Bujar Lako, më lejo mik
të të them 2 fjalë

Ike Bujar Lako, ike mik i shtrenjtë, njeriu i ngrohtë me atë fjalë të butë të zgjedhur dhe të shqiptuar si një jehon që vinte nga hone të brendshme.

Sa herët u njohëm bashkë, diku në vitet 70-të të shekullit të kaluar, ju luanit një rol dytësor te Prefekti i Besim Lëvonjës dhe vëllai yt Adhurimi shoku im i fëmijërisë na prezantoi, …Skena dhe ekrani do njihnin më pas një artist të përmasave të mëdha.

Aleksandër Prosi dhe Kadri Rroshi, Sulejman Pitarka dhe Thimi Filipi, Reshat Arbana dhe Tinka Kurti, por edhe aktoria e ndjerë Violeta Dede partneria juaj në shumë filma, do të njihnin forcën dhe madhështinë e artit tuaj.

Ti mik iu the me artin tënd të interpretimit regjizorëve, 'Ja ku jam'. Dhe Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjika, Kujtim Çashku, Muharrem Fejzo etj punuan me ju…Kinematografia fitoi me artin tënd ndoshta aktorin më modern në kinematografinë shqiptare. Portreti i plotë, dialogu, lëvizjet dhe dramaciteti të bënin një aktor më vlera botrore. U habitën me ty mik te Gjeneral Gramafoni, aq sa menduan se ishe klarinetist dhe i thanë Viktor Gjikës, në një festival në Stamboll, se si e bëre dot dhe aktor këtë muzikant…Te filmi “Ball për Ball” ishe një model i ushtarakut, te filmi “Dora e Ngrohtë” interpretuat rolin e një brigandi, te filmi "Udha e Shkronjave," një fshatar që zgjohet një ditë nga ideja e iluminimit, madje edhe të "Syri Magjik" që mori çmim ndërkombëtar në Egjypt (festivali Kairos) si konkurues në një festival të kategorisë së parë iu u nominuat me çmim. Por edhe te filmi "Muaji e Mjaltit"…ju kishit rol kryesor. Në Theatër mik…ishe brilant, tek “Macja në çatinë që përvëlon”, te ‘’Portreti i Dorian Greit”…Eh Bujar, sa e pabesë është vdekja.

Para dy javësh u pamë tek merrje karburant për makinë këtu pranë ish ekspozitës Shqipëria Sot.

Mira gruaja juaj e mrekullueshme në makinë buzëqeshte dhe ti ngrite krahun e më përshëndete, me atë zërin tënd të ngrohtë prej baritoni. Sa herë takoheshim pauza para se të flisje dhe balli që ngrihej në valë meditimi si tregues i një pasioni të rrëgjur brenda vetes. Oh sa dhimbje na le me ikjen e beftë. Andej sigurisht Panteoni të prêt. Bekimi Femiu, Kadriu-Parandili i pakët si kandili, Sandër Prosi, Prokop Mima, Drita Pelingu, Agim Qirjaqi, madje dhe Lazri që sapo iku në këtë gji dimri, janë shumë aq shumë sa frigohem se janë më tepër andej se këndej.

Më lejo mik të them ca fjalë që ndoshta s’ti kam thënë të plota. Të gjithë popujt dhe shkollat kinematografike kanë ikonat e tyre, ne të kishim ty Bujar Lako. Edhe me mënyrën si luaje me kameran, ai lloj hutimi që shpërqëndronte shikimin hedhur për askund, të bënte një mjeshtër, mjeshtër, mjeshtër…atë lloj sjellje me kamerën ia kisha parë vetem Marlon Brandos…Ju e kishit aq organike, aq origjinale dhe aq të natyrshme. Futja në dialogun me partnerin ishte një mjeshtëri e rrallë, ju i bënit dhe të tjerët të ishin të përfshirë, të kuptonin se sa i thellë ishte arti interpretimit, se çdo të thoshte të luaje në një film me Bujar Lakon…

Prej këtij mëngjesi nuk je më si të gjallët,…por je mes nesh, arti yt të ka bërë të tillë që nuk do harrohesh në gjithëkohësi. Mua do më mungosh…sa herë më thoje ta pimë një kafe të gjatë se dua të flasim…dhe se pimë. Të kërkoj ndjesë, tepër vonë, por mbase do më falësh…

Sa mirë që u lidhëm së fundmi dhe ne Fb..dhe herë pas herë shkëmbyem mendime dhe kujtime…Ike me paqen mik duke na lën pas misterin…! Nisi të na mari malli…Qofsh i Parasjës! Amin !

*Pkabo 26 dhjetor 2016

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit

Marrëveshja Hamas-Izrael, ekip i përbashkët Katar-Egjipt-SHBA për monitorimin e armëpushimit