Burgje private në Shqipëri për ata që dënohen deri në 5 vite (E plotë)

TIRANE-Qeveria ka miratuar dje në mbledhjen e këshillit të ministrave draftin për krijimin e burgjeve private. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.

burgjet private mund të vuajnë dënimin vetëm personat që janë dënuar deri në 5 vite burg. Sipas draftit, të dënuarit që me vendim gjykate janë caktuar në institucionin e sigurisë së lartë, nuk vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale. Gjithashtu drafti përcakton dhe si funksionojnë Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme, të sigurisë së ulët, institucioni i hapur dhe paraburgimi.

Drafti ku përcaktohen rregullat për burgjet private
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale private
1. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë publike dhe private.
2. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.

Neni 16
Vendosja e të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale private
1. Të dënuarit për të cilët është vendosur masa e dënimit deri në 5 (pesë) vite burgim mund të vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.
2. Të dënuarit që me vendim gjykate janë caktuar në institucionin e sigurisë së lartë, nuk vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.

Drafti i plotë për burgjet
TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE

Neni 1

Ky ligj përcakton të drejtat dhe trajtimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve me burgim, organizimin e sistemit penitenciar si dhe kompetencat e detyrat e organeve shtetërore kompetente.

Neni 2
Përkufizime

Në kuptim të këtij ligji, me termat e mëposhtëm nënkuptojmë:

1. “Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP)”, janë institucionet e paraburgimit dhe institucionet e ekzekutimit të dënimit me burgim.

2. “I paraburgosur”, çdo person, shtetas shqiptar, i huaj ose pa shtetësi, ndaj të cilit është dhënë masë sigurimi “arrest me burg”.

3. “I dënuar”, çdo person, shtetas shqiptar, i huaj ose pa shtetësi, i dënuar me burgim me vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare ose të njohura nga ato.

4. “I mitur”, çdo person i privuar nga liria që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale deri në moshën 18 vjeç, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë e arrestit në burg ose është dhënë një vendim gjyqësor i formës së prerë që parashikon shprehimisht privimin e lirisë në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale.

5. “Masë disiplinore”, masa shtrënguese apo ndaluese e dhënë për të dënuarin apo të paraburgosurin në rastet e shkeljeve të parashikuara në ligj apo aktet nënligjore.

6. “Torturë”, çdo veprim me të cilin të dënuarit ose të paraburgosurit i shkaktohen qëllimisht dhembje a vuajtje të rënda, fizike ose mendore, me qëllim që të sigurojë nga ai ose nga ndonjë person i tretë informacione ose pohime për ta dënuar për veprën të cilën ai ose ndonjë person i tretë e ka kryer ose dyshohet se e ka kryer, ose me qëllim që të frikësohet ose detyrohet ai ose ndonjë person i tretë, ose për ndonjë arsye tjetër të bazuar në diskriminimin e cilitdo lloji, kur dhembjet ose vuajtjet e tilla shkaktohen nga një punonjës i strukturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ose nga një person i tretë që vepron në përmbushje të detyrës zyrtare ose me nxitjen a pëlqimin e tij.

7. “Forcë madhore”, një situatë natyrore e pazakontë dhe e paparashikuar, që vë në rrezik administrimin dhe menaxhimin e institucionit e mund të cenojë jetën dhe shëndetin e të paraburgosurve dhe të të dënuarve, si dhe çdo personi tjetër që ushtron funksionet në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale.

8. “Raste të veçanta”, një situatë e rrezikshme që përbën një kërcënim serioz, që ndikon ose mund të ndikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi, në jetën dhe/apo shëndetin e të dënuarve dhe që, në bazë të të dhënave të besueshme, rezulton se nuk mund të përballohet brenda kufijve normalë të menaxhimit e të administrimit të institucionit.

9. “Institucioni i hapur”, institucioni në të cilin, i dënuari kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër minimal sigurie dhe nuk mbyllet në qelitë e institucionit.

10. “Regjimi i posaçëm”, regjimi i cili zbatohet për një kategori të posaçme të të dënuarve ose të paraburgosurve, të cilët kanë rrezikshmëri të lartë për shkak të lidhjeve me pjesëtarët e organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura ose të grupeve të strukturuara kriminale.

Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet për të paraburgosurit e të dënuarit me burgim me vendim të formës së prerë të gjykatave shqiptare dhe sipas parashikimeve të marrëveshjeve ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë edhe të paraburgosurit e të dënuarit me vendim të gjykatave të huaja, për të cilët, duke respektuar kërkesat përkatëse procedurale, ekzekutimi i vendimeve penale të huaja kryhet në Republikën e Shqipërisë.

2. I nënshtrohen rregullave të këtij ligji të gjithë të paraburgosurit dhe të dënuarit me vendim të formës së prerë, shtetas shqiptarë, të huaj dhe personat pa shtetësi.

Respektimi i të drejtave të njeriut

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit trajtohen me dinjitet dhe duke respektuar të drejtat themelore, në zbatim të legjislacionit në fuqi si dhe akteve ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë. Në çdo rast, ndaj të paraburgosurit dhe të dënuarit ndalohet tortura, trajtimi çnjerëzor, degradues ose poshtërues.

2. Të paraburgosurit dhe të dënuarit trajtohen në mënyrë të barabartë, pa njëanshmëri dhe pa diskriminim pavarësisht gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjeve politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzënisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, gjendjes shëndetësore, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë, ose për çdo shkak tjetër.

3. Të miturit e privuar nga liria trajtohen duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të tyre. Trajtimi mbështetet në interesin më të lartë të fëmijës, të integrimit shoqëror, edukimit dhe parandalimit të rifutjes në krim.

4. Gratë e paraburgosura dhe të dënuara trajtohen duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore dhe pa diskriminim, duke parandaluar çdo akt dhune me bazë gjinore që sjell dëmtim fizik, seksual ose psikologjik, vuajtje ose çdo formë tjetër abuzimi e keqtrajtimi që dënohen sipas ligjeve në fuqi.

5. Të paraburgosurve dhe të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor u garantohet trajtim i barabartë, jodiskriminues, duke respektuar integritetin fizik dhe dinjitetin njerëzor. Trajtimi i tyre kryhet sipas standardeve shëndetësore, që zbatohen edhe për kategoritë e tjera të personave me çrregullime të shëndetit mendor.

6. Të paraburgosurve dhe të dënuarve me aftësi të kufizuara u garantohen liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, trajtimi josdiskriminues i ndonjë lloji, për shkak të aftësisë së kufizuar, duke plotësuar nevojat specifike për aftësimin dhe riaftësimin e tyre.

7. Të paraburgosurit dhe të dënuarit e huaj ose pa shtetësi trajtohen duke mbajtur parasysh situatën e tyre të veçantë dhe nevojat individuale. Autoritetet e institucionit ndërmarrin veprime pozitive për të shmangur diskriminimin dhe për të zgjidhur probleme specifike, me të cilat këta persona përballen në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, gjatë transferimit dhe pas lirimit.

8. Masat e veçanta, që janë të nevojshme të zbatohen për respektimin e lirive dhe të drejtave të grupeve të veçanta të të paraburgosurve dhe të dënuarve nuk konsiderohen diskriminim, sipas këtij ligji.

Neni 5

Parandalimi i dhunës dhe trajtimi i viktimave

1. Të paraburgosurve dhe të dënuarve që kanë pasur përvoja të dhunës fizike, psikologjike ose seksuale, para ose gjatë qëndrimit në institucion, i ofrohen menjëherë masa mbrojtjeje, mbështetjeje dhe këshillime ligjore, me qëllim rehabilitimin e tyre.

2. Në rastet e dhunës ndaj grave dhe të miturave mbahen parasysh nevojat specifike gjinore të tyre.

3. Në raste të përdorimit të dhunës në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, autoritetet e institucionit, në çdo rast, nisin hetimin e pavarur, nga strukturat dhe organet kompetente të ngarkuara me ligj, duke respektuar parimin e privatësisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë personale.

Neni 6
Trajtimi i diferencuar i të dënuarve

1. Trajtimi i diferencuar i të dënuarve, në përputhje me kushtet e sigurisë së institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, dhe që është i nevojshëm me qëllim realizimin e funksionit riedukues të dënimit, si edhe rrezikshmërisë që paraqet i dënuari, nuk konsiderohen diskriminim dhe as trajtim çnjerëzor apo degradues.
2. Diferencimi në trajtim i të dënuarve përcaktohet në këtë ligj, në rregulloren e përgjithshme të burgjeve dhe rregulloret e brendshme të çdo institucioni.

Neni 7

Kufizimi individual i të drejtave

Të drejtat e të paraburgosurve dhe të dënuarve, sipas këtij ligji, mund të kufizohen ose të hiqen përkohësisht për shkelje të ligjit ose të rregullave të brendshme, vetëm në rastet dhe sipas kritereve të parashikuara në këtë ligj.

Neni 8

Kufizimi në grup i të drejtave

1. Të drejtat e të paraburgosurit dhe të dënuarve me burgim mund të kufizohen ose të hiqen përkohësisht në grup, me urdhër të ministrit të Drejtësisë, në atë masë dhe për aq kohë sa përcaktohet në urdhër dhe vetëm në rastet e:

a) gjendjes së jashtëzakonshme, të shpallur me ligj;
b) situatës emergjente;
c) gjendjes së luftës;
ç) gjendjes së emergjencës, në përputhje me legjislacionin për emergjencat civile;
d) rreziqeve potenciale për jetën dhe shëndetin e të paraburgosurit e të dënuarve;
dh) sulmeve të armatosura nga jashtë institucionit, apo referimit të informacionit për kryerjen e sulmeve të mundshme.

2. Rregullat dhe procedurat për kufizimin e të drejtave në grup dhe kalimin në gatishmëri përcaktohen në ligjin për Policinë e Burgjeve.

Neni 9

E drejta e kërkesës dhe e ankimit

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit, individualisht ose në grup, kanë të drejtë të paraqesin kërkesa dhe ankime lidhur me zbatimin e legjislacionit në fuqi, të rregullores së përgjithshme të burgjeve si dhe të rregullores së brendshme të institucioneve.

2. Kërkesat dhe ankimet paraqiten drejtpërdrejt në organin publik kompetent ose në çdo zyrë apo degë të tij, në formë të shkruar ose në çdo formë tjetër të përshtatshme, dhe duhet të jenë mjaftueshëm të qarta për të përcaktuar kërkuesin dhe qëllimin e saj.

3. Në raste të veçanta, kur të paraburgosurit dhe të dënuarit e çmojnë të domosdoshme mund t’i drejtohen cilitdo organi shtetëror ose organizate joqeveritare, brenda dhe jashtë vendit.

Neni 10
Veprat penale të kryera nga të burgosurit dhe të paraburgosurit

1. Hetimet mbi një vepër penale, të dyshuar se është kryer nga të dënuarit apo të paraburgosurit, zhvillohen dhe trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Të dënuarit, kur hetohen për një vepër tjetër penale gjatë kohës së ekzekutimit të dënimit, do të vazhdojnë të qëndrojnë në institucionin ku po ekzekutohet vendimi i mëparshëm, përveç rasteve kur prokurori vendos ndryshe.

KREU III

TRAJTIMI

Neni 11

Rehabilitimi social dhe riintegrimi

1. Trajtimi i të paraburgosurve dhe të dënuarve synon rehabilitimin për riintegrimin e tyre në jetën familjare, shoqërore dhe ekonomike. Përgatitja për riintegrim fillon në paraburgim, vazhdon gjatë kryerjes së dënimit dhe pas lirimit nga burgu.

2. Institucionet e ekzekutimeve të vendimeve penale, në bashkëpunim me Shërbimin e Provës, shërbimet e mirëqenies sociale, organet vendore dhe organizatat jofitimprurëse hartojnë programe riintegrimi praglirimi për adresimin e çështjeve gjinore.

3. Për të paraburgosurit dhe të dënuarit e mitur përgatitja për riintegrim realizohet në bashkëpunim me të miturin, punonjësin social, familjen ose kujdestarin e tij.

4. Gjatë kohës që i mituri qëndron në IEVP i ofrohet ndihmë sociale, edukative, arsimore, psikologjike, mjekësore dhe fizike për riintegrimin dhe rehabilitimin e tij, në përshtatje me nevojat individuale dhe në përputhje me grupmoshën, gjininë dhe personalitetin e tij.

5. Për të paraburgosurit dhe të dënuarit që i përkasin minoriteteve etnike dhe gjuhësore, të huajt dhe personat pa shtetësi, për aq sa është e mundur, krijohen programe që respektojnë kulturën e tyre.

Neni 12

Individualizimi i trajtimit

1. Trajtimi i të paraburgosurve dhe të dënuarve kryhet sipas kriterit të individualizimit, në përputhje me gjendjen dhe karakteristikat individuale të çdo të paraburgosuri dhe të dënuari.

2. Individualizimi i trajtimit bëhet duke vlerësuar nevojat individuale, psikologjike, shoqërore, të moshës, gjinore, gjendjen shëndetësore, orientimin seksual ose identitetin gjinor, situatën kulturore dhe ekonomike, mjedisin ku ka jetuar i paraburgosuri ose i dënuari, faktorët e riskut dhe motivimin për t’u përfshirë në veprimtaritë që organizohen në institucion.

3. Vëzhgimi bëhet në fillim të trajtimit dhe rezultatet e tij verifikohen vazhdimisht gjatë ekzekutimit, duke e përshtatur trajtimin sipas nevojave të të paraburgosurit ose të dënuarit.

Neni 13

Programi dhe realizimi i trajtimit

1. Pas procesit të vlerësimit bëhet programimi i trajtimit, në bashkëpunim me të paraburgosurin ose të dënuarin. Për çdo të paraburgosur dhe të dënuar hartohet plani i riintegrimit, ndërsa për kategoritë e veçanta të të paraburgosurve dhe të dënuarve hartohet programi individual i trajtimit, duke mbajtur parasysh edhe nevojat specifike të tyre.

2. Rëndësi e veçantë i kushtohet trajtimit psiko-social të të paraburgosurve dhe të dënuarve të mitur, të rinjve 18 deri 21 vjeç, grave, personave me çrregullime të shëndetit mendor, të pasura ose të fituara gjatë burgimit, personave me aftësi të kufizuara, personave me orientim seksual të ndryshëm, personave me sëmundje kronike ose në varësi të drogës, të moshuarve, personave të dënuar me dënime afatgjata, personave që i përkasin minoriteteve etnike ose gjuhësore, shtetasve të huaj dhe personave pa shtetësi. Për çdo të mitur të paraburgosur ose të dënuar përgatitet një plan individual riedukimi, i cili merr në konsideratë arsimin e tij, vlerësimin psikologjik, situatën emocionale, dëshirat dhe mundësitë e tij/saj për të ndjekur kurse profesionale ose për të avancuar në arsim.

3. Vëzhgimi, programimi dhe realizimi i trajtimit bëhen nga administrata e institucionit, me anë të personelit të vet, në bashkëpunim me organet dhe institucionet shtetërore përkatëse.

4. Administrata e burgjeve inkurajon dhe mbështet kontributin e organizatave jofitimprurëse dhe individëve të veçantë në realizimin e programit të trajtimit.

5. Ministria e Drejtësisë mbështet programe kërkimi dhe vlerësimi rreth funksionimit të sistemit të burgjeve, rolit të tij në riintegrimin e të dënuarit në shoqëri.

6. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon në mënyrë të vazhdueshme publikun rreth qëllimit të sistemit të burgjeve, në mënyrë që të inkurajohet kuptimi më i mirë në publik i rolit të sistemit të burgjeve në trajtimin e të dënuarve.

7. Ministri i Drejtësisë miraton rregullat për bashkëpunimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Provës për hartimin, zhvillimin dhe realizimin e programeve të mbikëqyrjes të të paraburgosurve dhe të të dënuarve.

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale

1. IEVP-të, mbi bazën e kategorisë së subjekteve ndaj të cilave ekzekutohen dënime penale, ndahen në:
a) institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të dënuarit e rritur;
b) institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të dënuarit e mitur;
c) institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për gratë;
ç) institucionet e paraburgimit.

2. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të ndahen në seksione, sipas nevojës së administrimit.

3. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale ose seksione brenda tyre, mbi bazën e sigurisë, kategorizohen, si më poshtë vijon:
a) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë;
b) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme;
c) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së ulët;
ç) Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të hapura.

4. Përjashtimisht nga rregullat e përcaktuara nga ligji për organizimin dhe funksionimin e organeve të administratës shtetërore, krijimi, klasifikimi dhe mbyllja e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale me burgim apo seksioneve të veçanta në këto institucione bëhen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

Neni 15
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale private

1. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë publike dhe private.

2. Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për funksionimin, administrimin, kontraktimin, si dhe rregullat që përcaktojnë elementet e sigurisë në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.

Neni 16
Vendosja e të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale private

1. Të dënuarit për të cilët është vendosur masa e dënimit deri në 5 (pesë) vite burgim mund të vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.

2. Të dënuarit që me vendim gjykate janë caktuar në institucionin e sigurisë së lartë, nuk vendosen në institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale.

Neni 17
Institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale i sigurisë së lartë

1. Institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale i sigurisë së lartë është institucioni ku ekzekutohen vendimet me burgim:
a) për çdo vepër penale të kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal;
b) për veprat penale për të cilat Kodi Penal parashikon dënimin me burgim të përjetshëm;
c) për veprat penale të kryera nga përsëritësit, për të cilat gjykata ka dhënë një dënim jo më të vogël se 15 (pesëmbëdhjetë) vite burgim;
ç) për krimet kundër jetës, për të cilat gjykata ka dhënë një dënim jo më të vogël se 20 (njëzet) vjet burgim;
d) për krimet seksuale me të mitur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal.

2. Përveç sa është parashikuar më sipër, në institucionet e sigurisë së lartë ekzekutohet dënimi edhe ndaj të dënuarve të tjerë të cilët në kryerjen e veprës penale ose gjatë ekzekutimit të dënimit janë karakterizuar nga qëndrime ose sjellje që bëjnë të pamundur qëndrimin në burgjet e kategorive të tjera.

3. Caktimi fillestar i të dënuarit në institucionet ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë kryhet nga gjykata që ka dhënë vendimin e dënimit me burgim. Në rastet kur gjykata nuk ka caktuar në vendim kategorinë e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale dhe i dënuari në kryerjen e veprës penale është karakterizuar nga qëndrime e sjellje që e bëjnë të pamundur qëndrimin në institucionet e sigurisë së zakonshme, me kërkesë të prokurorit, gjykata mund të caktojë që ekzekutimi i vendimit të dënimit të kryhet në një institucion të sigurisë së lartë. Prokurori paraqet kërkesën menjëherë dhe në çdo rast jo më vonë se 48 orë nga marrja dijeni për vendimin e gjykatës.

4. Ndryshimi i klasifikimit të sigurisë për të dënuarit që vuajnë dënimin në institucionin e sigurisë së lartë bëhet nga komisioni i vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve, i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
5. Kundër vendimit të komisionit të vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve, i dënuari, mbrojtësi ose prokurori mund të paraqesin ankim në gjykatë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit.

6. Gjatë shqyrtimit të çështjes nga gjykatat, i dënuari qëndron në institucionin e sigurisë së lartë.

7. Në burgjet e sigurisë së lartë vihen kufizime në të drejtat e të dënuarit, në rastet dhe sipas kritereve të përcaktuara shprehimisht në këtë ligj.

Neni 18
Regjimi i posaçëm në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë

1. Në raste të veçanta, mund të zbatohet një regjim i posaçëm i ushtrimit të të drejtave për të dënuarit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë dhe të paraburgosurit që hetohen apo gjykohen për veprat penale të parashikuara në nenet 79, shkronja “ç”, 79/a, 79/b, 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 234, 234/a, 234/b, 283, paragrafi 3, 283/a, paragrafi 3, 284, paragrafi 3, 284/a, 284/c, paragrafi 3, 284/ç, paragrafi 3, 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal, të kryera në kuadër të pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë të armatosur, organizatë terroriste ose për vepra me qëllime terroriste.

2. Pavarësisht me sa është parashikuar në pikën 1, të këtij neni, regjimi i posaçëm zbatohet edhe ndaj të dënuarve ose të paraburgosurve të cilët kanë rrezikshmëri të lartë për shkak të lidhjeve me pjesëtarët e organizatave kriminale, organizatave terroriste, bandave të armatosura ose të grupeve të strukturuara kriminale.

3. Vendimi për vendosjen e të dënuarit ose të paraburgosurit në regjimin e posaçëm në burgun e sigurisë së lartë merret nga ministri i Drejtësisë, mbi kërkesën e arsyetuar të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Për marrjen e këtij vendimi, ministri i Drejtësisë bazohet në konsultimin me ministrin e Brendshëm, në të dhënat/informacionet e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ të Shtetit, drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe organeve të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, sipas fushave të përgjegjësisë.

4. Vendosja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë bazohet vetëm në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë dhe/ose parandalimin e komunikimit me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera, të referuara në pikën 1, të këtij neni, nëpërmjet marrjes së masave të brendshme dhe të jashtme të sigurisë së lartë, që lidhen, kryesisht, me nevojën për të parandaluar:
a) kontaktet me organizatën kriminale ku bëjnë pjesë apo me organizata të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë;
b) konfliktet e mundshme me elementë të organizatave të tjera;
c) ndërveprimin me të burgosurit apo të paraburgosurit e tjerë, të cilët i përkasin së njëjtës organizatë ose të organizatave të tjera me të cilat ata bashkëpunojnë;
ç) komunikimin apo shkëmbimin e sendeve ndërmjet të dënuarve apo të paraburgosurve që i përkasin grupimeve të ndryshme.

5. Regjimi i posaçëm i ushtrimit të të drejtave konsiston në:
a) lejimin e një takimi familjar në muaj, i cili kryhet në intervale të rregullta kohore dhe në mjedise të caktuara, ku ndalohet hyrja e personave apo sendeve të tjera dhe që i nënshtrohen regjistrimit audio dhe video. Me termin “familjarë” nënkuptohen të paralindurit, të paslindurit, bashkëshortët dhe bashkëjetuesit, sipas parashikimeve të Kodit të Familjes. Takimi me persona të ndryshëm nga familjarët, për personat e dënuar, lejohet me propozimin e drejtorit të institucionit dhe me miratimin e ministrit të Drejtësisë. Për personat e paraburgosur, takimi me persona të ndryshëm nga familjarët lejohet vetëm me miratimin e prokurorit. Parashikimet e kësaj shkronje nuk zbatohen për takimet me avokatët mbrojtës;
b) lejimin e të dënuarit ose të paraburgosurit, i cili nuk kryen takime familjare, për kryerjen e një bisede telefonike në muaj, me kohëzgjatje maksimale dhjetë minuta, e cila regjistrohet. Kryerja e bisedave telefonike për personat e dënuar autorizohet me vendim të arsyetuar të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, kurse, për personat e paraburgosur, ajo autorizohet me vendim të arsyetuar të prokurorit. Parashikimet e kësaj shkronje nuk zbatohen për kryerjen e bisedave telefonike me institucionin e Avokatit të Popullit dhe me organizata vendase ose të huaja, që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut;
c) ndalimin e përdorimit të vlerave monetare, sendeve dhe objekteve që mund të marrë i dënuari ose i paraburgosuri nga jashtë, sipas parashikimeve në rregulloren e brendshme të institucionit;
ç) kontrollin e korrespondencës, përveç asaj me subjektet e përcaktuara në pikën 1, të nenit 51, të këtij ligji, ose me organizata ndërkombëtare, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut;
d) reduktimin e qëndrimit në ajrim në mjedise të hapura, deri në 2 orë, por jo më pak se 1 orë në ditë;
dh) përjashtimin nga organet përfaqësuese të të dënuarve apo të paraburgosurve.

6. Kohëzgjatja e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë është një vit, dhe mund të zgjatet për periudha të tjera njëvjeçare. Zgjatja e këtij regjimi vendoset kur rezulton se ekziston akoma mundësia që i dënuari apo i paraburgosuri të jetë i aftë për të mbajtur lidhjet me organizatën kriminale, grupin e strukturuar kriminal, bandën e armatosur apo organizatën terroriste. Për zgjatjen e këtij regjimi duhet mbajtur parasysh edhe profili kriminal i të dënuarit apo të paraburgosurit, roli që ai luan në organizatën kriminale, kohën që është angazhuar në këtë organizatë kriminale, ngritjen e akuzave të reja të pashqyrtuara më parë ndaj tij, sjelljen që ka mbajtur në IEVP dhe nivelin e jetesës së familjarëve të tij. Jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e përfundimit të çdo periudhe njëvjeçare, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund t’i propozojë ministrit të Drejtësisë zgjatjen e këtij regjimi.

7. Ministri i Drejtësisë, në bazë të propozimit të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, rivlerëson nëse janë kushtet për vazhdimin e regjimit të posaçëm të ushtrimit të të drejtave ndaj të dënuarit ose të paraburgosurit.

8. Kundër vendimit të ministrit të Drejtësisë, për vendosjen apo zgjatjen e regjimit të posaçëm, i dënuari, i paraburgosuri, avokati mbrojtës apo drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme mund të paraqesin kërkesë ankimore brenda 20 (njëzet) ditëve, nga momenti i njoftimit të vendimit.

9. Kërkesa ankimore depozitohet në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e cila është kompetente për gjykimin e çështjes, sipas parashikimit të nenit 471, të Kodit të Procedurës Penale. Gjykimi i çështjes nuk pezullon vendimin e ministrit të Drejtësisë.

10. Në rastet kur kërkesa kundër vendimit të ministrit të Drejtësisë pranohet nga gjykata, ministri i Drejtësisë vendos bazuar në vendimin e gjykatës.

Neni 19
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së zakonshme

1. Institucionet e sigurisë së zakonshme janë institucionet ku ekzekutohen dënimet ndaj të gjithë të dënuarve, me përjashtim të atyre që vendosen në institucionet e sigurisë së lartë, në institucionet e sigurisë së ulët, dhe në institucione të hapura.

2. Kur gjykata, në vendimin me burgim, nuk është shprehur për llojin e institucionit ku do të ekzekutohet dënimi, të dënuarit vendosen në një institucion të sigurisë së zakonshme.

