Së bashku me pohimin e Kryeministrit për mundësinë e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, mendoj se bëhet një hap i madh përpara, jo për të dënuar komunizmin haptas e pa mëdyshje, mundësi tepër abstrakte për formimin dhe vullnetin e klasës sonë politike, sidomos të së majtës, por së paku për të nxjerrë në dritë një pjesë të veprimtarisë së tij kriminale në dëm të shqiptarëve.
Natyrshëm në këtë rast shtrohet pyetja: a ishte kaq e rëndësishme për t’u ruajtur me kaq ngulm e fshehta e këtij bunkeri dhe ajo e sivëllezërve të tij në gjithë Shqipërinë edhe mbas një çerek shekulli të tjetërsimit të sistemit e shfaqjes në skenën politike të partive “antikomuniste” të cilat, në pothuaj 13 vjet qeverimi, nuk thanë asnjë gjysmë fjale për qenien e tyre ?
A thua se edhe “paria” e Tiranës e këtij 23-vjetori “demokracie”, i besonte tezës së Enver Hoxhës se ne jemi “qendra e botës” në mbrojtje të marksizmit e, si e tillë duhej të ishim gati të përballonim një sulm të kombinuar të dy superfuqive, nëpërmjet bunkerëve të mbirë si kërpudhat mbas shiut, mbi dhe nën tokën e lashtë të Arbërit.
Dikush mund të qeshë me këta rreshta, por i nënshkruari, atë argument e ka pasur në akt-akuzën që i kushtoi një dënim prej 8 vjetësh privim lirie e pune të detyruar. Madje një oficer i lartë i Hetuesisë së përgjithshme, në një ballafaqim në hetuesinë e Lushnjës, në mënyrë “dashamirëse” më tha se pohimi i im për pamundësinë e përballimit të sulmit të dy superfuqive, rridhte ngaqë un nuk njihja aftësinë mbrojtëse të Shtetit tonë.
Misteri i “mbrojtjes” nëpërmjet bunkerëve vazhdoi të zotërojë edhe në këta vite, kur bota ka ndryshuar kaq shumë e Shqipëria, si pasojë e interesave strategjike të NATO-s, sot është anëtare e saj. Të më falë lexuesi për parantezën vetjake që hapa, por mendoj se pushtetarët e lartë të PD-së gjatë këtyre viteve, do të duhej të jepnin një shpjegim mbi arsyet e ruajtjes së “sekretit” të bunkerëve, kryesisht t’atij që u hap në ditët e shkuara. A mos qe një sakrilegj vendimi i Kryeministrit aktual e çfarë “dëmi” i solli ai Shqipërisë së sotme?
Askush nuk vë në dyshim masat mbrojtëse që secili shtet duhet të marrë në truallin e tij, për të përballuar një agresion të mundshëm nga jashtë. Shqipëria, për historinë e saj dhe pozitën gjeografike, mbetet një subjekt mjaft i ndjeshëm n’atë drejtim. Por strategjitë për mbrojtjen kudo janë të kushtëzuara nga dy faktorë: përmasa e rrezikut që kërcënon dhe mundësitë në fushën ekonomike-financiare për të përballuar shpenzimet e nevojshme. Mbetet parësore në këtë drejtim edhe politika, sistemi i aleancave, shfrytëzimi me zgjuarsi i konjukturave. Autarkia n’atë kontekst është një luks që pak popuj mund t’i a lejojnë vetes.
Po t’i hedhim një sy gjendjes së Shqipërisë, të rajonit e botës në fillim të viteve ‘70, do të bindemi se rreziku imperialisto – revizionist, aq shumë i përfolur nga Enver Hoxha dhe ithtarët e tij, ishte thjesht një prodhim i fantazisë për të justifikuar mbylljen hermetike të Vendit e terrorin brenda tij. Blloku lindor e kishte kaluar tronditjen e “Pranverës së Pragës”, madje dhe dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës, nuk kishte pasur asnjë kundërveprim, gjë që tregonte se rëndësia jonë për të ishte krejt e papërfillshme.
Kina, referentja kryesore e regjimit shqiptar, kish kuptuar se “revolucionet kulturore”, teoritë e Lin Biaos dhe ekstremizmi i grupit të gruas së Maos, nuk sillnin asnjë dobi në planin e jashtëm apo të brendshëm. Drejtuesit kinezë po i hapnin rrugën hyrjes së Vendit në fushën e politikës që peshonte, nëpërmjet “diplomacisë së ping-pongut” e bisedimeve me administratën Nikson në SHBA. Lufta në Vietnam po shkonte drejt zgjidhjes paqësore, nëpërmjet bisedimeve të Parisit dhe në Ballkan nuk frynin erëra lufte.
