TIRANË - Tentativat për prishjen e bunkerit artistik që po ndërtohet në shesin midis Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Brendshme në qendër të Tiranës ka sjellë përplasjen e ish-të përndjekurve politikë me policinë.

Ky bunker sipas tyre është fyerje për vuajtjet që ata kanë pasur në ish-diktaturën komuniste, ndërsa në krye të kësaj proteste ishin ish-përndjekurit politik Fatmir Hoxha dhe dy përfaqësues të Partisë Demokratike Leonard Olli dhe Ndriçim Babasi.

Nuk mungoi as tensioni midis protestuesve dhe forcave të rendit, por pas disa minutash ata u larguan qetësisht për të protestuar dhe para parlamentit. Ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave deri në grevë urie në ditët në vazhdim pasi asgjë nuk po bëhet për dëmshpërblimin e tyre.

Në fjalën e tyre ish të përndjekurit kanë kundërshtuar fort edhe shfaqjen e fotografive të ish diktatorit Hoxha në festën e Pezës duke theksuar se nuk mund të vriten për së shumti herë.