3. Ndryshimi i klasifikimit të sigurisë i të dënuarve që i ekzekutohet vendimi i dënimit në një institucion të sigurisë së zakonshme kryhet nga komisioni i vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve.

4. Kundër vendimit të komisionit të vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve, i dënuari, përfaqësuesi i tij ligjor ose prokurori mund të paraqesin ankim në gjykatë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit. Shqyrtimi i ankimit nga gjykata pezullon vendimin e komisionit të vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve për ndryshimin e klasifikimit të sigurisë të të dënuarit.

Neni 20

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së ulët

1. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së ulët janë institucionet ku ekzekutohet dënimi për të dënuarit për kundërvajtje penale, për vepra penale nga pakujdesia dhe për vepra të tjera penale, dënimi i të cilave nuk i kalon 5 (pesë) vjet burgim.

2. Komisioni i vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve mund të vendosë kalimin e të dënuarve nga një IEPV e sigurisë së zakonshme në një IEPV të sigurisë së ulët, me kërkesë të drejtorit të institucionit ku ekzekutohet vendimi ndaj të dënuarit, të dënuarit ose të përfaqësuesit të tij ligjor, në rast se ndaj të dënuarit është ekzekutuar jo më pak se 2/3 e dënimit.

Neni 21
Institucioni i hapur

1. Institucioni i hapur është institucioni ku ekzekutohen dënimet ndaj:
a) të dënuarit me burgim, që i ka mbetur më pak se 6 (gjashtë) muaj burgim dhe që bazuar në raportin e komisionit të vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve nuk përbën risk sigurie për institucionin apo komunitetin;
b) të dënuarit me gjysmë liri.

2. Kalimi i të dënuarve me burgim në një institucion të hapur bëhet vetëm për të dënuarit që i ekzekutohet dënimi në një institucion të sigurisë së ulët. Ky transferim miratohet nga komisioni i vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve, me kërkesë të drejtorit të institucionit ku ekzekutohet vendimi ndaj të dënuarit, të dënuarit ose të përfaqësuesit të tij ligjor.

3. Në rast se i dënuari shkel rregulloren e përgjithshme të burgjeve apo rregulloren e brendshme të institucionit, komisioni i vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve, pas vlerësimit të rrethanave, mund të vendosë rikthimin e të dënuarit në një institucion të sigurisë së ulët.

Neni 22

Institucionet e paraburgimit

Institucionet e paraburgimit janë institucionet ku mbahen individët ndaj të cilëve është dhënë nga gjykata masa e sigurimit “arrest në burg”.

Neni 23

Vendosja e personave bashkëpunëtorë të drejtësisë

1. Në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale krijohen seksione të veçanta për vendosjen e personave, të paraburgosur ose të dënuar, që gëzojnë statusin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, merr masa për sigurimin e jetës së personit dhe realizimin e programit të trajtimit individual të tij.

Neni 24
Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për gratë dhe të miturit

1. Të miturit kryejnë dënimin në institucione për të mitur dhe në pamundësi, në seksione të veçanta të institucioneve të tjera, sipas kritereve të këtij ligji. Për garantimin e interesit më të lartë të të miturit, institucioni përkatës duhet të ketë personel të mjaftueshëm, të specializuar dhe të trajnuar në vazhdimësi.

2. I pandehuri i mitur, ndaj të cilit caktohet paraburgimi si masë sigurimi, vendoset vetëm në seksionin për të mitur në mjediset e paraburgimit, ndërsa i mituri i dënuar me burgim vendoset në institucionin për ekzekutimin e vendimeve penale për të miturit.

3. Ndalohet vendosja, mbajtja ose lëvizja e të miturit jashtë institucionit, së bashku me një të rritur të paraburgosur/të dënuar. Mund të bëhet përjashtim nga ky rregull vetëm në rastet kur të miturit, pavarësisht përkatësisë gjinore, ose të miturit me të rriturit marrin pjesë bashkërisht në veprimtaritë riedukuese, arsimore, kulturore, sportive dhe veprimtari të tjera me natyrë kulturore dhe edukative por, në çdo rast, në prezencë të personelit të institucionit ku i mituri qëndron.

4. Të miturit që marrin pjesë në veprimtaritë e renditura në pikën 3, të këtij neni, shoqërohen dhe mbikëqyren në çdo rast nga personeli i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, gjatë gjithë kohës së zhvillimit të aktivitetit përkatës.

5. Në mënyrë që të sigurohet mjedis i sigurt për të miturit në institucionin/seksionin për ta, të miturit ndahen në bazë të grupmoshës, llojit dhe rëndësisë së veprës penale, riskut të përsëritjes së veprës, zhvillimit fizik e mendor, si dhe karakteristikave të tjera, duke mbajtur parasysh interesin më të lartë të të miturit.

6. Të paraburgosurit dhe të dënuarit e mitur vendosen veçmas nga të paraburgosurit dhe të dënuarit e rritur. Të paraburgosurat dhe të dënuarat e mitura femra vendosen veçmas nga të paraburgosurit dhe të dënuarit e mitur meshkuj.

7. Gratë kryejnë dënimin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për gratë, në përputhje me këtë ligj.

8. Nënave u lejohet që të mbajnë me vete fëmijët deri në moshën 3 vjeç. Për kujdesin dhe asistencën ndaj këtyre fëmijëve funksionojnë çerdhe të posaçme. Vendimi për të larguar fëmijën nga nëna para moshës 3 vjeç merret nga gjykata, në rastet kur diktohet nga interesi më i lartë i fëmijës.

Neni 25
Vendet e caktuara të ekzekutimit të vendimeve penale

Ekzekutimi i vendimeve penale kryhet vetëm në vendet e caktuara posaçërisht sipas këtij ligji. Përjashtimisht, ministri i Drejtësisë, në raste të gjendjes së jashtëzakonshme, të rrezikimit nga forca madhore, të kryerjes së punimeve të rëndësishme, si dhe kur rrezikohet jeta dhe shëndeti i të paraburgosurit dhe të dënuarve, mund të urdhërojë që ekzekutimi i vendimeve penale të kryhet përkohësisht në vende të tjera të përshtatshme.

Neni 26

Rregullorja e përgjithshme dhe rregulloret e brendshme të institucioneve

1. Rregullat në lidhje me organizimin dhe funksionimin e sistemit penitenciar, disiplinën e brendshme dhe kërkesat e trajtimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve përcaktohen në rregulloren e përgjithshme të burgjeve.

2. Çdo institucion ka rregulloren e brendshme, të dalë në bazë të rregullores së përgjithshme të burgjeve, që përcakton organizimin, disiplinën e brendshme dhe kërkesat e trajtimit në kushtet e institucionit.

3. Rregulloret e brendshme të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale hartohen nga një komision i ngritur nga drejtori i institucionit, me miratim të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

KREU II

ORGANET DREJTUESE TË BURGJEVE

Neni 27

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve

1. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është institucion në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, që ndjek e realizon organizimin dhe funksionimin e sistemit të ekzekutimit të vendimeve penale dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve.

2. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve emërohet dhe shkarkohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Drejtësisë.

3. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të administratës civile të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale rregullohen sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil.

4. Marrëdhëniet juridike të punës për punonjësit mbështetës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

Neni 28
Komisioni i vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve

1. Komisioni i vlerësimit të rrezikshmërisë të të dënuarve është pjesë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe ka në përbërje të tij 5 (pesë) anëtarë, një përfaqësues të shërbimit të sigurisë, një përfaqësues të sektorit ligjor, një përfaqësues të sektorit të çështjeve shoqërore, një përfaqësues të shërbimit shëndetësor dhe specialisti i sektorit të kujdesit social që trajton të dënuarin.

2. Caktimi i 4 (katër) anëtarëve të komisionit, me përjashtim të specialistit të sektorit të kujdesit social, bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe ndryshon një herë në vit.
3. Komisioni i vlerësimit të rrezikshmërisë së të dënuarve vendos për ndryshimin e klasifikimit të sigurisë së të dënuarit, mbështetur në raportin e vlerësimit të riskut të sigurisë, të hartuar nga IEVP-ja ku i dënuari kryen dënimin.

4. Komisioni interviston të dënuarin në çdo rast që shqyrton një kërkesë për ndryshimin e trajtimit të tij. Gjetjet e intervistës me të dënuarin janë pjesë e raportit të vlerësimit të rrezikshmërisë.
5. Kriteret për ndryshimin e sigurisë të të dënuarit, afatet e rishikimit të sigurisë, si dhe rregulla të posaçme për ngritjen, funksionimin, përbërjen dhe kompetencat e komisionit të vlerësimit të rrezikshmërisë së të dënuarve përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

Neni 29
Instrumenti i vlerësimit të rrezikshmërisë

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve harton dhe miraton një format të standardizuar për të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të instrumentit të vlerësimit të rrezikshmërisë.

Neni 30

Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale

1. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale janë degë territoriale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kanë për detyrë pritjen, sistemimin, trajtimin dhe riintegrimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve.

2. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale drejtohen, kontrollohen dhe përfaqësohen nga drejtori, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

Neni 31

Personeli i institucionit

1. Personeli i institucionit realizon zbatimin e programit të trajtimit të paraburgosurve dhe të dënuarve, sipas detyrave të caktuara.

2. Në përmbushjen e detyrave të tij, personeli i institucionit vepron sipas standardeve më të larta personale dhe profesionale, duke përmbushur detyrat në një mënyrë të tillë që të ndikojë pozitivisht tek i paraburgosuri ose i dënuari, si dhe të gëzojë respektin e tyre.

3. Gjatë zbatimit të detyrave të tij, personeli i institucionit kujdeset dhe mban parasysh nevojat e çdo të paraburgosuri dhe të dënuari për riintegrimin në shoqëri.

4. Personeli që punon në institucione ose seksione ku janë vendosur të paraburgosur dhe të dënuar, të përmendur në pikën 2, të nenit 13, të këtij ligji, duhet të jetë i specializuar në fushën përkatëse.

5. Për garantimin e interesit më të lartë të të miturit, institucioni përkatës i paraburgimit ose i burgimit duhet të ketë personel të mjaftueshëm, të përzgjedhur me kujdes, të specializuar dhe të trajnuar në vazhdimësi në mënyrë që t’u sigurojë të miturve një rol dhe model pozitiv.

6. Në personelin e institucioneve të paraburgimit dhe të burgimit për të mitur duhet të ketë një grup shumëdisiplinor, të përbërë nga një mjek, një infermier, një psikolog dhe një punonjës social.

7. Sipas nevojave konkrete, institucioni duhet të sigurojë mundësinë e trajtimit nga mjeku specialist, dhe sipas një regjimi kontrolli të përcaktuar.

8. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kujdeset për të mundësuar trajnime dhe kualifikime të veçanta në fushat përkatëse.

9. Personeli në institucion duhet të ketë një balancim të drejtë mes burrave dhe grave, duke mbajtur parasysh nevojat e veçanta që ka institucioni.

Neni 32

Policia e Burgjeve

1. Policia e Burgjeve ka si mision ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe gjatë transferimeve e shoqërimeve të të paraburgosurve dhe të dënuarve në gjykata e institucione të tjera, siguron ruajtjen e personave të paraburgosur dhe të dënuar në spitale publike e private, merr masa për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të personave të paraburgosur e të dënuar, si dhe të garantimit të rendit dhe të sigurisë së institucionit, në raste të jashtëzakonshme dhe të fatkeqësive natyrore, në përputhje me ligjin, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

2. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të Policisë së Burgjeve rregullohet me ligj të veçantë.

KUSHTET E JETESËS NË INSTITUCION

Neni 33

Ndërtesat

1. Ndërtesat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale me burgim projektohen, ndërtohen si dhe rikonstruktohen në mënyrë që të plotësojnë kërkesat për një jetë normale. Ato duhet të kenë hapësira të mjaftueshme për zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta, si dhe të plotësojnë kërkesat individuale të të dënuarve apo të paraburgosurve.

2. Rregullat dhe kriteret e hollësishme që duhet të plotësojnë ndërtesat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale për kushtet teknike, të sigurisë, të përshtatshmërinë dhe të aksesit të personave me aftësi të kufizuara, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë, ministrit që mbulon fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale si dhe të ministrit që mbulon fushën e ndërtimit.

Neni 34

Mjediset e qëndrimit dhe të fjetjes

1. Mjediset, në të cilat jetojnë të paraburgosurit dhe të dënuarit, duhet të kenë hapësira të mjaftueshme, me ndriçim të nevojshëm natyror e artificial, për të bërë të mundur qëndrimin, punën dhe çlodhjen aktive, të ajrosura dhe të pajisura me shërbimet higjienike. Atje ku e kërkojnë kushtet klimaterike duhet të sigurohet edhe ngrohja e mjediseve.

2. Kur nuk është e mundur të sigurohet fjetja në dhoma individuale, caktimi i të paraburgosurit dhe të dënuarve në të njëjtën dhomë duhet të bëhet në mënyrë të tillë që të shmangen konfliktet dhe ndikimet negative të ndërsjella. Për këtë qëllim përdoren kriteret e grupmoshave, të llojit të veprave penale të kryera dhe të veçorive intelektuale e psikike të të dënuarve, për aq sa është e mundur edhe kërkesat e të dënuarve.

