Bunk’Art, shtohet kureshtja
për reliket e diktaturës

TIRANE- Fluksi i vizitorëve në Bunk’Art në ditën e trembëdhjetë të çeljes së tij nuk ka reshtur. Në këto foto që janë marrë ditën e djeshme duket interesi i lartë i vizitorëve të çdo moshe. Ekspozitat e shumta, por edhe reliket e periudhës së komunizmit të vendosura në bunkerin e nëndheshëm “Bunk’Art” vijojnë të jenë ende më të vizituarat nga qytetarët e shumtë.

Përveç dhomave të udhëheqësve politikë të asaj kohe, si dhoma ku duhej të strehohej Enver Hoxha apo Mehmet Shehu në rastin e një sulmi antibërthamor, me mjaft kureshtje janë parë edhe objekte të ndryshme që përdoreshin rëndom në kohën e diktaturës e ruhen deri në ditët tona, si gotat, kolltukët, mobiliet, jorganët prej pambuku e atllasi të dizenjuar me qepje me dorë, etj. Një nga 106 dhomat më të vizituara është edhe “Muzeumi i Ndërlidhjes”. Kjo hapësirë i është dedikuar pikërisht komunikimit gjatë asaj periudhe ku aparaturat janë mjaft të përparuara për kohën.

Një slogan i regjimit komunist, por që edhe sot e kësaj dite, përdoret nga të gjithë ushtritë e botës është: “Pa ndërlidhje, nuk ka komandë dhe pa komandë, nuk ka fitore”. Një pjesë e bunkerit, që për arsye sekreti, edhe sot është e ndarë nga pjesa tjetër e tunelit, ishte e destinuar për impiantin e ndërlidhjes.

Në këtë dhomë janë ekspozuar disa nga aparatet origjinale të përdorura në vite nga ushtria shqiptare. Ato që duken më moderne ishin instaluar në repartin e ndërlidhjes së këtij bunkeri të inauguruar nga Enver Hoxha me 28 qershor të 1968.

Përpos veçantisë së kësaj dhome në korridoret jashtë saj ekspozohet një foto e ish-diktatorit Enver Hoxha, i cili foton e ka realizuar pikërisht në vendin ku është vendosur. Që prej datës 22 nëntor, kur është çelur, Bunk’Art, edhe ekspozita e 70-vjetorit të Çlirimit vijon të jetë mjaft e vizituar.

Ajo “studiohet” me vëmendje nga një fluks i lartë qytetarësh të të gjitha moshave, të cilët duket qartë se duan të njihen me ngjarje të panjohura të historisë së vendit tonë. Dokumentet origjinale të kësaj ekspozite janë zbuluar në Arkivin Qendror të Shtetit dhe në institucione të tjera drejtuese të vendit. Ekspozimi i tyre është kuruar nga historiania Sonila Boçi dhe gazetarja Admirina Peçi. Bunkeri i nëndheshëm 5-katësh u ka ofruar dje kënaqësi edhe të apasionuarëve pas instalacioneve artistike. Vizitorët të rinj e të moshuar, ndërkohë që preferojnë të shohin me vëmendje dokumente historike origjinale dhe objekte muzeale që tregojnë rreth periudhës së komunizmit.

 
Dhoma “Propagandë dhe dhunë”
 
Një hapësirë e veçantë për të treguar ndikimin e propagandës me anë të medias në periudhën e komunizmit i është dedikuar në bunkerin e nëndheshëm të komunizmit. “Propagandë dhe dhunë” është një nga 106 dhomat e Bunk’Art që tregojnë anën më të errët të historisë së popullit shqiptar. Për orë të tëra në ekranin e vetëm të asaj kohe RTSH, shfaqeshin reportazhe ku i thurnin elozhe partisë komuniste dhe arritjeve të saj jo të vërteta. 

Bunkeri i nëndheshëm 5-katësh i kohës së komunizmit i pagëzuar me emrin “Bunk’Art, është një dëshmi për të risjellë në vëmendje një nga kohët më të errëta që kanë kaluar shqiptarët.  I mbyllur prej 36 vitesh ky bunker tashmë është kthyer në një nga vendet më të vizituara që prej datës 22 nëntor kur është hapur për publikun.

bunkart


























bunkart































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen