Bujar Rama, një zë i veçantë 
brenda polifonisë universale poetike

Bujar Rama, një zë i veçantë <br />brenda polifonisë universale poetike
Vëllimi poetik “Nxito, Amarantë” është  libri i tretë me poezi i Bujar Ramës.  Autorin e njoha gjatë qëndrimit tim në Fier, me rastin e Panairit të parë të librit, ku pata rast të kem në dorë librin më të ri të tij  si dhe librin më të ri të një emri tjetër të talentuar dhe të veçantë, Petrit Nika.

Pas përshtypjeve të para si lexues i librit  “Nxito, Amaranta”, më mbetet vetëm të supozoj hapat e parë të Bujarit në poezi, gjithsesi ngjashëm me nismën dhe rrugën e të talentuarve: fillimet dhe vargjet e para mbase edhe me prirje rinore për të bërë përshtypje, e shpesh edhe me rebelizëm  e arrogancë … Që, me kohë vargjet të shtrohen e të bien në ulli dhe, rastësitë dhe sensacionet biografike të shndërrohen në përgjithësime artistike, të universalizohen, konkretësitë të abstrakohen, me një gjuhë poetike përmes së cilës natyrshëm rrëshqet e integrohet përbrenda familjes poetike të njerëzimit. Tani me zë të vet, me natyrë dhe shpirt të vet, individualitet të vet. Vëllimi i tretë me poezi i Bujar Ramës, mbase e dëshmon këtë ecuri pjekurie artistike…

Ja pse: është poezi shkarkuar nga prirja për të shpjeguar (justifikuar apo anatemuar) lidhjet komplekse me të kaluarën e errët, frustrimet, mundësitë-pamundësitë krijuese nën censurë, ngarkesë kjo e valës poetike pas rrëzimit të diktaturës, është poezi e shkarkuar nga entuziazmi për hapjen ndaj botës universale poetike, nga vetëkënaqësia  e zbulimit dhe kontaktit me shkollat dhe trendet moderne, që kryesisht e në të shumtën e rasteve del sipërfaqshëm dhe pa fuqi kreative përvetësimi, çliruar nga pretendimi se po sjellin diç fare të re dhe të paparë në hapësirën poetike të shqipes – faza të ecura për këto njëzet e ca vjet, ngutshëm dhe kaotikisht në më të shumtën e rasteve…

Shpresoj të jetë valë brezash kjo, e Bujar Ramës e Petrit Nikës dhe të tjerëve që paralajmëron, përkatësisht sjell konsolidim, qetësim, rrjedhë normale, stabilitet në zhvillimin e poezisë shqipe; valë e cila në rrjedhat universale poetike krijon shtratin e vet, ngjyrat dhe shijen e vet të veçantë, dalluese dhe gjithnjë në kontakt të ndërsjellë, si marrje dhe dhënie, pa të cilën nuk pranohet si zë më vete brenda polifonisë universale poetike asnjë poezi, asnjë letërsi.

Poezia e Bujar Ramës në këtë libër ndjehet vetvetja brenda familjes. Ndjesia në të, gëzim a dëshpërim, ka tërë botën brenda: edhe kur ngjizet nga refleksi konkret ajo shndërrohet vatër që jep e merr në dhe nga universi. Në këtë funksion janë simbol-njerëz e perëndi që nga lashtësia mitologjike e antikiteti dhe deri në ditët tona: lidhin, krijojnë ura të gjalla mes pikash e bëmash reale në gjithësi, që në poezinë e Bujar Ramës artikulohet me lehtësi dhe origjinalitet, e lexuesi ndjehet i përfshirë në tërësinë e kësaj bote-univers si pjesë e gjithëkohshme…

Dhe në këtë përfshirje, lexuesi, thuajse gjatë gjithë leximit do ta ketë ndjesinë se, në ngjyrën e zërit lirik, se ç’ka një plagë, seç është e pranishme një brengë, një dhimbje konstante. Edhe ne rastet kur frymëzimi ngjizet nga i pandreqshmi njeri dhe e pandreqshmja botë, në frymën e lirikës metafizike të Herderlinit, edhe kur ngjizet nga përditshmëria përreth dhe qytetit çatall dhe kakofonik, edhe kur ngjizet nga ngrohtësia intime, nga dashuria e gruas, edhe kur vijëzon pamje  nga hapësira kohë, ku më hapur dhe ku më diskretshëm, përvidhet ajo dhimbje...

