavarësia, që do t’i bëjë ballë korrupsionit shtetëror.
Një detyrë e tjetër e rëndësishme e qeverisë së re është të flasë me një zë (unanimisht) në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së saj me Serbinë. Sa më shpejt që qeveria e koalicionit midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të formohet aq më mirë (është) për vendin, përndryshe do të krijohet perceptimi i pasigurisë dhe mungesës së unitetit. Administrata e re duhet të ketë një qëllim të qartë: njohjen e plotë ndërkombëtare dhe përfshirjen në të gjitha organizatat kryesore ndërkombëtare. Çfarëdo (tjetër) që është më pak se kaq nuk do të sjellë stabilitet në rajon.
Emërimi i ambasadorit të SHBA në Gjermani, Richard Grenell, si i dërguari për dialogun Kosovë-Serbi, tregon se Shtëpia e Bardhë është e vendosur të normalizojë marrëdhëniet, pasi, tashmë, kishte emëruar Matt Palmer, zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit, si të dërguar të posaçëmpër Ballkanin Perëndimor. Ndonëse Grenell është “fillestar” në rajon, Palmer është një zyrtar “i regjur” i Departamentit të Shtetit i cili është i ndërgjegjshëm për kompleksitetet e Ballkanit.
Mosmarrëveshja mbi normalizimin mund të zgjidhet plotësisht vetëm nëse Serbia pranon pavarësinë e Kosovës. Grenellit do t’i behëtshumë presion për të gjetur shpejt formulën për të arritur diçka të tillë. Atij do t’i duhet të punojë me përfaqësuesit e BE-së, por, si ambasadori amerikan në Berlin, ai ka qenë shumë kritikues ndaj politikës së jashtme gjermane. Grenell me sa duket u rekrutua pikërisht për shkak të përvojës së tij si negociator në Kombet e Bashkuara. Prishtinës i duhet të bashkëpunojë ngushtë me të dy të dërguarit, duke shfaqur gatishmëri për kompromis për çështje të caktuara, si për shembull heqja e taksave (100%)ndaj Serbisë. Nga ana tjetër, asaj i duhet të shmangë çdo ‘kurth’ të vendosur nga Beogradi gjatë bisedimeve të ardhshme.
Disa vëzhgues kanë spekuluar se Grenell do të jetë më i hapur për shkëmbime territoriale për (të siguruar) njohjen nga Serbia. Sidoqoftë, ai do të përballet me pengesa të rëndësishme politike, pasi udhëheqësit e qeverisë së re në Prishtinë mund të humbin shumë nga mbështetja e tyre publike, nëse vihet re se (ata) po i dorëzojnë toka Beogradit.
Po kështu, qeveria serbe nuk ka të ngjarë të shkëmbejë ndonjë (pjesë)territori për katër komunat veriore në Kosovë, ashtu si shumë vëzhgues kanë spekuluar, sidomos teksa zgjedhjet parlamentare në prill të vitit 2020po afrohen. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është shprehur i çuditur me vendimin e Uashingtonit për të emëruar dy të dërguar specialë për të përshpejtuar procesin e negociatave. Beogradi gjithmonë i ka drejtuar sytë nga Brukseli për të manipuluar dhe vonuar çfarëdo marrëveshje me Kosovën, duke shpresuar se mund të nxisë kryeqytete të ndryshme kundër njëri-tjetrit dhe të hyjë në BE para se të arrijë ndonjë marrëveshje përfundimtare me Prishtinën.
Duke pasur parasysh urgjencën e ritheksuar të Uashingtonit për zgjidhje, Beogradi mund t’i drejtohet gjithnjë e më shumë Moskës, për të neutralizuar ose prishur nismën, nëse (nisma) synon të ‘kurorëzohet’ me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara. Rusia madje mund të emërojë të dërguarin e saj ose të kërkojë një pozitë të barazvlefshme në këtë proces. Por ia vlen të kujtojmë se marrëveshjet e vetme që janë zbatuar me të vërtetë në rajon, siç janë Dayton dhe Prespa, janë ato ku Moska nuk ka luajtur asnjë rol.
*Botuar në Dita