TIRANË - Dhuna në burgje dhe në paraburgim është në qendër të një projekti të Drejtorisë së Burgjeve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Marrëveshja është nënshkruar sot nga drejtori i Burgjeve, Artur Zoto dhe drejtorja e Komitetit të Helsinkit, Vjollca Meçaj.
 
Projekti do të ketë në fokus parandalimin e dhunës dhe torturës në burgje. Gjatë takimit, Drejtori i Burgjeve tha se, mirëpriste këtë projekt, që sipas tij do të sillte një impakt mjaft pozitiv në sistemin penitenciar.
 
“Jam i hapur për çdo bashkëpunim dhe ju falënderoj për kontributin që keni dhënë ju si Komitet, pasi kjo na bën të përmirësojmë cilësinë e ofruar në burgje. Besoj se ky projekt do të sillte një impakt në këtë drejtim”- u shpreh Zoto.
 
Meçaj, nga ana e saj, u shpreh se bashkëpunimi i KSHH me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ka qenë i vazhdueshëm, ndaj ky projekt është pjesë e fokusit të punës së këtij komiteti.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)