Qoftë përmes sensacioneve lirike pamore, i imazheve impresive, surrealiste, ëndrrave dhe realiteteve, perceptimeve filozofike të njeriut dhe botës, të qënies dhe ekzistencës, të kuptimit dhe absurdit... Kjo plagë, përherë e hapur, qëndron përballë botës, njerëzve “ përsipër plagës sime  këmbën vënë”. Dhimbja ndërsa, në botën e zërit lirik, vjen gozhdë nga ku, “kullojnë plagë – kombinat çeliku, të qenë mbledhur bashkë”. Vuajtja e plagës në poezinë e Bujarit është e përhershme, totalitare do thoshim që duhet kuptuar, mbase edhe pranuar si e tillë, si fat-prere universale. Jo se qënia njeri, gjatë jetës nuk ka edhe çaste gëzimi, dhe edhe lumturie, por  vuajtja e dhimbjes mbetet gozhdë e përhershme.

Vargjet që kanë prirjen e lirikës refleksive në këtë rast vijnë shqetësim në kërkim të njeriut, të njerëzores që vazhdon të mbetet i papërsosur, “ që shijon duarkryq fitoret e ligësisë”. Në këtë ambient poeti i shtron pyetje vetes “ Ç’jam? ç’të jem? Dhe pse të jem si jam?”, dhe se “... qënka e vështirë të vdesësh, - apo dhe të jetosh, - kur nuk duhet...”, duke kërkuar ethshëm rrugën drejt gjetjes së vetvetes.

Në këtë poezi, kërkimi, rruga drejt gjetjes së kuptimit, qenies njeri që është rruga e gjetjes së vetvetes, artikulohet sintezë e emocionalitetit dhe refleksivitetit. Zëri i parë shfaqet si brendësi, si ndrydhje e lehtë, e qetë, që është e kundërta e së dytës, së cilës i lejohet zëshmëria. Perceptimi si thurje emocion-refleks, si përftim nëpër pamje e imazhe nga hapësira natyrë e gjithësi, imazhe të shtresuara në qenien e zërit lirik, në këtë poezi vjen sugjestiv, provokues dhe nxit përsiatje mbi qenien dhe ekzistencën.

E veçanta është se në poezinë e Bujar Ramës, zëri lirik e kërkon vetveten si poet i vërtetë: jo duke u robëruar në brendësinë e vet, por përmes përgjasimeve të asaj brendësie me universin e jashtëm, me fenomenet, misteret, magjepsjet e tij...Burim i dhimbjes së përhershme është vetë njeriu i cili në momente shndërrohet në mushkonjë që prodhon helm dhe që prek edhe pastërtinë e dashurisë, “ Thembrën e Akilit zemrës ma bënë”, që shndërrojnë në plagë edhe gëzimin, lumturinë intime...

Poeti e vuan edhe shpërfilljen e vlerës, krizën e saj. Sovran ndërsa është zëri lirik kur përthithet nga frymëzimi poet, “ Mendjen kur stis për të shkruar – nuk frikem se pranvera s’do të vijë”. Laboratori krijues është e vetmja hapësirë ku ai gjakon drejt përjetësisë të cilën Bujar Rama e artikulon mjeshtërisht në krahë të fenomeneve të natyrës. Dëshmi se dhimbja në këtë vizion dhe refleks krijues qëndron pranë çasteve dehëse të muzës.

Në krahët e gjuhës poetike aludive, me shkathtësi të veçanta ekspresive, në këtë vëllim, ka një numër poezish që ngjizen me qenien poezi, me qenien poet. I ndjeshëm ndaj frymëzimit dhe artikulimit përfundimtar të tij, ai e vuan fatin, trajtimin në mjedise, kohëra dashamirëse a refuzuese. Në këtë grup tematik lirikat e Bujarit kanë ngarkesë refleksive që nxisin shtigje të shumta përsiatëse mbi përjetshmërinë e kësaj qenie, që nga Orfeu mitologjik dhe poezia antike, Petrarka, Shekspiri, Pushkini e Uitmani, - deri tek Amaranta, personazhi i romanit “Njëqind vjet vetmi”, nga më tragjikët, të dhimbshëm dhe të pastër, përmasash kozmike-vatra universale dhe të gjithëkohshme, të dhembjes e gëzimit, të vuajtjes dhe shpresës, të mbërritura a të mos nisura, të vonuara apo të mangëta, siç vijnë edhe stinët në poezinë e tij, vijnë me ngarkesë, me shqetësimet e ngacmimet, ngazëllimet dhe dëshpërimet…

Shumica e vargjeve të këtij cikli tematik jehonë e ambientit, e rrethanave, e kohës së zërit lirik por të vendosura në hapësirë pa korniza. Disa nga ato e shënojnë që në titull frymëzimin tematik si për shembull “ Paskan ndryshuar kohët, poet”, “Udhëtoj mes vargjesh”, “Një mikut tim poet”, etj. si dhe tjerat që vijnë shtigjesh të tërthorta në këtë rreth frymëzimi, (Lot i kristaltë, Galatea, Skeptik për prolepsën, Stinë e vonë, Hesht, etj). Nga perspektiva të veçanta, secila përjetohet variant i ri i ecjes së përjetshme të poezisë, secila nxit reflekse përsiatëse, krijon përfytyrime, ecje bashkë me njerëzimin.