Regjimi i Shqipërisë mundohej të krijonte një forcë autonome të komunizmit botëror, me disa grupe t’ashtuquajturish marksistë – leninistë, nga Vende të ndryshme t’Evropës e të botës të cilët, krejtësisht të panjohur e mikroskopikë në Vendet e tyre, kishin gjetur një mënyrë të mirë financimi nga Shqipëria, duke bërë propagandë për të dhe drejtuesin kryesor të saj. Nuk di nëse ka ndonjë shqiptar të moshës së re që ka në kujtesën e tij emra si Fosko Dinuçi, Jak Gripà, Joao Amazonas, apo të tjerë “udhëheqës” të proletariatit botëror, që faleshin 2–3 herë në vit në teqenë e Enver Hoxhës në Tiranë.
Duhet të zbulohet edhe misteri sesa kushtoi ky bunker
Pikërisht në këtë kohë, kur edhe ndihmat kineze në perspektivë do të ndërpriteshin, si pasojë e kundërshtimeve të udhëheqjes shqiptare ndaj “hapjes së Kinës”, kjo e fundit hartonte një plan të stërmadh për ndërtime bunkerësh e tunelesh.
Nuk e dimë me saktësi se cila ka qenë përqindja e shpenzimeve ushtarake në buxhetin e shtetit të viteve ‘70, mbasi askush nuk ka vendosur të heqë perden e misterit mbi to por, nga një llogari e thjeshtë vetjake mbi kostot e ndërtimeve, më rezulton se me paratë e shpenzuara për 700.000 bunkerë mbi tokë mund të ishin ndërtuar 1,4 milion apartamente banimi me dy dhoma e kuzhinë. Po t’i shtojmë atyre shuma edhe më të mëdha për tunelet e nëndheshëm që mbaheshin të fshehtë, si ai i Bunk – Artit mund të përfytyrohet sesa rrugë, shkolla, spitale, qendra turistike etj. Do të ishin ndërtuar në Shqipëri, sikur ato para të mos varroseshin në objekte të kota e pa asnjë dobi reale.
Sa mijëra familje shqiptare, n’ato vite, jetonin duke ndarë më dysh një apartament me banjo të përbashkët, të kthyer edhe në vend gatimi. Sa mijëra fëmijë që nga fillorja bënin mësim në klasa të përbashkëta, apo me dy ndërresa, sepse mungonin hapësirat e nevojshme. Sa njerëz të sëmurë vuanin sepse spitalet, një për çdo rreth, nuk kishin shtretër të mjaftueshëm, për të mos folur për aparatura bashkëkohore e barna të domosdoshme.
Sa qindra km. rrugë t’asfaltuara mungonin në një Vend ku kalldrëmet ishin shumica dërmuese e lidhjeve të zonave rurale me rrugët kombëtare. Po t’i shtojmë këtyre domosdoshmërive edhe gjendjen e mjeruar të kooperativave bujqësore, ku fshatarët punonin në një pjesë të madhe për një bukë e, në rastin më të mirë, për një kg. sheqer në ditë, do të kemi një tablo të qartë të krimit shtetëror në dëm të popullit shqiptar, nëpërmjet shpërdorimit mizor të parave për ndërtimet ushtarake.
Krimi komunist nuk është përqendruar vetëm në asgjësimin e kundërshtarëve ose të supozuar të tillë, së bashku me familjet në harkun kohor të tri brezave. Ai është edhe hartimi e zbatimi i politikave ekonomike që e çuan popullin shqiptar në gjendjen e bagëtisë, së cilës i kërkohej “të hante bar, por të mos dorëzohej” Nëse ka ende shqiptarë që bëjnë se nuk e kanë kuptuar këtë dukuri të tmerrshme të së shkuarës sonë t’afërt, shpresat për Shqipërinë evropiane mbeten vetëm një ëndërr e pasendërtueshme. Evropën duhet ta pranojmë së pari në mendësinë tonë, në mësimet nga përvoja jonë, në prirjen për të ruajtur pjesën e shëndoshë e morale të saj e për të hedhur poshtë pa mëdyshje çdo shfaqje të trashëgimisë negative të diktaturës komuniste.
”Kush nuk don t’arsyetojë është një fanatik;
kush nuk din t’arsyetojë është një trupeshk;
kush s’guxon t’arsyetojë është një skllav.”
W. Drummond (Poet skocez 1585 – 1649)
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Dhjetor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)