3. Për çdo të paraburgosur dhe të dënuar sigurohet shtrat i veçantë dhe një komplet i përshtatshëm fjetjeje.

4. Në vendosjen e të paraburgosurve apo të të dënuarve mbahen parasysh kushtet dhe mundësitë konkrete të çdo institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale, si dhe kushtet e mundësitë e të paraburgosurve dhe të dënuarve, por në çdo rast duke iu siguruar kubatura jo më pak se 9 m³ dhe sipërfaqja e banimit jo më pak se 4 m² për çdo të paraburgosur apo të dënuar, dritare që mundësojnë ajrim të mjaftueshëm dhe ndriçim natyral normal për të lexuar e punuar.

5. Drita artificiale duhet të plotësojë standardet teknike, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

6. Të paraburgosurve apo të dënuarve u sigurohet energji elektrike e nevojshme për ndriçim dhe nevoja të higjienës personale.

7. Këto kushte sigurohen edhe kur në institucione të ekzekutimit të vendimeve penale ka raste të mbipopullimit.

Neni 35

Veshja dhe pajisjet

1. Çdo të paraburgosuri dhe të dënuari i sigurohet veshmbathje dhe pajisje të tjera individuale në sasi të mjaftueshme, në gjendje të mirë dhe të pastra, të tilla që të sigurojnë plotësimin e kërkesave normale të jetesës.

2. Të paraburgosurit dhe të dënuarit mund të mbajnë me leje të administratës, veshmbathje dhe sende të përdorimit vetjak, të cilat duhet të jenë të pastra dhe të përshtatshme, si dhe të objekteve që kanë një vlerë të veçantë morale ose personale.

Neni 36

Higjiena vetjake dhe e mjedisit

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit i sigurohen mjediset dhe pajisjet e nevojshme për pastërtinë vetjake, sipas numrit të përdoruesve, në mënyrë që të garantohet higjiena vetjake.

2. Çdo institucion siguron shërbime periodike të pastrimit të mjediseve, veshmbathjes e pajisjeve vetjake, si dhe të qethjes e rruajtjes.

3. Higjiena vetjake, qethja dhe rruajtja mund të bëhen me detyrim vetëm për arsye të veçanta higjieno-sanitare, sipas kërkesës së shërbimit mjekësor dhe me urdhër të drejtorit të institucionit.

Neni 37

Ushqimi

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarve u sigurohet ushqim i shëndetshëm dhe i mjaftueshëm, i përshtatshëm për moshën, gjendjen shëndetësore, punën, besimin fetar, klimën dhe nevojat e veçanta të të dënuarve dhe të paraburgosurve.

2. Ushqimi i siguruar nga institucioni duhet të ketë shumëllojshmëri dhe menuja e ushqimit të ndryshohet të paktën një herë në dy javë, në mënyrë që t’u përshtatet stinëve.

3. Ushqimi përgatitet dhe jepet si rregull në mjedise të caktuara për këtë qëllim. Me leje të drejtorit të institucionit, në raste të veçanta, të paraburgosurit dhe të dënuarit mund të përgatisin dhe të konsumojnë ushqimin individualisht.

4. Norma e ushqimit ditor përcaktohet nga tabelat përkatëse të miratuara nga Ministria e Drejtësisë dhe ministria përgjegjëse për shëndetin.

5. Administrata e institucionit pranon ushqime tërësisht ose pjesërisht për të paraburgosurit dhe të dënuarit ose i siguron ato me shpenzimet e tij duke respektuar kufijtë e rregullores së brendshme.

6. Të paraburgosurit dhe të dënuarve duhet t’u sigurohet në vazhdimësi ujë i pijshëm.

Neni 38

Koha e ajrimit

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit që nuk punojnë jashtë dhe të gjithë të dënuarit e tjerë, në ditët që nuk punohet, kanë të drejtë të qëndrojnë në ajrim në mjedise të hapura jo më pak se 2 orë në ditë, përveç rasteve të parashikuara në nenin 18, të këtij ligji.

2. Kjo periudhë kohe mund të reduktohet, por jo më pak se 1 orë në ditë për shkaqe të veçanta dhe vetëm me urdhër të drejtorit të institucionit.

3. Ajrimi në mjedise të hapura bëhet në grupe, përveç rasteve të parashikuara në nenin 18 dhe në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 66, të këtij ligji.

4. Të dënuarit e mitur kanë të drejtë të qëndrojnë në ajrim jo më pak se 2 orë dhe të paktën 2 herë në ditë, përveç kohës për veprimtari social-edukative. Ajrimi për këtë kategori kryhet veçmas nga të rriturit.

5. Kjo periudhë kohe mund të reduktohet por jo më pak se 2 orë në ditë, për shkaqe të jashtëzakonshme dhe vetëm me urdhër të drejtorit të institucionit.

6. Institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale mundëson infrastrukturën e përshtatshme në rastet kur kushtet atmosferike janë jo të favorshme për kryerjen e ajrimit nga të dënuarit.

PJESA E TRETË

PRANIMI DHE TRAJTIMI I TË DËNUARVE NË INSTITUCION

Neni 39

Pranimi në institucion

1. Në çdo institucion krijohet komisioni i pritjes për të pranuar të sapoardhurit.

2. Komisioni i pritjes informon të paraburgosurin dhe të dënuarin në një gjuhë të kuptueshme për rregulloren e institucionit, të drejtat dhe detyrimet e tij, të drejtat e tij për këshillim e ndihmë ligjore të garantuar nga shteti, rregullat e procedurat për paraqitjen e kërkesave e të ankesave.

3. Komisioni i pritjes përbëhet nga një përfaqësues i shërbimit të sigurisë, një përfaqësues i sektorit ligjor, një përfaqësues i sektorit të çështjeve shoqërore dhe një përfaqësues i shërbimit shëndetësor.

4. Të paraburgosurit dhe të dënuarit që i përkasin minoriteteve etnike ose gjuhësore, të huaj ose persona pa shtetësi, pajisen me informacion me gojë dhe me shkrim, në gjuhën që e kuptojnë, për të drejtat dhe detyrimet e tyre në institucion. I dënuari ka të drejtë të mbajë informacionin me shkrim për vete.

5. Menjëherë pas pranimit, drejtori i institucionit i krijon kushtet të paraburgosurit dhe të dënuarit të huaj për të njoftuar familjen, këshilltarin ligjor, përfaqësuesin konsullor ose organizatën kompetente që vepron në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut.

6. Shtetasve të huaj, që nuk kanë përfaqësi diplomatike ose konsullore në vend, refugjatëve ose personave pa shtetësi u krijohen kushtet e komunikimit me përfaqësitë diplomatike të shtetit që mbron interesat e tyre ose me autoritetin kombëtar ose ndërkombëtar, detyra e të cilit është mbrojtja e interesave të këtyre personave.

7. Menjëherë pas pranimit në institucion, të sapoardhurit i nënshtrohen një vizite ekzaminuese dhe interviste mjekësore nga ana e mjekut të institucionit për njohjen dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse në institucion, vetëvrasjeve, regjistrimin e plagëve dhe dëmtimeve në kohën e duhur.

8. Shenjat e dëmtimeve fizike, të identifikuara në vizitën e pranimit, duhet të regjistrohen në një regjistër të veçantë së bashku me shpjegimet e të sapoardhurit rreth rrethanave të shkaktuara.

9. Mjeku, në rast se i kërkohet, duhet të pajisë të sapoardhurin me një certifikatë mjekësore, e cila shpjegon gjendjen e lëndimeve dhe rrethanat e tjera.

10. Mbi bazën e dokumentacionit shoqërues, të shpjegimeve verbale e të formularit të vlerësimit të riskut, vlerësohen të dhënat individuale të të paraburgosurit dhe të dënuarit lidhur me personalitetin e tij.

11. Mbi bazën e këtyre të dhënave përpilohet regjistri i komisionit të pritjes, dokumentacioni përkatës, sipas shërbimeve dhe programohet në vazhdim trajtimi individual për të paraburgosurin dhe të dënuarin.

Neni 40

Diferencimi i institucioneve për qëllime trajtimi, caktimi dhe grupimi i të dënuarve

1. Institucionet dhe seksionet e veçanta janë të organizuara sipas nevojave të trajtimit individual ose në grup të të dënuarve.

2. Numri i të dënuarve në institucione dhe në seksione përgjithësisht, sistemimi dhe aktivizimi i tyre posaçërisht janë të kufizuara në atë masë që të favorizojnë trajtimin e individualizuar.

3. Lejohet pranimi i të dënuarve në veprimtari të veçanta, të organizuara në institucione ose seksione të një kategorie të ndryshme nga ato ku janë caktuar, me përjashtim të atyre të sigurisë së lartë.

4. Grupimi i të dënuarve brenda institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale bëhet duke pasur parasysh mundësinë që ata të përfitojnë nga një trajtim i diferencuar në grup, në përputhje me kërkesat dhe angazhimin e tyre.

5. Të dënuarit, si rregull, caktohen në institucione pranë vendbanimit të familjeve të tyre, sipas dokumentacionit ligjor referues.

KREU II

DREJTIMET DHE FORMAT E TRAJTIMIT

Neni 41

Trajtimi

1. Trajtimi social-edukativ i të paraburgosurve dhe të dënuarve zhvillohet me anë të veprimeve individuale dhe të veprimtarive formuese. Ai realizohet nga personeli i institucionit, që ka formimin e duhur në fushën përkatëse dhe aftësi profesionale, në bashkëpunim edhe me punonjësit e tjerë të institucionit.

2. Komunikimi me botën e jashtme dhe familjen inkurajohen e sigurohen sipas programeve individuale dhe grupore.

3. Trajtimi i të paraburgosurve dhe i të dënuarve bëhet duke siguruar mjediset dhe mjetet e përshtatshme, si dhe në përputhje me të dhënat e personalitetit të tyre.

Neni 42

Shërbimi mjekësor

1. Shërbimi mjekësor sigurohet gjatë të gjithë kohës së qëndrimit në institucion, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe mbulohet nga sigurimi i detyrueshëm i kujdesit shëndetësor, pavarësisht nga refuzimi i mundshëm i marrjes së shërbimit shëndetësor nga ana e të paraburgosurit apo të dënuarit me burgim.

2. Personat e paraburgosur dhe të dënuarit me burgim përfshihen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, në kuptim të ligjit në fuqi, dhe përfitojnë, pa pagesë, të gjitha shërbimet që ofron skema e sigurimit shëndetësor, sipas këtij ligji.

3. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve siguron kushtet, mjetet dhe personelin për mbrojtjen e shëndetit të të dënuarve. Organizimi dhe realizimi i shërbimit shëndetësor bëhen nga administrata e institucionit, në bashkëpunim me spitalin e burgjeve dhe me organet shtetërore përkatëse të shëndetësisë.

4. Të paraburgosurit dhe të dënuarit kanë të drejtë të kryejnë vizitat mjekësore nga një mjek dhe/ose në një spital të zgjedhur prej tyre, me kushtin që të mbulojnë vetë shpenzimet mjekësore dhe çdo shpenzim tjetër që rrjedh si pasojë e zgjedhjes së mjekut prej tyre. Përjashtimisht, të dënuarit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale të sigurisë së lartë mund të përfitojnë vizita mjekësore nga një mjek dhe/ose në një spital të zgjedhur prej tyre vetëm pas vlerësimit të rrezikshmërisë të dënuarit. E drejta për të kryer vizita mjekësore nga një mjek dhe/ose në një spital të zgjedhur prej të dënuarve ose të paraburgosurve nuk zbatohet për të dënuarit dhe ose të paraburgosurit të vendosur në regjimin e posaçëm në burgun e sigurisë së lartë, sipas parashikimit të nenit 18, të këtij ligji.

5. Shërbimi shëndetësor siguron:

a) parandalimin, diagnostikimin dhe mjekimin e sëmundjeve;

b) furnizimin me ilaçe dhe pajisje mjekësore në rastet e emergjencës shëndetësore kur ato nuk mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor;

c) profilaksinë për sëmundjet, duke bërë kujdes të veçantë për sëmundjet infektive dhe ato ngjitëse;

ç) sigurimin e higjienës së mjedisit dhe edukimin sanitar të paraburgosurve dhe të dënuarve.

6. Çdo institucion ka shërbim shëndetësor e farmaceutik, që i përgjigjet nevojave për parandalimin dhe ruajtjen e shëndetit të të paraburgosurve e të dënuarve.

7. Të paraburgosurit dhe të dënuarit, që dyshohen ose kanë sëmundje ngjitëse, izolohen menjëherë në mjedise të posaçme.

8. Në institucionet ku ekzekutohet dënimi me burgim për gratë, funksionojnë shërbimet speciale në shërbim të grave shtatzëna dhe të atyre me fëmijë në gji. Personeli mjekësor viziton çdo ditë të paraburgosurit dhe të dënuarit e sëmurë e ato që bëjnë kërkesë me shkrim ose me gojë drejtuar stafit shëndetësor ose personelit të sigurisë në regjim dhe kontrollon, periodikisht, të gjithë të paraburgosurit dhe të dënuarit e tjerë, sipas një grafiku të hartuar nga drejtoria e institucionit.

9. Personeli mjekësor evidenton dhe njofton menjëherë për sëmundjet që kërkojnë trajtim të specializuar.

10. Për rastet e sëmundjeve ngjitëse ose të sëmundjeve të tjera, diagnostikimi dhe mjekimi i të cilave nuk mund të sigurohen në kushtet e institucionit, të paraburgosurit dhe të dënuarit transferohen në spitalin e burgjeve dhe, kur është e nevojshme, ata transferohen në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë e në institucionet spitalore, në rang qarku apo rrethi, në varësi të saj.

11. Diagnostikimi dhe mjekimi në këto qendra bëhen sipas një udhëzimi të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

12. Në raste urgjence, kur rrezikohet jeta e të paraburgosurit dhe të dënuarit, ai transferohet për mjekim në spitalin e burgjeve ose në spitalet rajonale.

13. Struktura shtetërore përgjegjëse për inspektimin shëndetësor si dhe çdo institucion varësie i tij vizitojnë, të paktën dy herë në vit, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, për kontrollin e gjendjes higjieno-sanitare të mjediseve dhe masat e marra nga shërbimi shëndetësor i institucionit, për parandalimin e sëmundjeve infektive.

14. Ndalohen eksperimentet shëndetësore që përfshijnë të dënuarit dhe që mund të shkaktojnë dëmtime fizike, çrregullime mendore ose dëmtime të tjera.

15. Rregullat e hollësishme për mënyrën e ofrimit të kujdesit shëndetësor dhe funksionimin e skemës së sigurimeve shëndetësore, për personat paraburgosur dhe të dënuar, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit që mbulon fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhe ministrit të Drejtësisë.

Neni 43

Kujdesi shëndetësor për kategori të veçanta

1. Shërbimi shëndetësor në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale i garantohet të dënuarit ose të paraburgosurit pa asnjë lloj diskriminimi në lidhje me statusin e tij ligjor ose për çdo arsye tjetër që mund të shërbejë për diskriminim.

2. Trajtimi i personave me çrregullime të shëndetit mendor mbështetet në ligjin për shëndetin mendor. Të dënuarit dhe të paraburgosurit që gjenden në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe që vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor gëzojnë të drejtën për trajtim të veçantë shëndetësor pranë strukturave shëndetësore të specializuara për trajtimin e sëmundjeve të shëndetit mendor ose në qendrën spitalore të burgjeve, sipas rastit.

3. Trajtimi shëndetësor i të dënuarve dhe të paraburgosurve përfshin kontroll të plotë për të përcaktuar nevojat e kujdesit shëndetësor parësor për praninë e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme ose sëmundjeve të lindura të gjakut, nevojat për kujdesin shëndetësor mendor, trajtimet e çrregullimeve posttraumatike, të rrezikut të vetëvrasjes ose të vetëdëmtimit, historinë e shëndetit riprodhues, praninë e varësisë të drogës, abuzimin seksual dhe forma të tjera të dhunës që mund të ketë pësuar përpara pranimit në institucion.

4. Të dënuarave dhe të paraburgosurave të mitura u garantohen programe dhe shërbime specifike me qasje me moshën dhe gjininë. Ato informohen me një gjuhë të kuptueshme për kujdesin shëndetësor, për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme, higjienën vetjake, për format e dhunës dhe çdolloj abuzimi. Gratë dhe të miturat, që kanë pasur përvoja të dhunës fizike, psikologjike, seksuale u nënshtrohen programeve të kujdesit shëndetësor për trajtimin dhe rehabilitimin e tyre.

5. Të dënuarit dhe të paraburgosurit, që shfaqin shenja të përdorimit të drogës, të substancave psikotrope ose alkoolit apo shfaqin shenja të stresit, trajtohen sipas programeve shëndetësore dhe sociale që zbatohen në shoqërinë jashtë institucionit.

6. Personat që mbartin sëmundje infektive përfshirë virusin HIV trajtohen në përputhje me standardet që zbatohen për këto kategori në institucionet spitalore.

7. Të paraburgosurit dhe të dënuarit me sëmundje kronike ose të moshuar përfitojnë shërbim shëndetësor, sipas standardeve që zbatohen për këto kategori personash pranë institucioneve të specializuara jashtë sistemit të burgjeve.

8. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton ofrimin e shërbimeve shëndetësore të nevojshme në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe, në rast se ofrimi i këtyre shërbimeve është i pamundur të kryhet në këto institucione, shërbimet mundësohen në struktura shëndetësore të specializuara jashtë sistemit të burgjeve.

Neni 44

Punësimi

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit kanë të drejtë për të punuar. Ndalohet puna e detyruar e të paraburgosurve ose e të dënuarve në të gjitha format e saj.

2. Përshkrimi i përgjithshëm i punës që kryhet nga të paraburgosurit ose të dënuarit duhet të jetë në përputhje me aftësitë për punë, formimin profesional, karakteristikat e veçanta të personalitetit, si dhe me perspektivën e riintegrimit në shoqëri të tyre.

3. Të parabargosurit ose të dënuarit punësohen nga administrata e institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale ose nga persona juridikë privatë, brenda ose jashtë institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale. Ndalohet punësimi jashtë institucionit i të dënuarve që janë vendosur në institucionet e sigurisë së lartë.

4. Punësimi jashtë institucionit i të dënuarve mund të lejohet nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me propozimin e drejtorit të institucionit në rastet kur nuk cenohen nevojat e sigurisë dhe e lejon vlerësimi i rrezikshmërisë të të dënuarit.

5. Punësimi i të paraburgosurve jashtë institucionit mund të lejohet vetëm me vendim të prokurorit.

6. Në çdo rast, dalja jashtë institucionit dhe kryerja e punës bëhen gjithmonë të shoqëruar nga personeli i institucionit dhe të ruajtur nga Policia e Burgjeve.

7. Punësimi i të miturve kryhet në përputhje me rregullat e caktuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur.

8. Rregullat e posaçme për punësimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve, kushtet e punës, kohëzgjatja e saj si dhe mënyra e shpërblimit për punën e kryer përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 45

Arsimimi

1. Arsimimi dhe formimi kulturor e profesional bëhen me anë të organizimit të shkollës si dhe të kurseve profesionale, sipas legjislacionit në fuqi që rregullon arsimin parauniversitar si dhe arsimin dhe formimin profesional.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nxisin përfitimin, njohjen dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale, si dhe kryerjen dhe favorizimin e ndjekjes së studimeve profesionale, duke përdorur kurset me kohë të pjesshme.

3. Kujdes i veçantë i kushtohet formimit kulturor e profesional të të paraburgosurit dhe të dënuarve me moshë nën 25 vjeç.

4. Të dënuarve dhe të paraburgosurve që i përkasin minoriteteve etnike ose gjuhësore që nuk kuptojnë ose zotërojnë gjuhën shqipe, të dënuarve të huaj u mundësohen materiale të shkruara në gjuhën e tyre ose në një gjuhë që e kuptojnë më mirë.

Neni 46

Veprimtaritë kulturore, çlodhëse e sportive

1. Organizimi i veprimtarive kulturore, çlodhëse e sportive duhet të synojë ruajtjen dhe zhvillimin e aftësive fizike, shpirtërore dhe psikike të të paraburgosurit e të dënuarve.

2. Për të dënuarit e mitur hartohet një program i veçantë përfshirjeje në veprimtari kulturore, krijuese e sportive, në bashkëpunim me të miturin.

3. Administrata e institucionit bashkëpunon me institucionet e tjera, organizatat jofitimprurëse e ato fetare për organizimin e veprimtarive kulturore, krijuese dhe sportive, brenda dhe jashtë institucionit.

Neni 47

Mjediset dhe kushtet materiale të trajtimit

1. Në institucionet e ekzekutimit të dënimit dhe riedukimit, sipas kërkesave të trajtimit, duhet të sigurohen mjediset dhe mjetet e përshtatshme dhe të nevojshme për zhvillimin e punës, arsimimin shkollor dhe profesional, veprimtaritë çlodhëse, kulturore dhe çdo veprimtari tjetër të përbashkët ose individuale.

2. Institucionet duhet të jenë të pajisura me një bibliotekë librash dhe botime periodike.

Neni 48

Lidhjet me familjen

1. Kujdes i veçantë i kushtohet ruajtjes, përmirësimit ose rivendosjes së lidhjeve të të paraburgosurit dhe të të dënuarve me familjen.

2. I paraburgosuri dhe i dënuari mund të informojë menjëherë familjarët për futjen e tyre në një institucion ose kur transferohet prej tij.

3. Në rast vdekjeje ose sëmundjeje të rëndë fizike ose psikike të një të paraburgosuri dhe të dënuari duhet të njoftohen menjëherë familjarët.

4. Institucioni njofton menjëherë të paraburgosurit dhe të dënuarin kur vihet në dijeni për vdekjen e të afërmve të tij.

5. Për të paraburgosurit dhe të dënuarit e mitur dhe për gratë që kanë fëmijë të mitur bëhet një program i posaçëm dhe favorizues për lidhjet me familjen.

Neni 49

Takimet, vizitat, korrespondencat dhe informacioni

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit kanë të drejtë që të kenë takime dhe korrespondenca me familjarët dhe persona të tjerë.
2. Të paraburgosurit dhe të dënuarit kanë të drejtë të komunikojnë me median, me përjashtim të rasteve kur ka arsye të forta për të mos lejuar këtë gjë për qëllime të ruajtjes së sigurisë brenda IEVP-ve, integritetin e viktimave, të burgosurve të tjerë ose të personelit të institucionit.

3. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve lëshon autorizime me kërkesë të motivuar, për hyrjen e mediave në mjediset e IEVP-ve. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për autorizim merren në konsideratë të gjitha aspektet e sigurisë të përmendura në pikën 2, të këtij neni.

4. Në rastin e të paraburgosurve merret miratimi paraprak me shkrim i prokurorit. Takimet zhvillohen në vende të veçanta nën kontroll shikimi dhe jo dëgjimi nga personeli mbikëqyrës.

5. Favorizohen veçanërisht takimet me familjarët.

6. Kur organizimi i institucionit e lejon, të dënuarit mund të autorizohen të rrinë me familjarët përtej kufirit kohor të parashikuar. Sipas kritereve të rregullores së burgjeve vizitat mund të bëhen në vende të rezervuara.

7. Institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale mundëson takime konfidenciale të të paraburgosurve dhe të dënuarve me anëtarët e komisionit mbikëqyrës, mbrojtësin e zgjedhur ose të caktuar kryesisht, përfaqësuesin e ndihmës juridike të garantuar nga shteti, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, përfaqësues të OJF-ve, vendase ose të huaja, që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut, të fëmijëve, grave, të rinjve, me të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

8. Për të paraburgosurit dhe të dënuarit e mitur zbatohet një trajtim favorizues për korrespondencën telefonike dhe takimet me familjarët.

9. Administrata e institucionit vë në dispozicion të të dënuarve, që nuk i kanë mundësitë, mjetet e nevojshme për korrespondencën.

10. Korrespondenca telefonike mund të autorizohet në marrëdhëniet me familjarët, në raste të veçanta me të tretët.

11. Të dënuarit lejohen të mbajnë gazeta, revista e libra që janë në shitje të lirë jashtë dhe të shfrytëzojnë mjete të tjera informacioni të lejuara.

12. Me kërkesë të prokurorit në rastet e parashikuara në ligj, gjykata lejon kontrollin e korrespondencës të të dënuarit. Kontrolli mund të bëhet nga drejtori i institucionit ose nga persona të autorizuar prej tij në prani të prokurorit. Kërkesa e prokurorit pezullon dorëzimin e korrespondencës. Nuk lejohet kontrolli i korrespondencës mbi letrat që u dërgohen Avokatit të Popullit, avokatëve mbrojtës dhe organizmave ndërkombëtarë kompetentë në fushën e të drejtave të njeriut.

Neni 50

E drejta e besimit dhe ushtrimi i riteve fetare

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit kanë të drejtën e besimit dhe të ushtrimit të riteve. Për ushtrimin e riteve institucioni siguron mjedise të veçanta.

2. Të paraburgosurit dhe të dënuarit kanë të drejtë të takohen me përfaqësues të komuniteteve fetare, të caktuar në marrëveshje ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe komuniteteve fetare të njohura ligjërisht.

Neni 51

Hyrja në institucion

1. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen pa autorizim nga Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit, Kryeministri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryetari i Kuvendit, Zëvendëskryeministri, ministri i Drejtësisë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, deputetët, zëvendësministri i Drejtësisë, Avokati i Popullit, komisionerët dhe ndihmëskomisionerët e tij, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve dhe zëvendësit e tij, drejtori i Policisë së Burgjeve, drejtori dhe inspektorët e kontrollit të brendshëm të burgjeve, anëtarët e komisionit mbikëqyrës të ekzekutimit të vendimeve penale, gjyqtarët dhe prokurorët gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, si dhe avokatët e të burgosurve dhe të paraburgosurve.

2. Nuk është i nevojshëm autorizimi për ata që shoqërojnë personat e përmendur në pikën 1, të këtij neni, por gjithmonë jo më shumë se dy. Avokatët e të paraburgosurve dhe të dënuarve mund të shoqërohen vetëm nga kandidatët për avokat që kryejnë stazhin pranë tyre, sipas parashikimit të ligjit për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë.

3. Personat e autorizuar në urdhrin e inspektimit nga ministri i Drejtësisë, gëzojnë të drejtën të hyjnë në institucionet e përcaktuara në urdhër.

4. Personat e tjerë, që nuk parashikohen në pikën 1, të këtij neni, mund të hyjnë në institucion vetëm me autorizim të drejtorit të institucionit.

5. Këta persona, në rast refuzimi pa shkaqe të arsyeshme të dhënies së autorizimit nga drejtori i institucionit, kanë të drejtë të ankohen te drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

6. Për përfaqësuesit e komuniteteve fetare zbatohen rregullat e parashikuara në këtë nen.

PJESA E KATËRT

REGJIMI NË INSTITUCION

KREU I

NORMAT E SJELLJES, ZHDËMTIMI DHE PËRGJEGJËSIA DISIPLINORE

Neni 52

Normat e sjelljes të të paraburgosurve dhe të dënuarve

1. Rregullorja e burgjeve dhe ajo e brendshme e institucionit përcaktojnë rregulla lidhur me trajtimin, regjimin dhe sjelljen e të paraburgosurit e të dënuarve, duke vendosur kufizime të nevojshme për aq sa nuk cenohen kërkesat e këtij ligji dhe synimi për riedukimin e tyre.

2. Me rastin e pranimit në institucion dhe gjatë vuajtjes së dënimit, të paraburgosurit dhe të dënuarit janë të detyruar të njohin dhe të respektojnë rregullat e brendshme, dispozitat që lidhen me të drejtat dhe detyrat e tyre, të trajtimit dhe të disiplinës.

3. Asnjë të paraburgosuri dhe të dënuari nuk mund t’i caktohen detyra në shërbimet në institucion, që i japin atij një pozicion sundues ose favorizues ndaj të dënuarve të tjerë.

Neni 53

Përgjegjësia për dëmet

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit detyrohen të kujdesen për sendet e vëna në dispozicion të tyre, si dhe të shmangin çdolloj dëmtimi të sendeve të të tjerëve.

2. Të paraburgosurit dhe të dënuarit që shkaktojnë dëm material ndaj administratës së institucionit ose personave të tjerë duhet ta dëmshpërblejnë atë.

Neni 54
Kontrolli vetjak i të dënuarve dhe i të paraburgosurve

1. Të paraburgosurit dhe i dënuari i nënshtrohen kontrollit vetjak në çdo rast të hyrjes apo të daljes nga institucioni dhe, në raste të tjera, kur ka shkaqe të arsyeshme.

2. Kontrolli vetjak duhet të bëhet duke respektuar dinjitetin e të paraburgosurit dhe të të dënuarit.

3. Kontrolli mund të bëhet vetëm nga persona me të njëjtin seks me të paraburgosurit ose të dënuarit.

4. Kontrolli i grave dhe i të miturave të paraburgosura ose të dënuara kryhet vetëm nga stafi me të njëjtën gjini, i trajnuar në metoda të përshtatshme kontrolli, në përputhje me procedurat e përcaktuara.

5. Me autorizim të drejtorit të institucionit, në rastet, mënyrën dhe procedurën që parashikohet në rregulloren e burgjeve, mund të bëhen edhe kontrolle intime, vetëm nga mjeku i së njëjtës gjini i institucionit.

Neni 55
Kontrolli në mjediset e banimit (dhoma/qeli)

Kontrolli në mjediset e banimit të burgosurit kryhet nga personeli i specializuar në prani të të burgosurve/paraburgosurve, me përjashtim të rasteve kur prania e tyre përbën rrezik për sigurinë fizike të punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Neni 56
Kontrolli vetjak i vizitorëve dhe personelit

Kontrolli vetjak i parashikuar në nenin 54, të këtij ligji, zbatohet edhe për subjektet që kanë statusin e vizitorit dhe personelin e IEVP-ve, sipas rasteve dhe procedurave të parashikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Neni 57

Shoqërimi i të paraburgosurve dhe të dënuarve

1. Lëvizjet e të dënuarve jashtë institucionit bëhen në një kohë mundësisht sa më të shkurtër, nën shoqërimin e Policisë së Burgjeve, sipas rregullave të përcaktuara në rregulloren e përgjithshme të burgjeve.

2. Shoqërimi i grave dhe i të miturave të dënuara ose të paraburgosura kryhet nga personeli i së njëjtës gjini, ndërsa shoqërimi i të sëmurëve kryhet me praninë e stafit mjekësor.

3. Gjatë lëvizjes tregohet kujdesi i duhur për të ekspozuar sa më pak të dënuarin ose të paraburgosurin në sytë e njerëzve dhe duke marrë masa mbrojtëse për të siguruar anonimitetin.

4. Në lëvizjet kolektive është gjithmonë i detyrueshëm përdorimi i prangave ose i mjeteve të tjera shtrënguese.

Neni 58

Kërkesat dhe ankesat

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit kanë të drejtë për të paraqitur kërkesa ose ankesa, me shkrim ose përjashtimisht me gojë, drejtuar personelit të institucionit, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit, organizatave ndërkombëtare, OJF-ve vendase dhe të huaja, prokurorit ose gjykatës së vendit të ekzekutimit të vendimit penal, si dhe personave të tjerë që vizitojnë institucionin, sipas nenit 51, të këtij ligji.

2. I paraburgosuri dhe i dënuari informohen për mundësinë e takimeve me drejtorin e institucionit ose personelin përgjegjës për çështje në interes të tyre ose që përbëjnë shqetësim.

3. Personeli i autorizuar organizon takime periodike me të paraburgosurin dhe të dënuarin, me qëllim krijimin e mundësive të paraqitjes së kërkesave ose ankesave. Rregullat dhe procedurat lidhur me shpeshtësinë, kohën e takimeve dhe mënyrën e zhvillimit të tyre rregullohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

4. Kërkesat ose ankesat, pasi regjistrohen në një regjistër të veçantë, i dorëzohen drejtorit të institucionit, i cili ngarkon punonjësin përkatës për zgjidhjen dhe kthimin e përgjigjes të paraburgosurve dhe të dënuarve.

5. Çdo institucion mban dhe përditëson regjistrin e kërkesave ose të ankesave të të dënuarve dhe të paraburgosurve, në formë shkresore dhe elektronike. Formati e përmbajtja e regjistrit, si dhe procedura për kthimin e përgjigjes përcaktohen në rregulloren e përgjithshme të burgjeve.

Neni 59

Afatet e shqyrtimit të ankesave dhe të kërkesave

1. Organet kompetente sipas këtij ligji shqyrtojnë ankesat dhe kërkesat sa më parë, por jo më vonë se 1 muaj nga paraqitja e tyre, përveç kur ka afate të posaçme me dispozita të veçanta.

2. I burgosuri ka të drejtë të ankohet në instancat më të larta të sistemit të burgjeve dhe, kur kjo ankesë nuk zgjidhet në rrugë administrative, apo ndaj vendimit të dhënë, i burgosuri mund t’i drejtohet gjykatës së vendit ku ndodhet institucioni.

Neni 60

Rregullat e disiplinës

1. Rregullat e disiplinës zbatohen në mënyrë që të stimulojnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe aftësinë e vetëkontrollit të të paraburgosurit dhe të dënuarit. Ato hartohen në përshtatje me gjininë, moshën, gjendjen fizike, psikike, psikologjike të tij.

2. Për të miturit dhe personat e diagnostikuar me çrregullime të shëndetit mendor, personat që kanë pasur përvoja të dhunës fizike, psikologjike ose të abuzimit seksual zbatohet një regjim disiplinor lehtësues, në përputhje me nevojat e tyre.

3. Rregullat që përbëjnë regjimin disiplinor lehtësues dhe procedurat për zbatimin e tij përcaktohen në rregulloren e përgjithshme të burgjeve.

Neni 61

Parimet e përgjithshme të shkeljeve disiplinore

1. Masat disiplinore duhet të jenë forma e fundit e disiplinimit të sjelljes. Në rastet kur është e mundur, autoritetet e institucionit përdorin ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet të dënuarve dhe të paraburgosurve ose mes tyre dhe personelit të institucionit.

2. Ndaj të paraburgosurit dhe të dënuarit nuk mund të merren masa disiplinore për një fakt që nuk është parashikuar shprehimisht si shkelje në këtë ligj, në rregulloren e burgjeve dhe të institucionit.

3. Masë disiplinore mund të jepet vetëm pas dëgjimit dhe verifikimit të pretendimit të të paraburgosurit e të dënuarit.

4. Masat disiplinore caktohen në përputhje me llojin dhe rëndësinë e shkeljes, qëndrimin e të paraburgosurit e të dënuarit ndaj saj, si dhe të dhënat individuale të tij.

5. Masat disiplinore zbatohen duke respektuar personalitetin e të paraburgosurit dhe të dënuarit.

Neni 62
Masat disiplinore

1. Për shkeljet disiplinore zbatohen këto masa:
a) Këshillim individual;
b) Përjashtim nga veprimtari të përbashkëta deri në 10 ditë;
c) Përjashtim nga ajrosja në grup deri në 10 ditë;
ç) Përjashtim nga të gjitha veprimtaritë e përbashkëta deri në 20 ditë.

2. Të dënuarit dhe të paraburgosurit ndaj të cilëve është dhënë një masë disiplinore, në përputhje me shkronjat “b” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni, vendosen në dhomat e veçimit deri në përfundim të kohëzgjatjes së masës disiplinore.
3. Ndaj grave, masat e parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, jepen deri në gjysmën e kohës së parashikuar. Për gratë shtatzëna ose që u është lënë fëmija në institucion, zbatohet vetëm masa disiplinore e parashikuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni.

4. Asnjë i dënuar ose i paraburgosur nuk dënohet dy herë për të njëjtën shkelje për të cilën është shprehur më parë me vendim organi kompetent disiplinor.

5. Masat disiplinore të përjashtimit nga veprimtaritë e përbashkëta nuk mund të zbatohen në ambientet e veçimit pa një dokument me shkrim, të lëshuar nga mjeku që vërteton gjendjen fizike dhe mendore të të dënuarit. I dënuari apo i paraburgosuri, ndaj të cilit merret kjo masë, i nënshtrohet kontrollit mjekësor të përditshëm.

6. Në këtë rast masat disiplinore administrohen në dosje personale të të dënuarit.

7. Në rregulloren e burgjeve masat e mësipërme mund të diferencohen në varësi të llojit të institucionit, pa kaluar kufijtë maksimalë.

Neni 63

Organi kompetent për dhënien e masave disiplinore

1. Masa disiplinore e këshillimit jepet nga drejtori i institucionit.

2. Masat e tjera vendosen nga komisioni disiplinor, i përbërë nga drejtori i institucionit, në cilësinë e kryetarit, dhe përgjegjësi i sektorit ligjor, përgjegjësi i sektorit të sigurisë, përgjegjësi i sektorit të kujdesit social dhe specialisti i sektorit të kujdesit social që trajton të dënuarin në cilësinë e anëtarëve.

3. Mjeku mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit disiplinor pa të drejtë vote. Ai harton, në çdo rast, një raport mjekësor ku shprehet mbi gjendjen shëndetësore të të paraburgosurit dhe të dënuarit. Ky raport mjekësor shqyrtohet nga komisioni disiplinor, për efekt të përcaktimit të masës disiplinore.

4. Komisioni disiplinor ngrihet dhe funksionon me urdhër të drejtorit të institucionit, i cili mbledh komisionin disiplinor jo më vonë se 48 orë nga momenti i konstatimit të shkeljes.

Neni 64

Procedura e dhënies së masave disiplinore

1. Komisioni disiplinor merr vendim për dhënien e masës disiplinore, pasi ka dëgjuar më parë personin ndaj të cilit ka një propozim për masë disiplinore, nëse ai dëshiron të shprehet.

2. Njoftimi i personit të interesuar ose refuzimi i tij për t’u shprehur përpara komisionit vërtetohet kundrejt nënshkrimit të të interesuarit dhe, në rastet e hezitimit të tij për të firmosur, me nënshkrimin e dy personave të tjerë nga stafi, që nuk janë të përfshirë në ngjarjen që ka shkaktuar propozimin për masë disiplinore.

3. I dënuari dhe i paraburgosuri kanë të drejtë të mbrohen vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tyre, të kërkojnë paraqitjen e dëshmitarëve dhe t’u bëjnë pyetje atyre, të kundërshtojnë apo prapësojnë provat e paraqitura ndaj tyre, si dhe të kenë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e tyre.

4. I dënuari dhe i paraburgosuri kanë të drejtë të kenë përkthyes, nëse nuk mund të kuptojnë ose flasin gjuhën shqipe.

5. Organet kompetente i dorëzojnë të dënuarit ose të paraburgosurit një kopje të vendimit për marrjen e masave disiplinore.

Neni 65

Ankimi i masave disiplinore

1. I paraburgosuri dhe i dënuari kanë të drejtë të apelojnë masën disiplinore pranë komisionit të apelimit të masave disiplinore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga njoftimi i tij me shkrim për masën disiplinore të dhënë nga komisioni disiplinor.

