TIRANE- I arrestuari Gjini Nika, që dyshohet nga policia e Tiranës se ka kryer me pagesë vrasjen e dy biznesmenëve të kromit, rezulton të jetë vetë i përfshirë në tregtinë e mineralit të çmuar që nxiret në minierën e Bulqizës. Një gjë e tillë sipas burimeve policore vërteton luftën mes grupeve mafioze për ritjen e influencës së tyre në galeritë e minierës. Si pasojë e kësaj lufte në këtë treg tepër të errët, janë vrarë gjatë viteve të fundit disa biznesmenë, ku vetëm për dy të fundit si Qerim Marku dhe Hasan Talja, mendohet se ekzekutor është shtetasi tashmë i arrestuar Gjini Nika.

Për policinë e Tiranës, ky i fundit dyshohet se vrasjen i ka kryer me pagesë, ndërkohë që vetë zotëron 50 për qind të aksioneve të kompanisë “Gjini-Nika”, që nxjerr mineralin e kromit në Bulqizë. Pjesën tjetër të aksioneve e zotëron me biznesmenin Arben Frroku, i cili rezulton tia ketë blerë për 15 mijë euro 50 përqind të aksioneve. Nuk bëhet fjalë për Frrokun që akuzohet për vrasjen e kryekomisarit Lamaj. Nga verifikimi rezulton se momentalisht administrator i kompanisë “Gjini-Nika” është shtetasi Arben Frroku, ndërkohë që i dyshuari i policisë për vrasjes zotëron vetëm 50 për qind të kapitalit në kompani.

Shitja e aksioneve
Gjini Nika, i cili deri në janarin e vitit 2009 zotëronte 100 për qind të kapitalit, në 9 janar të këtij viti vendos t’ia shesë gjysmën e kapitalit të kompanisë biznesmenit Arben Frroku. Gazeta “Shqiptarja.com” zbulon se kontrata e shitjes është bërë përpara noterit Ilir Qejvani dhe se blerja e aksioneve është bërë kundrejt 15 mijë eurove. Ndërkohë pas këtyre veprimeve, Gjini Nika është larguar nga posti i administratorit, ku në krye të kompanisë është vendosur biznesmeni Frroku. Qëndrimi i tij në krye të kësaj kompanie është me një afat 5 vjeçar.

Që nga 2009 kompania e kromit drejtohet nga Arben Frrokun, ndërkohë shpesh herë në zonën e Bulqizës, Nika dhe Frroku janë bërë problem për policinë e zonës, si pasojë e konflikteve të hapura me grupet rivale që nxjerin mineralin e kromit në galeritë e minierës. Pikërisht ky biznes që kryhet mes konflikteve të hapura të grupeve mafioze, dyshohet se ka qënë shkak edhe për vrasjen e Qerim Markut në vitin 2013 dhe Hasan Taljas, disa ditë më parë, kur ai po hynte në banesën e tij në Tiranës. Pikërisht për këto dy vrasje, policia e kryeqytetit ka ngritur dyshime të forta se autor i tyre është aksioneri i kompanisë që mban të njëjtin emër me shtetasin Gjini Nika. Pritet që gjatë kësaj jave Nika të dalë para gjykatës së Tiranës, për tu njohur me masën e sigurisë.

Precedentët penale
Emri i Gjini Nikës nuk është i panjohur për policinë e Shtetit, pasi ai rezulton si person problematik dhe i implikuar në disa ngjarje kriminale në këtë zonë. Nika, është dënuar nga gjykata e Dibrës dhe e Apelit Tiranë, për plagosjen e shtetasit e Shkëlqim Shehut. Për këtë ngjarje Nika është dënuar me 1 vit burg, ndërkohë dënim ka marrë dhe për akuzën e “Armëmbajtjes pa leje”, si dhe “Falcifikimit të dokumentave”.

faksimile
 

Shkrimi u publikua sot (22.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)