Bujqësia, Edi Rama: Reforma
territoriale çelësi i zhvillimit

Bujqësia, Edi Rama: Reforma<br />territoriale çelësi i zhvillimit
TIRANE- Reforma territoriale do të jetë çelësi për nxitjen e zhvillimit rural në vend. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama, në konferencën me temë “Pagesat në bujqësi si mjet zhvillimi”, ku ka marrë pjesë ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe ambasadori i BE Etore Sequi e ku janë shpallur skemat e mbështetjes financiare për fermerët. Teksa theksoi rëndësinë e zhvillimit rural Rama tha se reforma territoriale s’është thjesht ndarje administrative por kryeskema e nxitjes së shkëmbimit dhe integrimit rural. “Reforma territoriale është një nga çështjet më të rëndësishme, jo thjesht një ndarje administrative apo kosto, por një mundësi e re për t’i dhënë vetes sonë një aftësi të re në mirëtrajtimin e burimeve të jetës. Kjo është kryeskema e nxitjes së shkëmbimit e integrimit rural”, tha Kryeministri.

Rama foli për skemat e mbështetjes së fermerëve, vlera e së cilës kap shifrën 1 mld 665 mln lek e njeh një rritje me 75% nga skemat e vitit 2013 kohë kur në qeverisje ishte në krye Sali Berisha. “Skemat tona nuk janë korruptive si skemat që kanë karakterizuar lidhjet mes qeverisë e fermerit deri më sot. Vlera e skemës është 1 mld 665 mln lek dhe është një rritje me 75% nga skemat e 2013”, tha Rama. “Mbështetja për shoqëritë në sektorin bujqësor është shtuar 40%. Për herë të parë, mbështetje financiare përfshin karburantin në serat me ngrohje, dhe besoj se kjo do të ndikoje në uljen e kostove për fermerët”, deklaroi Rama. Për të cilin është shumë e rëndësishme që tregu të zgjerohet në Kosovë. “Mendoj që ne si qeveri kemi përballë edhe një sfidë të tretë të rendesishme Integrimi rajonal, bashkëpunimi me tregjet e Kosovës.

Ne kemi hedhur hapa bashkëpunimi me qeverinë e Kosovës për këtë nismë”, tha Rama. Përveç skemës, kryeministri foli dhe për hapjen e shkollave profesionale pranë zonave blegtorale e bujqësore. “Ne mund të ndërtojmë rrjet shumë të besueshëm shkollash profesionale që t’i hapë rrugën zhvillimit në këtë sektor”, tha Rama. Ambasadori i BE Sequi kërkoi nga qeveria mbështetje për fermerët. “Ajo që i vret fermerët është mungesa e mbështetjes. Modernizimi i bujqësisë duhet të jetë paralel me zhvillimin rural. Përmirësimi i aftësive profesionale në bujqësi është shumë i rëndësishëm”, tha Sequi.

Rritja e konkurueshmërisë ishte një pikë ku ambasadori këshilloi që të fokusohej, pasi kjo do sillte rritje e zhvillim. Por këtë zhvillim, Sequi nuk e sheh vetëm çeshtje kapitale por dhe çështje rritjeje njohurish, ndaj vlerësoi krijimin e rrjetit të shkollave profesoinale pranë zonave blegtorale dhe bujqësore. Ky ishte takimi i parë i këtij lloji që qeveria Rama organzion për të prezantuar reforma bujqësore dhe për t’i akorduar fermerëve dhe bizneseve bujqësore mbështetje ekonomike.

Skema e mbështetjes për bujqësinë
 
Arritje
Këshilli i Ministrave alokoi vlerën totale të fondit për bujqësinë në masën 1.66 miliardë lekë ose rreth 71% më shumë krahasuar me një vit më parë.  Rritja e financimit publik brenda 100 ditëve të para qeverisëse konkretizon premtimin e qeverisë për shtim të masës së përfitimit dhe rritje progresive të numrit të përfituesve për çdo skemë mbështetje, për çdo qark të vendit.
 
Skemat e reja
Mbështetja e karburantit për serrat me ngrohje dimërore në masën 50% të kostos për fermë;-Ulje e kostos së prodhimit dhe zbutjes së sezonalitetit të prodhimit në serrat me ngrohje dimërore;
Rritja e masës së mbështetjes për:
blegtorinë e imët -> 60 %, nga 500 në 800 lekë për krerë;
bletarinë -> masa e përfitimit rritur rreth 70%, nga 600 në 1,000 lekë për koshere (duke i mundësuar mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes nga Varroatoza);
mbjelljen e vreshtit ->  140 % ose nga 2,5 në 6 mln lekë për ha

Nxitjen e kooperimit në bujqësi (shtuar me 40 % - nga 5 në 7 mln lekë) përmes mbështetjes me përparësi :
të blerjeve në grup të pajisjeve të mekanikës bujqësore, traktorëve dhe moto-kultivatorëve;
të ngritjes së qendrave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtisë me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale;
Mbështetja e projekteve për hapje pusesh, rezervuare për vaditje dhe lera;
Nxitja e përdorimit të farave dhe fidanëve autoktonë të ullirit, shegës dhe gështenjës; (200 deri në 250 mijë lekë /ha)

 Mbështetje e bimëve medicinale (deri në 250 mijë lekë ha ose 25%) dhe shtimi i gamës së tyre;
Përmirësimi racor (racat autoktone);
 Mbështeten për herë të parë racat autoktone të bagëtive të imëta(1,500 lekë krerë)si dhe lopa vendase (10,000 lekë)
Për herë të parë prezantohet mbështetja financiare e sektorit të akuakulturës, në masën 25 % të faturës për rasat dhe ushqim;
 Prodhimi i mjaltit, vaji i ullirit;

 Vreshti (vera);
Mbrojtja e ullishteve nga miza e ullirit; kërkesë jo vetëm nga kultivuesve të ullirit, por edhe nga agropërpunuesit, në drejtim të sigurimit të cilësisë-ekstra vergjine dhe plotësimit të standartit për eksport.
Mbështetja e fermerit në masën 25% të faturës tatimore për plehëra dhe pesticide organike;
Orientimi i prodhimit në pikat e specializuara të përpunimit që sigurojnë dhe standartin e kërkuar, konkretisht ulliri tek fabrikat e përpunimit të vajit dhe rrushi te kantinat e prodhimit të verës;
Mbulimi i kostos për çertifikimin e cilësisë për vajin e ullirit, verën dhe mjaltin;

 Skema e kredisë:
- Mbulimi i normës së interesit deri në 70%, (nga 250 në 300 mln lekë ose 20% rritje); (lehtësim për fermerët përmes zgjatjes së afatit të maturimit dhe zgjerimit të gamës së objektit të investimit);
Konceptuar në mënyrë të tillë (përmes pikëzimit) që të favorizojnë projekte që aplikojnë standarte të larta cilësie dhe sigurie ushqimore.


Shkrimi u publikua sot (07.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë

Kina dhe Rusia kryejnë patrullim të përbashkët ajror mbi Detin e Japonisë