2. Komisioni i apelimit të masave disiplinore njofton me shkrim të dënuarin ose të paraburgosurin lidhur me vendimin e tij.
3. I paraburgosuri ose i dënuari kanë të drejtë të ankohen në gjykatën e vendit ku ndodhet institucioni, për vendimin e dhënë nga komisioni i apelimit. Ankimi duhet të bëhet brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga njoftimi me shkrim për vendimin e dhënë nga komisioni i apelimit.

Masa disiplinore fillon efektin e saj nga momenti i marrjes së një vendimi nga komisioni disiplinor.

4. Masat disiplinore evidentohen në regjistrin e masave disiplinore, në dosjen psiko-sociale dhe në dosjen personale të të dënuarit, menjëherë pasi është dhënë vendimi nga organi kompetent. Në rast të pranimit të ankimit nga ana e komisionit të apelimit apo të gjykatës bëhet menjëherë shënimi përkatës dhe masat konsiderohen të pa dhëna. Ato konsiderohen të pa dhëna në rast mospërsëritjeje për një periudhë 6-mujore për shkronjën “a”, të pikës 1, të nenit 66, dhe për një periudhë 1-vjeçare për shkronjat “b”, “c”, dhe “ç”, të pikës 1, të nenit 66, të këtij ligji.

Neni 66

Regjimi i mbikëqyrjes së veçantë

1. I paraburgosuri dhe i dënuari mund të vendosen nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj, kur:

a) rrezikojnë sigurinë për personelin e burgut, vizitorët, kur ka rrezik të dëmtojnë veten ose të tjerët;
b) ka rrezik të pengojnë veprimtarinë e të paraburgosurve ose të dënuarve të tjerë nëpërmjet dhunës ose kërcënimeve;
c) ka rrezik të detyrojnë të paraburgosurit ose të dënuarit e tjerë që t’iu nënshtrohen ose të përfitojnë prej tyre;
ç) ka rrezik të nxisin të tjerët të mos zbatojnë ose të shkelin rregullat individualisht ose në grup.

2. Regjimi i mbikëqyrjes së veçantë vendoset me urdhër të drejtorit të institucionit.

3. Drejtori i institucionit urdhëron drejtpërdrejt për kalimin e të paraburgosurit ose të dënuarit në regjimin e mbikëqyrjes së veçantë, duke vënë menjëherë në dijeni për këtë prokurorin dhe drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve. I dënuari, i paraburgosuri ose mbrojtësi kanë të drejtë të ankimojnë urdhrin e drejtorit të institucionit në gjykatë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i urdhrit.
4. Regjimi i mbikëqyrjes së veçantë zbatohet në ambientet e brendshme të institucionit ku ndodhet i dënuari apo i paraburgosuri.

Neni 67

Përmbajtja e regjimit të mbikëqyrjes së veçantë

1. Regjimi i mbikëqyrjes së veçantë përmban kufizimet më të nevojshme për mbajtjen e rregullit dhe të sigurisë, për ushtrimin e të drejtave të të paraburgosurve e të dënuarve dhe për rregullat e trajtimit të parashikuara në rregulloren e burgjeve.

2. Për çdo rast, shtrëngesat nuk kanë të bëjnë me kërkesat e higjienës, të shëndetit, të veshjes, të ushqimit, të pajisjeve, me mbajtjen, blerjen dhe marrjen e ushqimeve ose objekteve të tjera të parashikuara nga rregullorja e institucionit, me leximin e librave, me praktikat fetare, me përdorimin e aparateve radio të tipit të lejuar, me ajrosjen, me bisedimet me avokatin mbrojtës, si dhe me bashkëshortët, fëmijët dhe për të miturit me prindërit.

Neni 68

Përdorimi i forcës fizike dhe i mjeteve shtrënguese

1. Nuk lejohet përdorimi i forcës fizike ndaj të paraburgosurit dhe të dënuarve, nëse nuk është e domosdoshme për të ndaluar aktet e dhunshme, tentativat e largimit nga institucioni, si dhe për mposhtjen e kundërshtimit edhe kur ai është pasiv, në zbatimin e urdhrave të dhënë.

2. Personeli, i cili për çdolloj arsye ka përdorur forcën fizike ndaj të paraburgosurit dhe të dënuarve, duhet menjëherë të vërë në dijeni me shkrim drejtorin e institucionit, i cili nga ana e tij bën kontrollin dhe siguron ndihmën shëndetësore të të paraburgosurit dhe të dënuarve dhe vetëm pas kësaj verifikon çështjen.

3. Mjetet e shtrëngimit fizik nuk mund të përdoren si ndëshkim, por vetëm në rastet që parashikohen shprehimisht në rregullore dhe për të shmangur përpjekjet për largimin nga institucioni, dhunën ndaj personave, dëmtimin e sendeve, si dhe për të garantuar shëndetin e vetë të paraburgosurit dhe të dënuarit.

4. Përdorimi i mjeteve të shtrëngimit fizik duhet të jetë i kufizuar në kohë dhe për kalimin për një periudhë mbi 72 orë duhet të merret miratimi i prokurorit.

5. Gjatë shtrëngimit fizik, i paraburgosuri dhe i dënuari duhet të jenë nën kontrollin e vazhdueshëm të shërbimit shëndetësor.

Neni 69

Llojet dhe natyra e forcës dhe mjeteve të shtrëngimit

1. Në rregulloren e burgjeve përcaktohen llojet, natyra e forcës dhe e mjeteve të shtrëngimit dhe rregullat e përdorimit të tyre me funksion parandalues dhe në përputhje me individualitetin e të paraburgosurit dhe të dënuarit.

2. Policët e shërbimit brenda institucionit nuk duhet të mbajnë armë, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligjin në fuqi për Policinë e Burgjeve.

KREU II

LEJET, SHPËRBLIMET DHE NDRYSHIMI I GJENDJES CIVILE

Neni 70

Lejet shpërblyese

1. Të dënuarit, të cilët respektojnë rregullat e disiplinës dhe rregulloren e brendshme të institucionit, që janë të motivuar për të marrë pjesë në programet rehabilituese e të riintegrimit dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, kanë të drejtë të marrin leje shpërblyese, por jo më shumë se 20 (njëzet) ditë në vit. Për të dënuarit e mitur kohëzgjatja e lejeve shpërblyese në total, nuk mund të jetë më shumë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë në vit.

2. Leja shpërblyese i jepet:

a) personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit;

b) personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit;

c) personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi t’u ketë mbetur për të vuajtur më pak se 5 vjet heqje lirie.

3. Leja shpërblyese në institucionet e sigurisë së lartë jepet vetëm me urdhër të ministrit të Drejtësisë ose me autorizimin e tij nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.

4. Për të dënuarit e huaj, rregulla të posaçme të trajtimit me leje shpërblyese përcaktohen në rregulloren e përgjithshme të burgjeve.

5. Brenda 7 (shtatë) ditëve nga marrja e kërkesës për leje, organi përgjegjës miraton lejen shpërblyese.

6. Në rast refuzimi të dhënies së lejes, i dënuari ose përfaqësuesi i tij ligjor kanë të drejtë të bëjë ankim pranë ministrit të Drejtësisë, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative brenda 5 (pesë) ditëve dhe më pas ka të drejtë të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për leje. Në rast refuzimi të dhënies së lejes nga ministri i Drejtësisë, për të dënuarit në institucionet e sigurisë së lartë, ankimi bëhet drejtpërdrejt në gjykatë.

7. Procedurat e dhënies së lejeve përcaktohen me udhëzim të ministrit të Drejtësisë.

Neni 71

Leje të veçanta

1. Të paraburgosurit dhe të dënuarit kanë të drejtë të përfitojnë leje të veçantë, në rast të sëmundjeve të rënda, të cilat rrezikojnë jetën e vëllezërve, motrave, prindërve ose fëmijëve, të vërtetuar me raport mjekësor, apo të ngjarjeve të rëndësishme familjare, si vdekje, lindje apo martesa si dhe në rastet e dhënies së provimeve të vetë të dënuarit. Kjo periudhë përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit.

2. Leja e veçantë për të dënuarit jepet nga drejtori i institucionit ndërsa për të paraburgosurit jepet nga drejtori i institucionit, me pëlqimin paraprak të prokurorit.

3. Leja e veçantë jepet deri në 48 orë dhe, me kërkesë të të dënuarit, mund të zgjatet edhe 24 orë të tjera, kundrejt dokumentacionit ligjor të paraqitur në institucion dhe për sa e justifikojnë rrethanat.

4. Në rast se dhënia e lejes refuzohet nga drejtori i institucionit, i burgosuri mund të ankohet në gjykatë, e cila vendos për kërkesën për dhënien e lejes.

5. Dhënia e lejes së veçantë i komunikohet menjëherë strukturave të Policisë së Shtetit, ku do të qëndrojë i dënuari.

Neni 72

Detyrimet gjatë lejes dhe përgjegjësia për shkeljet

1. I paraburgosuri dhe i dënuari janë të detyruar të respektojnë kohën e lejes, ta kryejnë atë në vendin për të cilën u është dhënë, të respektojnë të gjitha detyrat dhe kushtëzimet që i janë dhënë dhe të njoftojë institucionin për çdo shmangie të imponuar.

2. Për mosrespektimin e rregullave të mësipërme, drejtori i institucionit ndërpret lejen, ndërsa për rastet e tejkalimeve në kundërshtim me kriteret e neneve 73 dhe 74, të këtij ligji, kërkohet nisja e procedimit penal sipas nenit 323, të Kodit Penal.

Neni 73

Ulja e dënimit

1. Të dënuarit që zbatojnë rregullat dhe kanë një pjesëmarrje shembullore në veprimtaritë trajtuese, duke dhënë prova për riintegrim në shoqëri, mund të përfitojnë një ose disa ulje, deri 90 (nëntëdhjetë) ditë në çdo vit të vuajtjes së dënimit. Në burgjet e sigurisë së lartë ulja e dënimit bëhet deri 45 (dyzet) ditë në vit.

2. Ulje dënimi nuk mund të jepet pa kaluar jo më pak se 12 (dymbëdhjetë) muaj nga ulja e fundit.

3. Për dhënien e këtij shpërblimi të veçantë vlerësohet qëndrimi i të dënuarit nga ulja e mëparshme ose gjatë 12 (dymbëdhjetë) muajve të fundit.

4. Ulja e dënimit bëhet me vendim të gjykatës, në bazë të kërkesës të të dënuarit apo të përfaqësuesit të tij ose të drejtorit të institucionit.

Neni 74

Ndryshimet në gjendjen civile

1. Drejtoria e institucionit i evidenton në një regjistër të veçantë faktet e lindjeve, martesave apo vdekjeve të ndodhura në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale me burgim, si dhe informon autoritetet përgjegjëse, për të bërë shënimet përkatëse në regjistrin e posaçëm të gjendjes civile, sipas legislacionit në fuqi për gjendjen civile.

2. Drejtoria e institucionit duhet të njoftojë menjëherë autoritetet gjyqësore, zyrën përkatëse të gjendjes civile, familjarët dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për vdekjen e të paraburgosurit dhe të dënuarit.

3. Në këto raste kufoma vihet menjëherë në dispozicion të familjarëve dhe, kur nuk ka të tillë ose kur refuzohet marrja, vendoset në varreza publike. Për vdekjen e të paraburgosurit dhe të dënuarit me shtetësi të huaj dhe për vendosjen e tij në varrezat publike njoftohet ministria përgjegjëse për punët e jashtme.

Neni 75

Depozitat

1. Shumat në para të të dënuarve depozitohen pranë zyrës së llogarisë në institucion dhe, kur janë mbi limitet e parashikuara në ligj, jashtë tij, duke i dhënë dokumentin përkatës sipas ligjit.

2. I dënuari mund të disponojë depozitën sipas ligjit dhe kritereve të parashikuara në rregulloren e burgut.

KREU III

TRANSFERIMET DHE LIRIMI

Neni 76

Rregullat e transferimit

1. Transferimet bëhen për arsye të rënda sigurie, kur rrezikohet jeta ose shëndeti i të dënuarit nga të tjerët, kur ka mbipopullim në institucion, për nevoja të hetimit dhe gjykimit, për shkaqe shëndetësore dhe familjare, si dhe kur për shkak të formimit profesional është i nevojshëm në një institucion tjetër si dhe në zbatim të urdhrit të ekzekutimit të prokurorisë për vendimet e formës së prerë të gjykatës.

2. Transferimet duhet të favorizojnë mundësi që të dënuarit ta kryejnë dënimin pranë vendbanimeve të familjeve të tyre.

3. Për t’u siguruar që transferimi i të dënuarve të huaj lehtëson riintegrimin e tyre dhe nuk shkel të drejtat e tyre themelore, duhen marrë parasysh mendimi i të dënuarve, lidhjet familjare, gjuhësore, kulturore, sociale e ekonomike dhe kushtet e burgjeve në shtetin ku ai do të vuajë dënimin, para marrjes së vendimit të formës së prerë.

4. Transferimi i të dënuarve dhe të paraburgosurve bëhet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

5. Të dënuarit duhet të transferohen së bashku me sendet vetjake.

Neni 77

Lirimi

1. Lirimi i të dënuarve bëhet kur përfundon ekzekutimi i vendimit të dënimit ose në bazë të ligjit, me vendim të organit kompetent. Administrata kryen veprimet me urdhër me shkrim të drejtorit të institucionit.