Vargjet e poezisë “Stinë e vonë” bie fjala, më ndërmendin vargjet e një poezie, gjithashtu të përkryer, të Besim Bokshit e cila flet për pranverën e vonuar dhe dritaren e zemëruar, dritaren që me ankth shprese e ka pritur tërë jetën pranverën që s’vjen, që e lodh dritaren, ia than lëngjet e shpresës, të jetës, aftësinë për t’u gëzuar, dhe, kur vjen e vonuar, nuk i vyen më…Dhe ngjashëm me vargjet e poezisë në fjalë dhe krejt libri në tërësi, shkëndijon imazhe, ide, reflekse të brendshme dhe që, varësisht nga mundësitë e shpalimit dhe të tërheqjes së tyre nga lexuesi, ato, në raste vijnë të pafundme.

Në hyrje të librit, poezia “ Eci qytetit”, vjen portë e madhe që në sipërfaqen e vet, hyrësin e paralajmëron për arkitekturën e brendshme të qytetit. Shenjash, detajesh, simbolesh të paka, të kursyera në reliefin e tillë, ato sinjalizojnë ecjen nëpër qytetin e poetit, nëpër qytetin tonë, qytetin e të gjithëve, sinjalizojnë imazhet, asociacionet, sensacionet e jetuara e përjetuara të zërit lirik. Të degëzuara në pafundësi, tani brenda qytetit-libër, në ngasje dhe provokim të njëra-tjetrës do ta popullojnë hapësirën dhe kohën dhe, si të tilla poeti sikur i gjen të gatshme.

Të ndërmend kështu besimin e imazhistëve, siç besonte Mandelshtam se poezia  shfaqet e gatshme dhe se poetët vetëm sa e nxjerrin, e çlirojnë nga pleksja, nga e tepërta, jehonë që nga Mikelangjelo se imazhin e sheh në masivin e shkëmbit dhe se atij i mbetet vetëm të gdhendë të tepërtën. Pikërisht në këtë faze procedimi, në studion e vet, Bujari, sipas përshtypjes sime, në gdhendje, në latim e ka më kërkimtar synimin drejt dendësimit, ngjeshjes dhe për pasojë, në disa raste, mbase  mjegullohen urat e kthjellëta të komunikimit. Do të zbritnin në përmasa më të qeta edhe nga zëvendësimi i tyre, urave, përmes shenjave të pikësimit, e mbase edhe prirja e tepruar për efekte vizuale të tekstit poetik…

Mbresëlënës gjithsesi edhe cikli i lirikave intime, sidomos vargjet kushtuar Nënës, bijve Gerit dhe Xhemios dhe bashkëshortes Majlinda. Të përmendim me këtë rast se lirika e dashurisë është sfidë ku zëri shquhet sheshit nëse është vetvetja ose i shtirur. Bujar Rama, e ka të veçantë dashurinë, ashtu siç shfaqet e veçantë ajo në të gjitha situatat. E papërsëritshme, me tërë ngjyrat e natyrën e vet, me tërë reflekset dhe sensacionet shpirtërore, të pranishme në tërësinë e vëllimit, e tillë është edhe poezia intime e këtij krijuesi të talentuar.

Në këtë vëllim poetik të Bujar Ramës, një numër i konsideruar poezish, kushtimisht mund të konsiderohen, përkatësisht emërtohen si hermetike, siç vërehet edhe në tekstet si parafjalë dhe pasfajalë që e shoqërojnë librin. Për mendimin tim, poezia lirike e këtij petku ka përparësi me që gjatë leximit lejon mundësinë e më shumë qasjeve, është e hapur për lexime alternative.

Fjala është gjithnjë për hermetizëm që vjen si gdhendje maksimale e diskursit për të synuar dhe për të arritur dendësi mendimi dhe emocioni, thellësi dhe shtrirje sa më të madhe, për dallim nga hermetizmi që fsheh boshësi… Eliptizmi maksimalisht i balancuar dhe harmonik që nuk e prek dhe nuk e lëndon vizionin lirik – mendimemocionin, është natyrë e veçantë e poezisë lirike në vëllimin “Nxito, Amarante” e Bujar Ramës.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato