Bunk‘Art mbush 1 muaj, shënon
një sukses të jashtëzakonshëm

Bunk‘Art mbush 1 muaj, shënon<br />një sukses të jashtëzakonshëm
TIRANE- Mbushet plot një muaj nga çelja e Bunk‘Art dhe nuk kanë reshtur ende surprizat e fluksi i vizitorëve. Të dielën në Bunk‘Art kanë vërshuar veç vizitorëve vendas edhe 150 turistë të huaj.

Më 22 nëntor 2014, 25 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri doli në dritë një nga sekretet më të fundit të regjimit të Enver Hoxhës, “Objekti 0774”.

Për të festuar 70-vjetorin e fundit të Luftës II Botërore në Shqipëri, bunkeri sekret i Enver Hoxhës u hap për publikun me ekspozitat e reja dhe objektet ekzistuese të bunkerit të nëndheshëm antibërthamor. Më 22 nëntor 2014, kryeministri Edi Rama së bashku me Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, dhe Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, inauguroi çeljen e Bunk’Art. Vizitorët e parë hasën në një numër të madhe ekspozitash të detajuara historike dhe artesh bashkëkohore brenda kësaj shpelle mbrojtëse ndaj sulmeve bërthamore.

Duke nisur nga data 22 nëntor 2014, vizita në Bunk ‘Art është kthyer ditë pas dite, jo vetëm në kërshëri për të njohur bunkerin e nëndheshëm antibërthamor, por edhe në një trend të të rinjve dhe turistëve. Flukset e vizitorëve rikthehen mbi dy herë atje për të riparë ekspozitat dhe reliket e diktaturës. Tundimit për t’u rikthyer në Bunk’Art nuk i kanë shpëtuar edhe ambasadorët e shteteve të tjera në Shqipëri, diplomatët dhe ministrat.
 
Bunk’Art, edukim përmes argëtimit
Shumë të rinj, nxënës shkollash dhe studentë “kanë braktisur” fundjavave kafenetë si vend takimesh me miqtë dhe kanë zgjedhur të shkojnë së bashku në Bunk’Art. Kalojnë një kohë të gjatë aty, shuajnë kureshtjen, bëjnë fotografi, shumë komente rreth objekteve që vëzhgojnë dhe ikin duke marrë me vete kujtime nga ky muze i nëndheshëm, që pa mbushur ende një muaj nga dita çeljes ka marrë famë në mediat prestigjioze ndërkombëtare.

Pas fluksit të vizitave “këmbëngulëse” në ditë me shi apo me diell, fotografitë e vizitorëve që kanë shkuar atje shpërndahen menjëherë në Facebook nga intelektualë, të rinj, njerëz të thjeshtë dhe nisin diskutimet për gjithçka kanë parë, për kohën e shkuar dhe të sotmen, reflektojnë, mësojnë prej dokumenteve historinë e vendit të tyre. Ekspozitat e detajuara historike, të ndara sipas periudhave korrespondente në Bunk’Art janë kuruar  nga historiania Sonila Boçi dhe gazetarja Admirina Peçi. Ato prezantohen përmes një alternimi delikat në mes të artit dhe historisë. 

Nga ana tjetër, duke parë sesa e madhe ka qenë kureshtja e nxënësve të shkollave dhe studentëve kuptohet qartë se imazhet dhe dokumentet arkivore ofrojnë një miniprogram arsimor për të kuptuar më mirë historinë shqiptare dhe kontekstin në të cilin bunkeri u ndërtua. Ekspozitat përcaktohen sipas ngjarjeve madhore në histori e shekullit të 20-të në Shqipëri, në Luftën II Botërore dhe periudhën Komuniste; ky seksion gjithashtu tregon disa aspekte të jetës politike dhe sociale që kanë influencuar evolucionin e vendit.
 
E rallë, si erdhi supersuksesi
E rallë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë në asnjë aktivitet koncertor ose artistik në Shqipëri një pjesëmarrje kaq e madhe. I vendosur në periferinë veriperëndimore të Tiranës dhe i futur 100 metra nën një mal, ky strehim 2,685 m² është i përbërë prej 5 kateve dhe 106 dhomave. Vizitorët kalojnë nëpër hapësirat që janë pjesë e ‘strukturave speciale’ të ndërtuara nga Hoxha për të mbrojtur elitën e Republikës Popullore të Shqipërisë në rast të ndonjë sulmi bërthamor. Për kohën kur u ndërtua “Objekti 0774” mund të konsiderohej si një kompleks “me pesë yje”. Në këtë objekt, përgjatë një muaji vizitorët kanë prekur nga afër hapësirat ku mendohej të jetonte diktatori Enver Hoxha dhe

Kryeministri i diktaturës Mehmet Shehu. Aty është dhoma bashkëshortore e Enver Hoxhës dhe dhomat për familjen dhe stafin e tij, ashtu siç ishin në 1978. Zyra, telefona përgjimi, pajisje për dezinfektim bërthamor, një bar-bufe dhe një dhomë me 200 ndenjëse për Kuvendin Popullor. Duke iu ekonomisë së kohës dhe mobilieve të pakta që kishin shqiptarët në diktaturë, vizitorëve që kanë jetuar atë kohë iu ka bërë përshtypje luksi i këtyre orendive. Jo pak vizitorë kanë bërë fotografi me makinën luksoze Zim-12, dhuratë nga Stalini për Hoxhën, e cila ekspozohet në hyrje të bunkerit.

Së fundi, Çelja e Bunk’Art u kthye në një supersukses, sepse ai u projektua nga organizatorët si një simbol i fuqishëm që bën bashkë kreativitetin dhe shprehjen e lirë të artistëve brenda strukturës që përfaqëson diktatura dhe censura e kohës. Mes videove-projeksioneve dhe filmave, 11 artistë shqiptarë kanë shprehur një vizion më të zgjeruar për historisë e vendit të tyre. Dhe qershia mbi tortë: vizitorët pasi përfundojnë vizitën e tyre në objektin e nëndheshëm qëndrojnë edhe pak aty brenda për të pirë një kafe në një bar të paprekur të epokës komuniste, ku edhe baristja është e njëjta që ka qenë në vitin 1978.

Quhet Natasha. Vizitorët kalojnë çdo ditë pothuajse 2 orë aty poshtë, duke eksploruar të kaluarën kolektive shqiptare, ku gjurmët e saj i gjejnë në këtë botë misterioze nëntokësore të objektit 0774. Bunkeri 5-katësh ka qenë pjesë e një programi për ‘bunkerizimin e Shqipërisë së izoluar dhe ndarë nga bota. U ndërtua mes viteve 1967 dhe 1985. Ishte koha kur në Shqipërinë komuniste u ndërtuan rreth 700,000 bunkerë, të cilat reflektuan radikalizmin e regjimit komunist, duke shpikur sulme të mëdha nga jashtë, të cilat as kishin ndërmend të vinin e as nuk erdhën kurrë....
 
Bunk’Art të dielën u vizitua nga  150 turistë të huaj. Ja përshtypjet
Ndryshe nga ditët e tjera ketë të diel në “Bunk’Art” ishin të pranishëm shumë të huaj, të cilët ishin të interesuar për ndërtimin e një vepre kaq e madhe nga udhëheqja komuniste. Rreth 150 turistë nga vende si: Suedia, Rumania, Turqia, Luksemburgu dhe Kina, kishin zgjedhur të vizitonin dhe të mësonin ndërtimin e një bunkeri anti-bërthamor. Një ndër vizitorët nga Suedia Walte Larson, ndau disa nga përshtypjet e tij, lidhur me impresionet që i jep ish-sistemi komunist në Shqipëri.

“Është e mahnitshme të shikosh një bunker të ndërtuar për t’i rezistuar një sulmi bërthamor. Përshtypja e parë janë te fotografitë për fillesat e krijimit të komunizmit. Kështu është mjaft interesante të shikosh dhe të lexosh rreth kësaj periudhe. Është impresionuese dhe kjo është hera e parë që unë shikoj diçka të tillë. Dhe më mirë që e kanë bërë të hapur edhe për publikun të kaluarën komuniste. Në këtë bunker është një pjesë e historisë dhe vendstrehim për udhëheqësit e kohës, dhe unë jam duke i lexuar për ta kuptuar atë kohë”, tha vizitori suedez Larson.

“Aktualisht jam i mahnitur për të pare të kaluarën komuniste të Shqipërisë dhe të mësoj të vërtetën rreth asaj kohe. Kjo është vizita ime e parë që bëj në një muze në Shqipëri dhe për këtë gjë jam i lumtur”, tha vizitori nga Luksemburgu. Deri më sot e kanë vizituar “Bunk’Art” mbi 50 mijë njerëz dhe trendi është gjithnjë e në rritje për ta parë bunkerin anti-bërthamor. Ndërsa, “Bunk’Art” do të qëndrojë i hapur për publikun deri në fund të dhjetorit për t’u rihapur përsëri pas disa kohësh.

bunkeri

































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Fituan medalje të artë, 30-vjeçarja merr propozim nga 'shoku' i shkuadrës

Paris 2024/ Fituan medalje të artë, 30-vjeçarja merr propozim nga 'shoku' i shkuadrës