2. Për të dënuarit që nuk kanë mjete financiare dhe veshmbathje, me urdhër të drejtorit të institucionit i jepet një ndihmë në sasinë dhe sipas kritereve të rregullores së burgjeve.

3. Në të gjitha rastet kur rezulton që i liruari do të hasë në vështirësi për kthimin në jetën e lirë, drejtori i institucionit njofton për këtë organet e pushtetit lokal, ku banon i dënuari për asistencë të mëtejshme.

4. Për të dënuarit e mitur është i detyrueshëm njoftimi paraprak i prindërve ose kujdestarit të tij.

Gjykata që ka dhënë vendimin, organet e policisë lokale dhe Ministria e Brendshme njoftohen menjëherë për lirimin e të dënuarit dhe në raste të veçanta edhe paraprakisht. Për shtetasit e huaj njoftohet ministria përgjegjëse për punët e jashtme nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë.

5. Të liruarit i jepet një vërtetim lirimi në të cilin saktësohet kohëzgjatja e vuajtjes së dënimit, uljet dhe përfitimet që ka pasur për shkak të ligjit, si dhe kohëzgjatja e lloji i punës së kryer në institucion.

6. Me kërkesën e tij mund të jepet edhe vërtetim me të dhëna për aftësimin profesional të fituar, si dhe njoftime për sjelljen në burg.

PJESA E PESTË

SHQYRTIMI GJYQËSOR I ANKIMEVE DHE ROLI I AVOKATIT TË POPULLIT

Neni 78

Kompetencat e gjykatës

Gjykata, në territorin e së cilës ndodhet institucioni, shqyrton me një gjyqtar të gjitha rastet që përcaktohen shprehimisht në këtë ligj, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e të dënuarit, të cilat nuk janë zgjidhur nga institucioni mbi ankimin e të dënuarit, me përjashtim të çështjeve për të cilat në Kodin e Procedurës Penale është përcaktuar kompetenca.

Neni 79

Shqyrtimi i çështjes nga gjyqtari

1. Gjyqtari shqyrton çështjen dhe merr vendime vetëm për sa është ankuar ose kërkuar në seancë gjyqësore me pjesëmarrje të detyrueshme të drejtorit të institucionit ose përfaqësuesit të tij. Kur çështja nuk mund të shqyrtohet pa praninë e të dënuarit, seanca zhvillohet në mjedise të përshtatshme të institucionit ku ndodhet.

2. Në shqyrtimin e çështjes merr pjesë edhe avokati i kërkuar nga i dënuari ose i caktuar kryesisht për të dënuarit e mitur, ata që kanë shqetësime psikike, gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji, si dhe të dënuarit me shtetësi të huaj.
3. Mënyra e procedimit nga gjykata bëhet sipas parashikimeve të nenit 471, të Kodit të Procedurës Penale.

4. Shqyrtimi i ankimit ndaj vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë do të bëhet sipas rregullave të përgjithshme të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

Neni 80

Ekzekutimi i vendimeve

Vendimet e formës së prerë, që jepen nga gjykata, ekzekutohen në përputhje me legjislacionin në fuqi për ekzekutimin e vendimeve penale.

Neni 81

Mekanizmi kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues dhe kompetencat e tij

1. Avokati i Popullit, nëpërmjet mekanizmit kombëtar për parandalimin e torturës, trajtimit ose dënimit të egër, çnjerëzor ose poshtërues, në vijim mekanizmi kombëtar, që vepron si strukturë e veçantë nën autoritetin e tij, mbikëqyr zbatimin dhe realizimin e këtij ligji për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve.

2. Mekanizmi kombëtar ka këto kompetenca:

a) Vëzhgon rregullisht trajtimin e individëve, që u është hequr liria në vendet e ndalimit, arrestimit ose burgosjes, me qëllim që të forcohet, kur është e nevojshme, mbrojtja e individëve nga tortura, trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues;

b) Paraqet rekomandime për organet përkatëse, me qëllim që të përmirësohen trajtimi dhe kushtet e individëve që u është hequr liria dhe të parandalohet tortura dhe trajtimi ose dënimi i egër, çnjerëzor ose poshtërues.

Neni 82

Garancitë në veprimtaritë e mekanizmit kombëtar

Mekanizmit kombëtar, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, i garantohet:

a) marrja e çdo informacioni në lidhje me numrin e individëve që u është hequr liria, në vendet e privimit të lirisë, si dhe numrin e vendeve dhe vendndodhjen e tyre;

b) marrja e të gjithë informacionit për trajtimin e këtyre individëve, si dhe për kushtet e tyre të ndalimit;

c) hyrja lirisht në të gjitha vendet dhe mjediset ku është kufizuar liria e individit;

ç) kryerja e intervistave private, pa dëshmitarë, me individët që u është hequr liria, personalisht ose me një përkthyes kur është e nevojshme, si edhe me çdo individ tjetër që mund të japë informacionin e nevojshëm;

d) zgjedhja lirisht e vendeve që kërkon të vizitojë dhe e individëve që kërkon të intervistojë.

Neni 83

Format e mbikëqyrjes

1. Mbikëqyrja e mekanizmit kombëtar realizohet nëpërmjet:

a) pranimit të kërkesave ose ankesave nga të dënuarit ose të paraburgosurit, apo nga përfaqësuesit e tyre ligjorë dhe organizatat të cilat e ushtrojnë këtë të drejtë pasi të jetë dhënë pëlqimi paraprak nga ana e të dënuarve ose të paraburgosurve;

b) marrjes së informacionit, ankesave ose kërkesave të të dënuarit, ose nga individë që kanë statusin e vizitorit apo të organeve shtetërore ose organizatave joqeveritare, të cilat kanë kontrolluar apo vizituar institucionin, sipas kompetencës që u njeh ligji, si dhe nga avokati i të dënuarit ose të paraburgosurit;

c) kërkimit të informacioneve nga administrata e institucionit;

ç) verifikimit të dokumenteve, objekteve, pajisjeve ose mjediseve, që kanë lidhje me të dënuarin ose me të paraburgosurin, brenda dhe jashtë institucionit.

2. Për realizimin e procesit të mbikëqyrjes, mekanizmi kombëtar mund të marrë edhe specialistë të fushave përkatëse. Në çdo rast dhe pavarësisht nëse konstatohen shkelje e parregullsi gjatë verifikimit, specialistët e këtij mekanizmi mbajnë procesverbal, i cili nënshkruhet nga drejtori i institucionit ose i ngarkuari prej tij, me të drejtën e pasqyrimit të vërejtjeve.

Neni 84

Mbrojtja e të dhënave personale

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale marrin masa për zbatimin e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, duke garantuar një nivel sigurie të plotë gjatë përpunimit dhe ruajtjes së tyre.

Neni 85
Inspektimi nga institucionet shtetërore

1. Ministria e Drejtësisë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve janë organet kompetente shtetërore për kryerjen e inspektimeve pranë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.
2. Personat e autorizuar, me urdhër nga ministri i Drejtësisë apo drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, gëzojnë të drejtën të inspektojnë burgjet dhe të bëjnë verifikime me objekt të përgjithshëm apo tematik.

3. Objekti i verifikimeve të inspektimit janë vlerësimi i respektimit të kërkesave ligjore për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve apo të paraburgosurve, si edhe çështjet konkrete të përcaktuara në urdhrin e inspektimit.

4. Pas përfundimit të inspektimit, personat e autorizuar për kryerjen e inspektimeve, përgatisin rekomandimet, sipas rastit, për ministrin e Drejtësisë apo drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, lidhur me marrjen e masave të nevojshme për shkeljet e konstatuara.

PJESA E GJASHTË

TRAJTIMI I TË PARABURGOSURVE

Neni 86

Mbrojtja shtesë e personave të paraburgosur

Rregullat në këtë pjesë të ligjit parashikojnë mbrojtje shtesë të personave të vendosur në institucione të paraburgimit ose seksione të paraburgimit.

Neni 87

Trajtimi i të paraburgosurve

1. Në asnjë rast të paraburgosurit nuk trajtohen si të dënuar ose si persona që mund të dënohen në të ardhmen.

2. Personat e paraburgosur gëzojnë të gjitha të drejtat që gëzojnë edhe të dënuarit me burgim.

3. Brenda regjimit, të paraburgosurit u nënshtrohen të gjitha rregullave të brendshme të institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale.

4. Ndalohet mbajtja e të miturve në një dhomë me të rriturit ose vendosja e të miturave vajza me të miturit djem në një dhomë. Të miturat vajza vendosen të ndara nga të mitur djem dhe mbahen vetëm nën mbikëqyrjen dhe kujdesin të personelit të së njëjtës gjini.
5. Gratë e paraburgosura vendosen në dhoma ose seksione të veçanta nga burrat dhe mbahen vetëm nën mbikëqyrjen e kujdesin të personelit të së njëjtës gjini.

Neni 88

Pranimi i të paraburgosurve në institucion

1. Në çdo rast, të paraburgosurit mbahen në seksione të veçuara nga seksioni i të dënuarve me burgim.

2. Pranimi i të paraburgosurve bëhet në bazë të dokumentacionit, i cili përmban vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, procesverbalin e ndalimit ose të arrestimit në flagrancë, procesverbalin e kontrollit personal, formularin e identifikimit me dy foto dhe gjurmët e gishtërinjve, dokumentin e kontrollit mjekësor e certifikatën personale dhe dokumentin e identifikimit, pasaportë, dhe në mungesë të tyre dokument identifikimi të përgatitur nga Policia e Shtetit.

3. Lirimi i personave të paraburgosur bëhet vetëm me vendim të gjykatës ose të prokurorisë. Në rastet kur i paraburgosuri i liruar nuk ka mundësi strehimi ose transporti pranë familjes së tij, drejtori i institucionit, në bashkëpunim me institucionet vendore, si dhe organizatat e tjera, mundësojnë sistemimin dhe transportin e tij.

4. Në rast pamundësie objektive për t’u larguar nga institucioni pas lirimit, me kërkesën e tij, personi i paraburgosur mundëson strehimin në institucion, deri në përfundimin e pengesës për largim.

Neni 89

Të drejtat e të paraburgosurve

1. Personat e paraburgosur që ndodhen në institucionet e paraburgimit ose seksionet e paraburgimit gëzojnë të drejtat e përcaktuara në nenet 4, 12, 33-39, 41-44, të këtij ligji, si dhe të gjitha të drejtat e parashikuara në këtë seksion të ligjit.

2. Të paraburgosurit lejohen të informojnë menjëherë familjen për vendndodhjen e tyre. Atyre u krijohen të gjitha kushtet e nevojshme të takohen me familjarët, me përjashtim të rasteve kur kjo pengon ose nuk është në interes të zhvillimit të hetimit dhe gjykimit.

3. Drejtori i institucionit të paraburgimit kufizon të drejtën e të paraburgosurve për të pritur vizita, për korrespondencë apo për biseda telefonike, kur është e nevojshme, për kryerjen e veprimeve procedurale penale të urdhëruara nga organi procedues përkatës.

4. Në asnjë rast të paraburgosurit nuk detyrohen të punojnë. Nëse të paraburgosurit zgjedhin të punojnë ata u nënshtrohen të njëjtave kushteve të punës si të dënuarit me burgim.

Neni 90

Këshillimi ligjor

1. Të paraburgosurit informohen në çdo rast për të drejtën për të përfituar këshillim ligjor.

2. Mjediset ku mbahen të paraburgosurit duhet të ofrojnë mundësinë që ata të takohen me mbrojtësit ligjorë dhe të përgatitin mbrojtjen për gjatë gjithë gjykimit.

Neni 91
Aktet nënligjore zbatuese

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, me propozimin e ministrit të Drejtësisë jo më vonë se 6 (gjashtë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë rregulloren e përgjithshme të burgjeve si dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij.

2. Rregulloret e brendshme të çdo institucioni miratohen nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, jo më vonë se 3 (tre) muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores së përgjithshme të burgjeve.

3. Ngarkohet ministri i Drejtësisë të nxjerrë urdhrat e nevojshme në zbatim të ligjit dhe rregullores së përgjithshme të burgjeve.

Neni 92
Dispozitë tranzitore

Deri në krijimin e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të Prokurorisë së Posaçme, detyrat e parashikuara nga ky ligj do të kryhen nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda

Neni 93
Shfuqizime

1. Të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore të cilat bien në kundërshtim me këtë ligj shfuqizohen.

2. Ligji nr.8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar, shfuqizohet.

3. Aktet nënligjore të miratuara të zbatim të ligjit nr.8328, datë 16.4.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, të ndryshuar, mbeten në fuqi deri në miratimin e akteve të reja nënligjore, për aq sa nuk bien në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji.

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR TË DREJTAT DHE TRAJTIMIN E TË DËNUARVE ME BURGIM DHE TË PARABURGOSURVE”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit, relacionit dhe raportit të vlerësimit të ndikimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aqif Kopertoni: 24/10/2019 10:26

    E imagjinoj qe tani momentin kur pronaret e burgjeve private do i paguajne ryshfet gjygjtarve qe te dënojnë me burg dhe jo me masa alternative fukarenjte qe te mbushin burgjet e tyre.Gjithmon e me keq

    Përgjigju
  • Ilir: 24/10/2019 10:20

    Kjo qeveri hajdute eshte bere bashke me kriminelet!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës