Për të folur në lidhje me hapësirat e gjelbra në Tiranë, kandidati i majtë për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj ka zgjedhur Kopshtin Botanik.

“ Kjo është e vetmja hapsirë që nuk është betonizuar në këto 4 vite”, tha Veliaj në fillim të fjalës së tij, teksa ka theksuar se është për të ardhur keq kur dëgjon raporte se ç'do vit në Tiranë vdesin 500 njerëz nga sëmundjet e mushkërive.

Ai ka bërë 5 zotime dhe ka paraqitur 5 projekte për Tiranën, për ti kthyer asaj pastërtinë dhe gjelbërimin e munguar, të cilat do të marin jetë menjëherëe pas marjes në drejtim nga ana e tij e bashkisë së Tiranës

5 pikat e kontratës për hapësirat e gjelbra:
 
1. Rehabilitim dhe gjelbërim i 6000 m2 hapësira publike të çliruara nga ndërtimet informale gjatë 2 viteve të fundit në Tiranë;
2. Rigjenerim dhe transformim i ish-zonave industriale të Tiranës në hapësira të gjelbërta dhe në shërbim të komunitetit;
3. Aplikim i projektit “Fasadat e Gjelbërta” me qëllim krijimin e hapësirave të gjelbërta vertikale;
4. Identifikim dhe shndërrim i hapësirave potenciale brenda blloqeve të banimit në hapësira të gjelbërta në partneritet me komunitetin dhe bizneset e zonës;
5. Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Bashkisë së Tiranës përgjatë gjithë rrjedhës së tyre.
 

Projektet :

Bulevardi i ri i Tiranës
Do të shtrihet në një zonë ende të pazhvilluar në aspektin urban. Do të jetë zgjatim i bulevardit ekzistues, do të gjallërojë zonën me hapësira shërbimesh  e aktivitetesh rekreative dhe do të krijojë një sërë hapësirash të gjelbra, duke funksionuar si një park qendror. Do të përfundojë në lumin e Tiranës, ku do të realizohet projekti i Parkut T.
 
Parku i Integruar i Liqenit dhe Parku Olimpik i Tiranës
Projekti do të mbrojë hapësirën ekzistuese të liqenit dhe do ta zgjerojë atë duke e integruar me Parkun Zoologjik, Kopshtin Botanik dhe Parkun Olimpik. Do të ketë investime infrastrukturore dhe ndriçim të rrugëve. Parku Olimpik do ndërtohet tek kompleksi Dinamo dhe do të jetë kompleksi i parë në vend që do të përmbledhë të gjitha federatat sportive në ambiente mjaft cilësore.
 
Kopshti Zoologjik
Do të kthejë një nga kopshtet më të trishta në botë në një park zoologjik me standarde bashkëkohore. Numri i kafshëve do të rritet dhe kafshët nuk do mbyllen më në kafaze, por do të qëndrojnë në mjedise të hapura të ngjashme me habitatin e tyre natyror.
 
Parku i Besimit
Park që do jetë simbol i harmonisë dhe tolerancës fetare në Shqipëri. Do ndërtohet përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, ku do të mbillen pemë e bimë që përmenden në Librat e Shenjtë.
 
Parku i Liqenit të Kasharit dhe Liqenet e Tiranës
Liqeni i Kasharit do të kthehet në një park të madh çlodhës që do të ofrojë shërbime unike për banorët e Tiranës metropolitane dhe banorët e zonave periurbane e rurale. Parku do të ofrojë mjedise për shëtitje në pyll, agro-turizëm, plazh si edhe sporte të ndryshme ku veçohet pista e notit. Nga këtu do të nisë një shteg që do lidhë Liqenet e Tiranës duke krijuar një korridor rekreacional për ecje, ekskursione e çiklizëm.
 

Veliaj premtoi rehabilitimin dhe gjelbërimin e 6000 m2 hapësira publike, të cilat janë çliruar nga ndërtimet informale gjatë 2 viteve të fundit në Tiranë, si dhe rigjenerimin e ish-zonave industriale të Tiranës në hapësira të gjelbërta dhe në shërbim të komunitetit. Gjithashtu, ai prezantoi projektin interesant “Fasadat e Gjelbërta”, i cili synon krijimin e hapësirave të gjelbërta vertikale. Sipas Veliajt, pas 21 qershorit do të bëhet identifikimi dhe shndërrimi i hapësirave potenciale brenda blloqeve të banimit në hapësira të gjelbërta në partneritet me komunitetin dhe bizneset e zonës, si dhe do të pastrohen nga mbetjet lumenjtë e territorit e Bashkisë së Tiranës përgjatë gjithë rrjedhës së tyre.

“Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë arrin në 63.88 µg/m3, krahasuar me kufirin maksimal prej 40 µg/m3 për vendet e BE. Ne jetojmë në një qytet që është tërë kohën në alarm. Madje, disa zona si 21 dhjetori, janë më rëndë se kaq. Ja në ç’gjendje jemi sot, kurse këta thonë na jepni edhe 4 vjet se do jemi ndryshe. Po si? Sot Tirana urbane ofron vetëm 1 m2 hapësirë të gjelbërt për banor, krahasuar me standardin minimal europian prej 7m2 për banor. Por, si çdo mall i vjedhur, Tirana këto 4 vjet as është dashuruar dhe as respektuar”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se Lulzim Basha nuk mbajti asnjë premtim nga ato që tha në vitin 2011, porse vetëm ka gënjyer. “Në 2011 Basha tha se do të dyfishojë hapësirat me gjelbërim. Ku është ky dyfishim? Te 60 lejet e ndërtimit që u dhanë këto 4 vjet? Te lejet e ndërtimit te diga e Liqenit? Këto janë lejet e Saliut dhe Shkëlzenit. Gjërat kanë një emër dhe ato duhen thënë”, u shpreh Veliaj.

Redaksia online
(o.b/ Shqiptarja.com)